Nga Artur Ajazi/
Humbja e thellë e PD në 25 qershor, listave për emrat e përfolur të kandidatëve (kujtojmë se 29 prej tyre kanë rezultuar me probleme me organet e drejtesisë) apo edhe autorësia e listave, mungesa e analizës së humbjeve dhe zhgënjimeve, do të jenë tema e debateve mediatike dhe politike edhe për shumë muaj, edhe pas 25 qershorit në gjirin e partisë së Bashës.
Dihet se “fajtori” do të dalë, ose do të shpiket një tjetër njeri nga PD pas humbes së thellë, por edhe sikur të mos ndodhë kështu sërish problemet nuk do të ndalen. Prej 4 vitesh Partia Demokratike e Shqipërisë e drejtuar nga zoti Basha, ndodhet në krizën e saj më të madhe të dy dekadave të fundit, madje nuk ka qenë kështu edhe në vitin e zi, të 1997.
Kujtojmë të gjithë se, ai vit ishte për PD, viti i cili përcaktonte deri diku edhe mbijetesën e asaj partie. Por zotësia dhe maturia e Sali Berishës, bëri të ringrihet sërish PD, bëri të organizohet nga grupseksionet deri në forumet e tjera partiake, duke arritur sërish rikthimin në pushtet në 2005. Por duket se niveli asaj PD-je, tashmë duket i largët, duket i mbyllur, i zaptuar nga klane dhe segmente që me atë parti e lidhnin vetëm interesat e veta dhe të farefisit. Pas 4 vitesh qeverisjes të një klani të zi, i vetëquajtur “Rilindja”, dukej sikur PD e Bashës, do të kishte gati stradegjinë e fitores, dukej sikur do të kishte gati platformën e hapjes dhe afrimit të figurave më të spikatura, për të mos u bërë gazi botës në “çadra lirie” dhe skuta, por për të paraqitur veten si forcë politike serioze dhe me vizion për të ardhmen e shqiptareve.
Por shumëkush që kishte besuar këtë gjë, kishte gabuar, mes tyre edhe unë. U gabuam kur dëgjonim se si nga “çadra” vinin mesazhe se “nuk futemi në zgjedhje me Ramën, nuk futemi në zgjedhje me ministrat dhe kryeministrin e hashashit, nuk futemi në zgjedhje pa votimin elektronik”, dhe shqyem sytë dhe veshët pastaj, kur mësuam se Basha u takua si “miku me mikun” me Edin në mesnatë dhe ujdisën gjithçka. Pra gjithçka u harrua, u harrua “hashashi, kampionët e korrupsionit, qeverisja e drogaxhinjve”, dhe vendosën të bashkëqeverisin Luli dhe Edi bashkë për afro 3 muaj e ca. Të gjithë ata, që mbushën çadrën për 90 ditë, mbetën të mashtruar, mbeten të zhgënjyer dhe të tallur nga hyrja me furi, në ambientet e saj të kryetarit Basha i cili duke buzëqeshur me pahir tha se “Fituam, Fituam, e mundëm Edi Ramën”.
Por çfarë fituam zoti Basha, çfarë fitoi PD dhe militantët e saj që të besuan verbërisht ty, ata që kanë dhënë kontribute reale për këtë parti, kur ti gjithmonë që ke deklaruar diçka, dhe ke dhënë fjalën për “fitoren” e PD, ke bërë hasha gjithçka. Nga çadra dhe marrëveshja me Edin, të fituar dolën vetëm ti dhe rrethi yt i ngushtë, që të pëshpërit ty në vesh për gjithçka, ashtu siç veprove edhe me listat e “ekipit fitues”. Paraprirja e listave skandaloze, ishte mungesa e hapjes dhe riorganizimit të PD në qendër dhe rrethe, duke lënë përfundimisht të mbyllura dyert e asaj partie. Sot brënda listave të Lulit, ka njerëz që kanë patur dhe kanë akoma punë me organet e drejtesisë. Vallë ky ishte ekipi i ri i “fitores” ?
Në biseda me shumë miq dhe shokë të mi, demokratë dhe njerëz që janë anëtarë të saj nga 1992, me keqardhje konstatojmë se, mbyllja e PD, çadra e “lirisë” dhe listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 qershorit, janë tre hapat fatalë të Lulzim Bashës, ashtu siç ishte edhe 22 korriku kur ai u rizgjodh kryetar.
E para, mbyllja e partisë ka nisur me mungesën e riorganizimit të saj nga baza deri në qendër, dhe kjo duket në katandisjen e saj në pothuajse të gjitha rrethet.
E dyta mbetet “çadra e lirisë” shpikja e Lulit dhe e askujt tjetër, e cila prodhoi rrjedhje të një pjese të mirë të figurave emblematike të PD, që e kuptuan dredhinë e tij, dhe të shumë militantëve nga baza. Kjo për faktin se gjithkush po e kuptonte se Luli, duke u ngjirrur me “Rama ik, nuk futemi në zgjedhje edhe sikur të thotë BE dhe SHBA”, kërkonte të shkatërronte gjithçka nga PD e Berishës dhe idealistëve të kësaj partie.
E treta ishin listat, dhe rizgjedhja me pahir e tij si kryetar partie, si “qershia mbi tortë” duke treguar se synimi Lulit nuk ishin as “hapja e PD dhe as afrimi emrave të rinj intelektualë”, por afrimi i farefisit dhe miqve të tij, i atyre që në momentin më të parë, mund ta braktisin atë. Edhe pse Luli po mundohet të sqarojë shqiptarët se “unë do të jem një opozitë e fortë për qeverisjen e Ramës”, duket se asnjë nuk e beson, madje as nga ata që ai i përzgjodhi si “prurje e re” në listat e reja për deputet.










