Në njësinë administrative të Shënkollit në Bashkinë e Lezhës, po investohet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, i cili do të transformojë tërësisht situatën e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e zonës, duke mbuluar njëkohësisht edhe një pjesë të rëndësishme të zonës bregdetare. Janë më shumë se 6 mijë banorë që përfitojnë nga ky investim i Qeverisë Shqiptare, në të gjithë njësinë administrative, ku aktualisht situata e furnizimit paraqitet me problematika për shkak të amortizimit dhe mungesës së rrjeteve shpërndarëse.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e AKUK, Klevis Jahaj dhe kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu ndoqën nga afër zbatimin e projektit, ku aktualisht janë realizuar afro 80% e punimeve.
Drejtori Jahaj bëri të ditur se investimi që po realizohet mbulon të gjitha nevojat e zonës, duke ju përgjigjur edhe zhvillimit në zonën bregdetare. “Kemi një kapacitet prej 300 litrash prodhim të sasisë së ujit që është mëse e mjaftueshme për të mbuluar të gjithë zonën dhe pjesën e zhvillimit që do të marrë në vazhdimësi edhe zona bregdetare. Janë 5 fshatra të cilët mbulohen me rrjet shpërndarës i cili ka përfunduar aktualisht shtrirjen në të gjitha banesat edhe me kutitë individuale edhe me matësat. Janë rreth 75 kilometra linjë shpërndarjeje. Është përfunduar edhe linja e transmetimit rreth 2 kilometra”, tha Jahaj. Reforma e ndërmarrë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve mbetet një element i rëndësishëm sa i takon zhvillimit të sektorit. Agregimi i ndërmarrjeve ka sjellë edhe treguesit e parë pozitiv që lidhen me performancën e sektorit. Ministrja Belinda Balluku ju referua drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve në Lezhë, duke marrë për krahasim të dhënat e vitit të kaluar me vitin aktual dhe ku dallohen qartë treguesit.
“Ne e ngritëm ndërmarrjen rreth një viti më parë dhe rezultatet për 2024 janë me të vërtetë mbresëlënëse. Uji pa të ardhura, si humbje e përgjithshme teknike nga 75 është ulur në 66%, krahasimisht me një vit më parë. Një ndryshim kaq i madh në përqindje me të vërtetë është për t’u lavdëruar. Nga ana tjetër ka pasur dhe një rritje të rëndësishme përsa i përket mbledhjes së të ardhurave. Kanë arritur në 120% dhe ne e shpjegojmë gjithmonë që çfarë është 120%. Është dhe ai 20% që ne mbledhim nga çfarë ka mbetur nga vitet e kaluara. Pra përveçse janë likuiduar të gjitha faturat e konsumuara gjatë këtij viti, kemi mbledhur dhe debitet e vitit të shkuar, kur mbledhja e të ardhurave ka qenë 85%”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e vendosi theksin tek ulja e kostove për këto drejtori, ku padyshim energjia elektrike është ajo që kryeson. Në këtë pikë, Balluku solli si shembullin Belshin dhe Memaliaj, dy zona ku janë ngritur njësitë e prodhimit të energjisë elektrike përmes paneleve diellore që përdoren nga ujësjellësi, duke ulur kështu ndjeshëm kostot.
“Kemi nisur disa projekte pilot dhe unë besoj në bashkëpunim me kryetarin dhe me administratorin, duhet gjetur një zgjidhje për të filluar dhe për të krijuar njësitë prodhuese të energjisë së rinovueshme, që do të përdoren nga ujësjellësi. E kemi bërë këtë në Belsh dhe na ka rezultuar shumë se suksesshme. Edhe në Memaliaj”, nënvizoi Balluku.
Duke shprehur falënderimet për investimin që po realizohet, kryebashkiaku Ndreu tha se “kemi të bëjmë me një nga zonat më turistike të Lezhës, është zona e Tales dhe akseson të gjithë bregun e detit kryesisht ky investim dhe normalisht përmirëson shumë cilësinë e pushimeve, por edhe të jetesës të banorëve”.
Ujësjellësi i Shënkollit pritet të jetë në funksion të plotë në fillim të vitit të ardhshëm./m.j