Nga Prof. Pëllumb Xhufi
Që në fjalimin e tij mbajtur në Dhomën e Komuneve, më 22 qershor 1941, W. Churchill kishte deklaruar se Lufta II Botërore ishte një luftë ndryshe nga luftrat e tjera. Ajo luftë ju imponua shteteve e popujve të botës si një luftë shfarrosëse, një luftë për ekzistencë, nga e cila nuk mund të shmangej askush. “Ç’do njeri apo çdo shtet që do rreshtohet në krah të boshtit nazi-fashist, do të jetë armiku ynë”, deklaroi me atë rast kryeministri britanik. “Çdo njeri apo shtet që do i bashkohet luftës sonë, do jetë aleati ynë”. Slogani “o me ne kundër boshtit, ose me boshtin kundër nesh”, u artikulua qartë e prerë në Kartën e Atlantikut të nënshkruar më 14 gusht 1941 nga Presidenti Roosewelt, Kryeministri Churchill dhe miratuar edhe nga Stalini.
Por, paria dhe elita e vjetër shqiptare, ku bënin pjesë edhe mjaft veteranë të luftrave për liri, për njohjen e kombit e te shtetit shqiptar, treguan një moskuptim fatal të karakterit të Luftës II Boterore. Një pjesë e mirë e tyre mendoi se mund ta hidhte këtë luftë, duke u ushtruar në diplomacinë e salloneve e të ujdive të fshehta për të ruajtur pozitën, privilegjet e makar edhe për të mbrojtur ndonjë interes për vendin. U soll si në vitet e Luftës I Botërore, kur me përjashtim të ndonjë heroi popullor, si Elez Isufi e Sali Butka, të tjerët, të ashtuquajturit “baballarë të kombit”, nuk bënë asnjë përpjekje për të mbrojtur pavarësinë e sovranitetin e shtetit shqiptar, por pranuan të hyjnë pa fjalë nën ombrellën e pushtuesit më të parë, qoftë ky austro-hungarez, francez apo italian. Atëherë, pavarësia e sovraniteti i Shqipërisë iu besua fuqive pushtuese.
Në fakt, për shumë politikanë shqiptarë të asaj kohe, ushtritë franceze, austro-hungareze e italiane, nuk ishin ushtri pushtuese. Madje ato mund të ndihmonin edhe për të realizuar ndonjë interes kombëtar. Krijimi i “Komisise Letrare” në Shkodrën e pushtuar nga Austro-Hungarezët, shpallja e Republikës autonome në Korçën e pushtuar nga Francezët apo ngritja e flamurit shqiptar në Gjirokastrën e pushtuar nga Italianët, u vlerësuan nga ata vetëm në aparencën patriotike, si gjeste që drejtoheshin kundër synimeve aneksioniste të fqinjëve. Kjo qasje bëri që nga horizonti i mjaft eksponentëve të nacionalizmit historik shqiptar të zhdukej nocioni i “pushtuesit të huaj”. Në fakt, shkrimet, artikujt apo deklaratat e tyre të viteve 1914-1918 gëlonin nga sulmet dhe fyerjet kundër “armikut të brendshëm”, pra kundër njeri-tjetrit, por nuk gjen në to një fjalë e vetme kundër “pushtuesit të huaj”.
Këto forca, pra, rrezikuan të riprodhojnë të njëjtën situatë edhe në vitet e Luftës II Botërore.
Julian Amery tregon se ç’vlerësim për luftën i dha atij Abaz Kupi, kreu i lëvizjes së Legalitetit, në çastin e largimit nga Shqipëria, në shtator 1944: “Me sa duket”, i deklaroi Kupi, “kështu qenka shkruar: per 100 vjet kemi qenë ne të Veriut që kemi sunduar mbi Jugun, tani ka ardhur radha e tyre të sundojnë mbi ne”. Abaz Kupi, pra, i kishte kuptuar ato pesë vite lufte që përgjakën Evropën, si luftë për dominim mes vetë shqiptarëve. Mungon krejt ne arsyetimin e tij armiku i vërtetë, pushtuesi italian e ai gjerman.
