Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar sot Kryeministrin Edi Rama dhe Kreun e Kuvendit Ilir Meta si përgjegjës për aferën korruptive të CEZ. Në një dalje për mediat, Basha theksoi se edhe pas daljes së videos është e qartë se pas kompanisë DIA qëndron Ilir Meta, të cilën sipas tij ky i fundit e ngriti gjatë kohës që ishte Ministër i Jashtëm në qeverinë “Berisha”.
Sipas Bashës, edhe në videon e publikuar në media, dëshmitari kyç i kësaj afere Elvis Mataj, u vërtetua se ai është kërcënuar me jetë pavarësisht se është nën mbrojtjen e Ministrisë së Brendshme.
Për Bashën kjo është vepër e dyshes Rama-Meta të cilën kanë rënë dakord që të mbyllin këtët aferë, duke i falur CEZ miliona euro borxhe ndaj shtetit shqiptar. Në këtë kuadër, PD përsëriti kërkesën e saj për hetim ndërkombëtar që të zbardhet megaskandali i CEZ.
“U bë e qartë edhe dje se pas DIA është Ilir Meta. DIA u krijua nga Ilir Meta në kohën kur ishte MJ. Dje pamë se si dëshmitari kyç, ndonëse i mbrojtur nga policia u kërcënua me jetë. Kjo sepse fundosja e DIA-s merr me vete edhe Ilir Metën. Ndaj dëshmitari Elvis Mataj u kërcënua me jetë. Po kush e ka në dorë këtë? Kumbari i parë Edi Rama dhe kumbari i dytë Ilir Meta, që vendosën së bashku se hartuesit e këtij pakti nuk do të ndiqeshin penalisht. Kjo pra është tangoja kriminale që kërcehet nga dy kumbarët, dhe mbahen fort pas njëri-tjetrit për hir të qindra milionëve. Ndërkohë që varfëria po u merr shpirtin shqiptarëve. Ndërsa në krye të vendit është tangoja e dy kriminelëve. Ndaj ne kërkojmë hetim ndërkombëtar për këtë aferë korruptive të dyshes Rama-Meta. PD kërkon Prokurorë ndërkombëtarë, sepse megaskandali i CEZ duhet dhe do të zbardhet.” tha Basha në fjalën e tij









