“PD dhe LS, kryetari i të parës dhe kryetarja e së dytës, po bëjnë çmos që të delegjitimojnë kuvendin, të vrasin parlamentarizimin shqiptar në mënyrë që të tregojnë Shqipërinë parashtet të çmendur”.
Kështu është shprehur në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, akademiku i njohur Rexhep Qosja, i cili ka komentuar situatën e tanishme politike në vend.
Qosja gjithashtu është ndalur edhe te çështja e ish-ministrit të Brendshëm, duke dhënë argumentat e tij se pse nuk duhet paragjykuar deri në fund ish-ministri.
“Saimir Tahiri! Nuk jam prokuror publik; nuk jam as gjykatës. Saimir Tahiri, them, mund të jetë fajtor për çka akuzohet e mund të jetë i pafajshëm.
Unë respektoj një paragraf juridik pamatshëm të rëndësishëm për drejtësinë dhe për demokracinë dhe ky është paragrafi në Kushtetutën e SHBA-së në të cilin thuhet: çdo kush është i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij.
Saimir Tahirit, një njeriu politik inteligjent, të aftë, ndoshta më pak vigjilent se çdo të duhej në detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme, qe sa muaj, ndoshta gati qe një vit, po i shkelen egër, egër të drejtat e njeriut duke u shkelur njëkohësisht prej akuzuesve të tij ligje e Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Dhe, po i shkelen prej prijësve (liderëve) të opozitës, prej prijësve e bashkëpunëtorëve të tyre të – PD-së dhe LSI-së.
Kryetari i sotëm i PD-së dhe kryetari i përparshëm i PD-së, bashkëpunëtorët më të afërm të tyre në PD-në, kryetarja e sotme dhe kryetari i para disa muajve i LSI-së dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërm po e akuzojnë Saimir Tahirin jo si njerëz politikë, po si prokuror dhe si gjykatës, si gjykatës që e kanë sjellë verdiktin e fundit për Saimir Tahirin!
Fjalët e tyre, akuzat e tyre ndaj Saimir Tahirit, në pjesën më të madhe të rasteve të mbështetura në të dhëna të rrejshme, të trilluara, në të vërtetë përmbajnë gjithë urrejtjen e tyre ndaj qeverisë së Edi Ramës, në mënyrë të veçantë ndaj Edi Ramës, por të mbuluar me emrin Saimir Tahiri!
Rasti i Saimir Tahirit është rast, i shpikur a i ndodhur ende nuk dihet, me të cilin asnjë minutë nuk do të duhej të merrej njeriu politik, prijësi partiak a bashkëpunëtori i prijësit partiak.
Duke ia shkelur të drejtat më elementare njerëzore, duke e fyer, duke e përulur, duke e hequr zvarrë nëpër baltën e akuzave, që mund të dalin shpifje apo të vërteta vetëm gjykata do ta tregojë, këta njerëz politikë vetëm sa po tregojnë se sa larg prej nesh janë standardet dhe vlerat demokratike e juridike evropiane, dhe se sa gjatë do të jemi të prridhur prej primitivizmit ballkanik, në të vërtetë prej primitivizmit të urrejtësve tanë të ndryshëm!”, është shprehur Qosja.