Një lexim krejtësisht të gabuar pati për Luftën II Botërore në Shqipëri dhe organizata e “Balli Kombëtar”. Slogani me të cilin kjo organizatë u paraqit në publik që me traktin e saj të parë më dhjetor 1942, ishte: “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhëtarëve”. Edhe këtu, asnjë referencë për pushtuesin. Flitet vetëm për “tradhëtarët”, që sipas ballistëve ishin Partia Komuniste dhe Fronti Antifashist Nacional-Çlirimtar, pikërisht ata që kishin marrë në duar kauzën e luftës së armatosur kundër pushtuesit nazi-fashist. Një pozicionim i tillë i eksponentëve të ashtuquajtur nacionalistë, nëse kauza e tyre do kishte triumfuar, do e kishte flakur fatalisht Shqipërinë jashtë rrjedhës së historisë.
Justifikimi i qëndrimit të BK e Legalitetit gjatë luftës, nga pasiv deri në kolaboracionist, me arsyetimin se “mëkatuan” e bashkëpunuan me pushtuesin për hir të ndjenjave të tyre patriotike, për t’i kursyer popullit shqiptar sakrifica, dëme e viktima, është një përrallë për naivët, që po e dëgjojmë shpesh edhe sot. Këtë justifikim nuk e hëngri populli shqiptar, nuk e hëngrën as të huajt. Kështu, dy ushtarakë britanikë me mision në Shqipëri, Ridell e Hibbert, shpreheshin me këto fjalë për disa krerë kolaboracionistë të veriut: “Qëllimi i vetëm i tyre është vetëm të shtojnë pasurinë e të zgjerojnë sferën e vet të ndikimit, makar duke ia rrëmbyer njeri-tjetrit. Flasin shumë për patriotizëm, por vështirë të gjesh edhe gjurmën më të vogël të patriotizmit në sjelljet e veprimet e tyre”.
Në fakt, organizatat e BK e të Legalitetit e njollosën keq veten me pushtuesin. Drejtues të lartë të tyre morën pjesë drejtpërdrejtë në qeveritë kuislinge të pas ’39, bashkë me fashistë të shpallur e të vetëshpallur të llojit Verlaci, Kruja, Mirakaj, Koliqi, Previzi, Deva, Dema etj.
Nga ana tjetër, kundrejt fuqizimit të shpejtë të forcës së armatosur të FANÇ, Balli Kombëtar kërkoi të krijojë edhe ai grupet e veta të armatosura, por këto nuk do të luftonin asesi pushtuesin fashist. Në 8 mars, Shefi i Zyrës politike të ushtrisë italiane, kol. Angelo de Mateis, i raportonte Romës se tek ai ishin paraqitur Ali Bej Këlcyra, Nuredin Bej Vlora dhe Musa Kranea, eksponentë të Ballit, të cilët e kishin informuar atë për krijimin e disa çetave të armatosura. Ai jep edhe emrat e komandantëve të tyre: Safet Butka, Bexhet Bulgareci, Haxhi Këmbthekra, Refat Goskova, Gani Peqini, Hysni Lepenica, Skënder Muço e të tjerë. Gjithmonë sipas kolonelit de Mateis, eksponentët e Ballit e siguruan oficerin e lartë italian, se këto forca “do ishin luajale ndaj forcave italiane dhe eventualisht do bashkëpunonin me to”. Një njoftim të ngjashëm i përcillte Berlinit ato ditë edhe Konsulli gjerman, Schliep, që gjithashtu ishte në kontakt me krerët e BK.
Që Balli Kombëtar kishte si objektiv lufte forcat partizane, këtë e dëshmon, veç të tjerëve, edhe oficeri anglez Duffy, i cili po atë vit, në 29 shtator 1943, dy ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste, i raportonte si më poshtë eprorit të tij Billy Mc Lean-it: “Ali Këlcyra ka filluar t’u mbledhë armët italianëve, të cilat ka shumë të ngjarë që t’i përdorë kundër partizanëve. Do t’i shkruaj një letër për t’i kërkuar shpjegime për këtë qëndrim. Por e di se do më shmanget, ai është një fëlliqësirë e klasit të parë”. Fakte të tilla, (ne cituam vetëm ndonjë prej tyre), i japin kuptim dhe konfirmojnë vërtetësinë e marrëveshjes tradhëtare Dalmaco-Këlcyra, që u nënshkrua pikërisht në mars 1943. Qëndrimi i palavdishëm i Ballit Kombëtar gjatë 4 viteve të pushtimit italian, i shënjuar nga Protokolli Dalmaco-Këlcyra, mbyllet me një tjetër gjest domethënës.
