Barça në telashe, pas Messit dëmtohet edhe Iniesta, një muaj larg fushave
Një tjetër lajm i keq vjen nga infermieria e Barcelonës, teksa është mësuar se Andres Iniesta do të qëndrojë për një muaj larg fushave të lojës, si pasojë e dëmtimit të pësuar në minutën e 60-të të ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Leverkusen, e vlefshme për Grupin E të Champions League. Mesfushori i Barçës dëmtoi bicepsin femoral të këmbës së djathtë. Ai i shtohet të padisponueshmëve Adriano, Vermaelen, Messi, Rafinha dhe Claudio Bravo. Pas fitores ndaj Leverkusen, trajneri i Barcelonës, Luis Enrique deklaroi: “Ndonjëherë fiton prej besimit, ndonjëherë prej zemrës që jep në fushën e lojës, herë të tjera prej ndihmës së tifozëve. Ata duhet të na mbështesin në këtë moment delikat. Skuadra ka nevojë për lojtarin e 12-të.” Barcelona kryeson Grupin E me katër pikë pas dy ndeshjeve të para, një më shumë se Bayer dhe BATE Borisov, që fitoi në ndeshjen tjetër të luajtur të martën në mbrëmje, 3-2 ndaj Romës.









