Nga Fernada Cenko
Ligoraq Karamelo është njëri nga kandidatët nga lista vijuese e PD-së që ka pranuar që të marrë mandatin. Ai do të përfaqësojë opozitën e re në Parlament.
Në një intervistë për gazetën “TemA”, Karamelo u shpreh se në momentin që e gjithë vëmendja është përqëndruar në drejtim të reformave, në drejtim të proceseve integruese, në drejtim të krijimit të një frymëmarrje të re, të një Shqipërie që aspiron për të qenë në familje europiane, vendimi për të djegur mandatet i dha një goditje të fortë, duke shkaktuar një dëm shumë të madh.
Karamelo deklaron se kryetari i PD-së Lulzim Basha nuk e pyeti më herët për vendimin e djegies së mandateve, gjë për të cilën ai shprehet se është kundër.
Sipas tij vendimi për të mos e djegur mandatin nuk e ka marrë i vetëm, pasi Karamelo thotë se është konsultuar me strukturat.
Ai theksoi se si deputet i ardhur nga listat e opozitës në Kuvend, do të mbajë qëndrim opozitar, pavarësisht faktit se nuk ka zbatuar urdhrin politik të PD-LSI dhe partive të tjera opozitare.
Zoti Karamelo, si e komentoni protestën e Partisë Demokratike?
Të protestosh është një e drejtë e ligjshme dhe mbi të gjitha tregon civilizim të kulturave. Të protestosh në mënyre të përsëritur dhe pa objektiva të caktuara dhe me objektiva që ndryshojnë vazhdimisht, unë e gjykoj që këto lloj protesta nuk janë produktive.
Në këtë aspekt do të gjykoja që në këtë moment që po kalon vendi dhe në kushte të cilat ndodhet politika shqiptare, do të ishte më mirë që protestat politike të mos zhvillohen, sepse në vend që të ndikojnë në zgjidhjen e problemeve , ato acarojnë situatën, sidomos në kushtet që vendi ynë po kalon një krizë politike dhe social – ekonomike. Gjykoj që kjo ndikon negativisht në të gjitha aspektet e shoqërisë.
Si e shikoni djegien e mandateve?
E kam thënë dhe e përsëris se djegia e mandateve është një veprim antiligjor, antikushtetues, i nxituar dhe mbi të gjitha tepër i dëmshëm. Jo vetëm se ai është një precedent i rrezikshëm dhe i panjohur më përpara por mbi të gjitha tregon një shmangie nga rregullat themelore të demokracisë. Në demokraci pozita dhe opozita janë dy rrymat kryesore të cilat ushqejnë dhe rregullojnë shoqërinë. Në qoftë se një nga këto degët ndërpritet domethënë nuk ekziston sistemi, kështu që të djegësh mandatet do të thotë të shmangesh nga rruga demokratike e proceseve.
Por djegia e mandateve është edhe një tjetër dëm i madh sepse jemi në një kohë që e gjithë vëmëndja është përqëndruar në drejtim të reformave, në drejtim të proceseve integruese të vendit tonë, në drejtim të krijimit të një frymëmarrje të re, të një Shqipërie që aspiron për të qenë në familje europiane dhe për një Shqipëri që është një faktor stabiliteti në Ballkan. Të marrësh këtë vendim që bie në kundërshtim me këshillat ndërkombëtare do të thotë që ne të ecim kundër rrymës.
A keni patur takim me Bashën kur u mor vendimi për dorëzimin e mandateve?
Unë nuk kam patur asnjë herë kontakt me zotin Basha, e kam thënë dhe e përsëris se mënyra si u bë marrja e firmave dhe vendosja në rresht e të gjithëve është një veprim që bie në kundërshtim me të drejtat e njeriut, nuk mundet që një kryetar partie të vendosë në rresht 190 veta dhe të firmosë një dokument e cila në fund të fundit është një dokument që i takon një individi të caktuar.
A ishte i nxituar?
Sigurisht që ishte i nxituar, sepse nuk u morën mendimet e kandidatëve, por edhe vendimi i një mase të madhe të votuesve, unë do të propozoja se nëse ai do të arrinte në këtë përfundim duhet të pyeste struktuarat apo të bënte dhe një referendum brenda Partisë Demokratike , sepse Basha ka marrë një vendim të gabuar dhe këtë do e tregojë historia.
Si e morët vendimin, u konsultuat me zotin Dule?