Pas rënies së Musolinit, në 25 korrik 1943, në Ministrinë e Jashme italiane u thirr me urgjencë Mehdi Frashëri, të cilit iu paraqit projekti italian për statusin e ardhshëm të Shqipërisë. Frashëri u informua, se forcat italiane shumë shpejt do të tërhiqeshin drejt porteve të bregdetit shqiptar për t’u imbarkuar për Itali. Por, gjatë tërheqjes ato do bënin gjithshka që mos linin pas një boshllëk pushteti. Vendin e italianëve, sipas këtij projekti, do ta zinin forcat dhe pushteti i Ballit Kombëtar, i cili nga ana e tij angazhohej të zbatonte një politikë miqësore ndaj Italisë. Jo rastësisht çështja e pushtetit ishte çështja kryesore që Balli Kombëtar shtroi në takimin e Mukjes të ditëve të para të gushtit, ndërkohë që përfaqësuesit e FANÇ paraqitën kërkesën e kahershme, që BK të angazhohej më në fund në luftën kundër pushtuesit.
***
Kapitullimi i Italisë fashiste u shoqërua edhe me një rrethanë, që drejtuesit e BK e të Legalitetit e konsideruan të favorshme për interesat e tyre dhe që u munduan ta shfrytëzojnë. Pas fitores së Ushtrisë së Kuqe ne Stalingrad, qeveria britanike, posaçërisht W. Churchill, krahas luftës kundër forcave hitleriane, filloi të ndjekë edhe një axhendë të dytë, që ishte ajo e luftës kundër forcave të majta të rezistencës në vendet e pushtuara nga gjermanët. Tashmë që fundi i luftës ishte i qartë, Churchill iu rikthye politikës së tij të vjetër të antikomunizmit militant. Në kujtimet e tij, ai mburret që e kuptoi i pari rrezikun e ardhjes në pushtet të komunistëve dhe që u angazhua fort për ta shmangur atë. Ai nuk i fsheh edhe mosmarrëveshjet që pati për këtë çështje me presidentin e SHBA, Franklin Roosevelt. Në fakt, Roosevelt insistonte që aleatët e mëdhenj duhet t’i përmbaheshin deri në fund angazhimit për të luftuar në një front me të gjitha forcat antifashiste, pavarësisht ngjyrimit politik.
Siç dihet, dhe siç e përshkruan edhe vetë Churchill, ky dyzim i politikës anglese u materializua qartë e në mënyrë tragjike në ngjarjet e Greqisë, me marrëveshjen e Kazertës, verë 1944, për krijimin e një qeverie të përbashkët të EAM-it e të EDES-it, e më tej në shtypjen e përgjakshme të grupeve antifashiste të majta në Athinë, në dhjetor 1944 nga trupat komando britanike. Siç dihet, ngjarjet e përgjakshme të dhjetorit 1944 në Athinë, përcaktuan marrjen e pushtetit nga ana e forcave të djathta konservatore, ku u përfshinë edhe përfaqsuesit e qeverive kolaboracioniste të Tsolakoglout e Rallisit. Kjo ndërhyrje brutale shënoi edhe fillimin e luftës civile, që e përgjaku Greqinë për plot 5 pesë vjet pas përfundimit të Luftës II Botërore.
Por, përpara Greqisë, britanikët u përpoqën ta zbatojnë këtë projekt në Shqipëri. Dokumente të dala në dritë kohët e fundit, tregojnë se anglezët patën dorë në organizimin e Takimit të Mukjes, ku BK u paraqit me objektiv kryesor zgjidhjen e çështjes së pushtetit në favor të vet. Për të realizuar këtë qëllim, në atë takim mori pjesë gjithë udhëheqja e tij, si dhe një numër i madh njerëzish të armatosur, prania e të cilëve nuk mund të kuptohet veç si mjet presioni mbi delegacionin e vogël e të një niveli më të ulët, që Fronti kishte dërguar aty. Ndryshe nga Balli, delegacioni i Frontit Antifashist kishte ardhur në takim jo “për të ndarë pushtetin”, por të kërkuar edhe një herë angazhimin e Ballit në luftën çlirimtare. Krijimi i një qeverie të përbashkët provizore, siç u pa me zhvillimet e mëvonshme në Greqi dhe siç e pranon edhe vetë Churchill në kujtimet e tij, ishte një skemë e përpunuar prej atij vetë për të siguruar tërheqjen, neutralizimin e më vonë largimin qoftë edhe me dhunë të forcave të majta nga qeverisja e pasluftës.
