Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi qytetarë të njësisë 4 në Tiranë të cilët i ftoi të bashkohen më 18 shkurt, në një lëvizje mbarëpopullore për të ngritur njëzëri problemet e tyre.
“Njerëzit po vrasin frikën dhe me kurajo po bashkohen me njëri-tjetrin për të ndarë të gjithë së bashku hallet dhe brengat që i kanë vënë përposhtë një nga një. Secili ka patur hallin e tij apo të saj të papunësisë të shkarkimit arbitrar nga puna, të mbylljes së biznesit të vogël, të shëndetësisë në kolaps, të arsimit që nuk ofron asgjë për fëmijët e shqiptarëvet”, tha Basha.
Për kryedemokratin Basha, lëvizja e datës 18 shkurtit vjen si mposhtje e frikës ndaj shtypjes dhe arrogancës së pushtetit përmes instrumentit më demokratik të qytetarëve: manifestimit paqësor mbarëpopullor.
“Do të jetë një manifestim i jashtëzakonshëm, një madhështi që vjen nga bashkimi i qytetarëve, por po kështu do të jetë një rast edhe për ti treguar botës mbarë qytetarinë tonë, me një protestë paqësore, demokratike, por të vendosur deri në realizimin e objektivave të qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha ai. /b.d