Kur duhen më pak se 48 orë nga zgjedhje, kreu i opozitës Lulzim Basha ka folur mëngjesin e sotëm sërish për listat e kandidatëve për deputetë. Në emisionin e mëngjesit në News24 “Koha për t’u zgjuar”, Basha ka bërë një bisedë me gazetarin Bashkim Hoxha, duke folur për programin ekonomik të PD-së, konceptin e demokracisë në Shqipëri e listat.
“Rama flet sikur ishte në opozitë, por ka 4 vjet që del në çdo televizor. Frigoriferi e tregon më mirë qeverinë se televizori. Frigoriferi e tregon më mirë se kushdo tjetër. Kjo është çështja, jo kush do e marrë timoni po çfarë do keni në frigorifer, çfarë do keni në xhepa në 4 vitet e ardhshme. Plani im është që tavolinat të jenë plotë. Unë do jemi kryeministri i ekonomisë. Do luftoj për investime, për hapjen e vendeve të punës dhe për një të nesërme të sigurt që të harxhoj taksat e shqiptarëve për nevojat e shqiptarëve”, tha Basha.
Ashtu si edhe në fushatë, ai foli për një politikë më të drejtuar nga qytetari.
“Demokracia normale evropiane. Demokracia siç e ëndërrronim ne 27 vjet më parë dhe kjo sot janë dy gjëra të ndryshme. Në europë politikani nuk ngrefoset para qytetarëve por rri në majë të gishtave se ai e gjykon. Këtu funksionon partitokracia. Duhet ndryshuar mënyra për zgjedhjen e deputetëve, jo nga kryetarët e partive. Mjafton t’i servilosen kryetarit, por nuk shkojnë në zonë. Zhgërryhen në restorantet e Tiranës dhe jashtë shtetit por nuk duan t’ia dinë për hallet e qytetarëve.
Jam për maxhoritar me dy zona. Të jetë si në Amerikë. Deputeti do përfaqësojë vetëm interesat e qytetarëve. Ne duhet të ulim taksat. I vetmi që ka një program për uljen e taksave është PD, i koaliduar me Europën dhe SHBA”, tha Basha.
Por megjithëse shprehet për lista të kandidatëve të zgjedhur nga qytetarët, edhe këtë vit ishte kreu i PD-së që vendosi 194 emrat që janë në garë për deputetë.
“Për fat të keq, për herë të fundit. Angazhimi im më madhor para qytetarëve ishte t’i jepja zë një liste sa më përfaqësuese. 82% e kandidatëve nuk kanë qenë më parë deputetë. Qytetarët e kanë mirëpritur. Ka akademikë, sipërmarrës të ndershëm. Lista përfaqëson një ndërthurrje të më së mirës në Shqipëri. Do të jetë një garanci që përmes kësaj liste fituese, do t’i shërbejnë kauzës për Republikën e Re”, tha kreu i PD-së, shkruan “BalkanWeb”.
I pyetur se a sheh optimizëm tek qytetarët pas prezantimit të programit të PD, Basha tha: “Shoh sheshe të mbushur plot me njerëz. Sot kemi mitingun përmbyllës në orën 18:00 në Durrës dhe në orën 19:30 në Tiranë. Sheshet janë plot. Njerëz që mbushin sheshet e PD-së të shkojnë të mbushin kutitë e votimit”.
Ai tha se pritshmëritë e tij janë që shqiptarët të dalin masivisht në votime. “Demorkatë, socialistë të zhgënjyer, të votojnë për një program, t’i japin një shans vetes së tyre, t’i japin fund cirkut politik”, tha kreu i PD-së.
a.ç