Marrja e vendimit është e vështirë për mua, sepse për vetë mënyrat se si u bë dhe presionin që u ushtrua në forma të ndryshme për të nënshkruar një dokument për të mos marrë mandatin . Unë kam një karierrë të gjatë politikë , prej 25 vitesh që angazhohem. Detyrimisht që kam pyetur strukturat dhe ata që më kanë mbështetur dhe padyshim nuk do e merrja i vetëm këtë vendim. Ne jetojmë në Korçë, dhe Korça është një qytet me potencial intelektual, me një kulturë demokratike të spikatur. Do të ishte gabim nëse unë do të merrja një vendim individual.
Jeni i qetë?
Jam i qetë për vendimin që mora sepse pavarësisht paragjykimeve dhe etiketimeve që na vijnë, në fund të fundit është një vendim që shpreh tendencën e qytetarisë korçare. Marrja e vendimit mbi të gjitha është edhe një “shpërblim” që i bëj edhe punën e gjithë këtyre njerëzve që më kanë mbështetur. Duhet theksuar që mandatine IV, PD e ka marrë falë PBDNJ. Basha në Korçë, hartoi një listë me njerëz të panjohur me kandidatë të importuar dhe gjatë këtyre 2 viteve nuk ka bërë asgjë dhe nuk është ndjerë zëri i tyre në Qarkun e Korçës.
A jeni konsultuar me Zotin Dule?
Zotin Dule e kam informuar për vendimin që mora. Për hir të së vërtetës e kam mbështetur z. Dule për vendimet e tij, për opozitën që ka bërë në Kuvend, për të mbrojtur të drejtat e minoritetit grek dhe minoriteteve të tjera në Shqipëri. Kemi një qeverisje për hir të së vërtetës që ka një qëndrim të keq ndaj minoretit grek sepse jo vetëm që ka bërë veprime që bien ndesh ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut por ndikuan keq në marrëdheniet me Greqinë.
Kjo qeveri në vend që ti përmirësojë marrëdhëniet me Greqinë , i përkeqëson. Zoti Dule në të gjitha koalicionet që ka zhvilluar ka qënë shumë korrekt, por e kundërta nuk ka qënë e vërtetë. Të gjitha partitë nuk janë sjell korrekt me ne. Për këtë flet problemi i tjetërsimit të pronave të minoritetit në Himarë, akoma nuk është zbardhur vrasja e Konstandin Kacifas ne Bularat etj.
Juve do të jeni opozitë në parlament apo do të plotësonin numrat për të pasur qeveria Rama 84 vota në parlament?
Absolutisht, që do të jem në opozitë. Synimi është që do të bëj një opozitë konstruktive, të paktën me aq sa mundem, ti jap një profil tjetër parlamentit.
A meritojnë shqiptarët këtë parlament?
Nëse do të bëjmë një analizë të shkurtër apo retrospektivë, ju keni absolutisht të drejtë. Marrëveshja e zhvilluar në 2008 nga Rama – Berisha ishte goditje jo vetëm për parlamentarizmin por edhe për jetën politike. Kemi deputetë të emëruar dhe deputetë ushtarë të partive falë vetëm kësaj marrëveshje, e cila i lejon kryetarët e partive të bëjnë këtë zgjedhje. Kjo marrëveshje e asgjesoi me prezencën e elitës në politike.
Sot kemi njerëz të cilët nuk mund të dalin dot kundër kryetarëve të partive. PS e djeshme ka pasur vërtetë elita dhe mbaj mend dhe ndryshime kryeministrash ne atë kohë për shkak të mendimit ndryshe, gjë që kjo nuk ndosh sot. PS dhe PD ka plot njerëz të ndershëm por që kryetarëve nuk ju duhen. Për të fituar zgjedhjet duhet të mbështetësh të kontigjenti i fortë.
U quajtët dezertorë, a keni frikë se nesër mund të rrezikoni karrierën juaj politike?
Jetën time politike nuk e kam mbështetur mbi llogaritë, unë kam mbijetuar në politikë vetëm falë aspiratës që kam patur dhe moralit politik që përfaqësojë. Unë nuk jam bërë pjesë e konjukturave. Gjithmonë e kam konsideruar jetën time politike si një mision dhe marrjen e mandatit unë e quaj si një kontribut ndaj njerëzve që mua më kanë besuar.
(TemA Javore)