Megjithatë, Mukja nuk shënoi ndarjen mes FANÇ dhe të ashtuquajturave “forca nacionaliste”, aq me pak nuk shënoi fillimin e luftës civile. Akoma në shtator të vitit 1943, Mithat Frashëri udhëzonte njerëzit e tij që të vazhdonin propagandën kundër Frontit, pasi, sipas tij, “në Mukje ramë dakort për të luftuar me armë pushtuesin, por jo për të hequr dorë nga lufta ideologjike kundër njeri-tjetrit”. Nga ana tjetër, Mukja nuk u prish as për çështjen e Kosovës, siç pretendoi propaganda e BK për të akuzuar Frontin Nac. Çl. dhe Partinë Komuniste si forca antikombëtare. Në dokumentet e tyre shihet qartë se çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është trajtuar me mënçuri, në frymën e Kartës së Atlantikut, duke e lidhur vullnetin për bashkim me angazhimin e popullit të Kosovës në luftën kundër pushtuesit. Ky parim, i njohur edhe nga aleatët e mëdhenj, u shpreh qartë në Konferencën e Bujanit, në 1-2 janar 1944, në organizimin e së cilës PK Shqiptare pati rolin e saj.
Edhe përpjekjet konkrete të saj për të ndezur luftën antifashiste në Kosovë i shërbenin këtij qëllimi. Përsa i përket parrullës së “Shqipërisë etnike” që u përdor rëndom nga Balli e Legaliteti për të goditur PK dhe Frontin, kjo ishte thjesht një instrument i propagandës. Në fakt, qysh në vitin 1942 përfaqësues të lëvizjes zogiste organizuan bisedime me kreun e së djathtës serbe, gjeneralin Mihajloviç, për të rilançuar marrëveshjen e bërë nga Zogu me Pashiçin, në 1924, për krijimin e një federate jugosllavo-shqiptare. Nga ana e tij, Mithad Frashëri, në maj 1944, nisi një varg bisedimesh me të djathtën greke, ku propozoi krijimin e një shteti të përbashkët greko-shqiptar, ku Greqi do drejtonte ushtrinë e politikën e jashtme, dhe ku kufijtë administrativë të Shqipërisë brenda kësaj konfederate, do ishin ato të Shqipërisë londineze. Pra, duke lënë jashtë Kosovën e Çamërinë. Falsitetin e propagandës për “Shqipërinë etnike” e tregoi pas luftës edhe fakti, që menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve të E. Hoxhës me Titon, në 1948, duke harruar akuzat e vazhdueshme për bashkëpunim të regjimit të Hoxhës me Titon, përfaqësuesit e Ballit, vetë mbreti Zog dhe ish jerarkë fashistë shqiptarë, si Gjon Marka Gjoni, Kol Bibë Mirakaj e Ernest Koliqi, vrapuan t’i ofrojnë shërbimet e tyre regjimit titist kundër vendit të tyre.
Pra, ajo çka solli ndarjen e prerë mes BK e Legalitetit, nga njëra anë, dhe Frontit Antifashist, nga ana tjetër, nuk ishte as Mukja e as çështja e Kosovës, me të cilën PK dhe Fronti i kishin kartat në rregull si me historinë, ashtu edhe me të tashmen. Arsyeja e ndarjes ishte rrethana e re e krijuar me pushtimin gjerman të Shqipërisë. Ballisto-zogistët menduan se ushtria e fuqishme gjermane do e shpartallonte Ushtrinë Nac. Çl., duke i hapur rrugën vendosjes së pushtetit të vet. Ndaj vrapuan t’i ofronin pushtuesit të ri shërbimet e tyre, të hapura e të fshehta. Balli Kombëtar e Legaliteti pranuan skemën e ofruar nga Hitleri “të rivendosjes së pavarësisë së Shqipërisë nën ombrellën e Reich-ut gjerman”. Neubacher, administratori i Hitlerit për Evropën Juglindore, tregon skenat poshtëruese të cilat i kapërdinë në praninë e tij, në zyrën e Konsullit gjerman Schliep, përfaqsuesit e Ballit e të Legalitetit të cilët i gëzoheshin deklaratës së “pavarësisë” që Neubacher nxorri nga syrtari dhe u vuri përpara për firmë.
