Pas daljes së tij nga dera e prokurorisë së Tiranës, Sekretari i PD-së Gazmend Bardhi i ka bërë një thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve që të mos bëhen vegla të mazhorancës por të nisin sa më parë hetimet për sjelljen antiligjore të policisë gjatë protestës së opozitës.
Bardhi ka sulmuar po ashtu ashpër Ministrin e Brendshëm duke i thënë se Sandër Lleshaj është një mbetje e komunizmit që e quan protestën një puç kushtetues kurse vjedhjen e Rinasit si një gjë jo të jashtëzakonshme.
“Kanë të gjitha faktet dhe provat e dispunuara nga PD mbi veprimet e paligjshme tëpunonjësve të shtetit të cilët me urdhër politik kanë sulmuar qytetarët. Dua të theksoj se prokuroria ka patur detyrimin ligjor që të niste kryesisht hetimet ndaj drejtuesve të policisë, fakt që nuk ka ndodhur dhe ka detyruar PD-në që të bëjë padinë. Dua t’i bëj thirrje Prokurorisë që të mos bëhet shtojcë. Nuk është një organ i Ministrisë së Brendshme si para 30 vitesh. Më lejoni t’ju kujtoj se sot janë mbi 40 qytetarë që janë në burg pa asnjë provë, ndërkohë që nuk ka asnjë hetim për ata që kanë dhunuar qytetarët.
Ju e keni dëgjuar që Lleshaj e konsideron ngjarje kriminale protestën e opozitës ndërsa vjedhjen e Rinasit e quan ti diçka të vogël.
Apeli im ësjhtë për gjyqtarët dhe prokurorët, nuk kanë për të kaluar vettingun duke i shërbyer politikës. Fundi i këtyre prokurorëve e gjyqtarëve do të jetë i njëjtë me fundin e kësaj qeverie kriminale. Ministri i Brendshëm është një mbetje e kohës së komunizmit që e quan protestën si puç kushtetues. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë Ministër, prokuror apo gjyqtar që të mund t’i mohojë të drejtën qytetarëve për të protestuar”, deklaroi Bardhi pas daljes nga prokuroria.
g.kosovari