Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se mbledhja e nesërme e Këshillit Kombëtar e thirrur nga shumica e kryesisë që kontrollohet nga ish-kryetari Lulzim Basha, është e paligjshme dhe në shkelje të statutit. Bardhi u shpreh se Basha po vepron sot si Berisha në dhjetor 2021, kur mblodhi Kuvendin e partisë në stadium.
“Mbledhja e të hënës e grupit parlamentar, është mbledhje rutinë, ku përveç agjendës parlamentare të kësaj jave, gjatë mbledhjeve të fundit kemi diskutuar edhe për gjendjen ku ndodhet partia.
Kemi nisur një diskutim që pas zgjedhjeve të 14 majit se si e shikonte seicili prej nesh mundësinë e ringritjes së partisë. Sot diskutuam për mbledhjen e kryesisë për të thirrur Këshillin Kombëtar, që ka qenë një kërkesë e imja, prej një jave dhe e kolegëve deputetë sepse është një procedurë që e parashikon statuti i partisë. Morën refuzim të një pjese që përbën shumicën në kryesinë e partisë që nuk do të mblidhet Këshilli, nuk është e nevojshme, ndërkohë që të enjten vendosën që ta mbledhin.
Sa doli njoftimi në media që do të mblidhej Këshilli Kombëtar, e kam përshëndetur si vendim dhe si shenjë reflektimi për t’u kthyer në rrugën statutore. Të nesërmen lexova në rrjetet sociale një vendim që ishte në kundërshtim me statutin e partisë.
Kam pritur me qetësi që të më vinte vendimi i kryesisë, por më erdhi një sms që thoshte: I nderuar anëtar i Këshillit Kombëtar, mblidhet Këshilli Kombëtar, në këtë vend, në këtë orë. Dhe mu kujtua të jem i sinqertë, të njëjtën metodë ndoqi edhe z. Berisha, që edhe asoskohe njoftohesha me një sms që vinte nga kompjuteri, që të shkoja në stadium për Kuvend.
Kjo sepse vendimi që më erdhi më vonë kishte zhveshur nga kompetencat sekretarin e përgjithshëm. Edhe këtu mu kujtua 11 dhjetori. Edhe z. Berisha atëherë nuk kishte besim dhe nuk e kontrollonte Gazment Bardhin. Edhe tani situata është e njëjta.
Nisur nga kjo situatë se çfarë ka ndodhur dhe se çdo të ndodhë në mbledhjen e nesërmen, duke e konsideruar atë të paligjshme dhe tërësisht antistatutore, që thelon ngërçin, kemi vlerësuar se prania jonë është krejtësisht e panevojshme”-u shpreh Bardhi.
/a.r