Banorët e zonës së Rinasit protestuan edhe këtë të martë kundër vendimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar që e devijon lëvizjen drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, duke e bërë me një sens lëvizjeje.
Banorët bllokuan rrugën për disa minuta. Disa prej tyre u ulën në mes të rrugës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit. Për shkak të protestës është shkaktuar trafik në sensin e lëvizjes që të çon drejt aeroportit.
Banorët janë shprehur se tashmë duhet që të udhëtojnë për kilometra të tëra për të marrë shërbimet kryesore.
“Neve na kanë bllokuar arterien kryesore. Ambulanca në Rinas, shkolla është këtu. Për 2 kilometra duhet të dalim 20 kilometra. Kemi duruar sa kemi duruar, nuk shkon më kjo punë. Nëse hapet kjo jemi në rregull edhe ikim”, u shpreh një prej banorëve.
Banorët kërkojnë nga qeveria që ta ndryshojë këtë vendim, pasi i pengon në veprimtarinë e tyre të përditshme, si dhe ka një kosto jo të vogël financiare.
ARRSH ka vendosur për një afat të pacaktuar që lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një kalim, me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.
Mjetet që vijnë nga veriu drejt Rinasit do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport. Nga ana tjetër banorët e këtyre fshatrave paralajmërojnë se do të vijojnë me protestat deri në anulimin e këtij vendimi.
Ditën e hënë banorët bllokuan rrugën për rreth një orë. Po ashtu nuk munguan as përplasjet me policinë.
/a.r