Vështirë të mendohet që intelektualë të shquar, siç ishin Mithad e Mehdi Frashëri, Hasan Dosti, Skënder Muço, Safet Butka e të tjerë, të ishin aq miopë sa mos ta kuptonin, se në shtator të vitit 1943 fatet e ushtrisë gjermane e të Gjermanisë naziste ishin parashkruar. Problemi është se ata ishin të mirëinformuar se në nivelet më të larta të qeverisë britanike, por jo të asaj amerikane, pasivizmi e kolaboracionizmi i tyre mund të tolerohej për hir të shmangies së forcave të majta nga pushteti i pasluftës. Zëdhënëse e vendosur e këtij qëndrimi ishte zonja Margret Haslluck, shefe e zyrës për Shqipërinë në Komandën Aleate të Kajros, e cila ishte njëherësh mike e vjetër e Lef Nosit, antarit të Regjencës nën pushtimin gjerman. Raportet e Haslluck për Londrën, ku ajo merrte nën mbrojtje kuislingët ballisto-zogistë shqiptarë, irrituan shumë oficerë britanikë në Kajro e në Shqipëri, por ato mirëpriteshin në zyrat e Edenit e të Churchillit.
Ndaj, megjithë raportet e njëpasnjëshme të oficerëve britanikë të zbulimit, SOE, mbi qëndrimin pasiv e madje për bashkëpunimin e hapur të forcave të BK e të Legalitetit me gjermanët, Philip Leake, përfaqsues i Shtabit te Mesdheut, udhëzonte në pranverën e vitit 1944, se pavarësisht që duhej vazhduar bashkëpunimi dhe ndihmat për forcat e FANÇ, të cilat, thoshte ai, ishin esenciale për zbatimin e detyrave të SOE, nuk duheshin prerë lidhjet as me BK e Legalitetin. Përndryshe, përfundon udhëzimin e tij Leake, “ne do të dëmtonim shpresat për një kryengritje të përgjithshme në fund të luftës”. Ky mesazh jep sinjalin e parë se në mjediset e qeverisë britanike parashikohej një përplasje civile pas largimit të gjermanëve, për të mënjanuar ardhjen në pushtet të forcave të majta të Frontit Antifashist, e për të sjellë forcat konservatore, pavarësisht qëndrimit të qartë kolaboracionist që ato mbajtën gjatë luftës. Ky qëndrim i ri i Foreign Officit iu bë i njohur krerëve të Ballit e të Legalitetit, të cilët akoma më shumë u inkurajuan të qëndronin në pozitat e pritjes e të bashkëpunimit me gjermanët për të goditur forcat partizane. “Abaz Kupi rri në pritje e përgatitet të shpërthejë luftën civile, pasi të largohen gjermanët”, raportonte në 19 prill 1944 kapiteni Seymour, pas një takimi që pati me kreun e Legalitetit. Po atë kohë, në 15 shkurt 1944, zbuluesi Anthony Quayle raportonte për një takim që kishte patur me Skënder Muçon në Gjirin e Gramës.
“Muço”, shkruante Quayle, “më foli fare hapur për politikën e Ballit Kombëtar, duke e pranuar se ata (ballistët) ishin rreshtuar në krah të gjermanëve, por këtë e kishin bërë për të mposhtur ndikimin në rritje të Lëvizjes Nacional Çlirimtare të komunistëve”. “Gjermanët”, konkludoi Muço, “me siguri një ditë do largohen nga Shqipëria, por kush do t’i largojë komunistët”? Pra, kthesa e re në qëndrimin e Churchill-it e të qeverisë britanike, u prit me entuziazëm nga dy organizatave të ashtuquajtura nacionaliste dhe u pasqyrua menjëherë në sjelljet e tyre. Përkundrazi, ai u prit me reagime të ashpra të FANÇ dhe të Shtabit të Ushtrisë Nac. Çlirimtare, aq më shumë që në udhëheqjen e tyre ishin të infformuar për pazaret që britanikët bënin në Londër me qeverinë greke në mërgim lidhur me cedimin e Shqipërisë së Jugut Greqisë. Por ai shkaktoi përshtjellim e ndarje edhe midis vetë antarëve të misionit ushtarak britanik. Një pjesë e mirë e tyre, duke filluar nga Gjenerali Davies e oficerët Seymour, Hibbert, Watrous, Hands, Duffy, Neel, Ridell, Quayle etj. ishin për mbështetje vetëm të FANÇ, që me operacionet e tij të guximshme të armatosura ndihmonte planet e Aleatëve.
“Partizanët e Fontit”, raportonte Quayle në 28 janar 1944, “janë të vetmit që luftojnë kundër gjermanëve duke përballuar privacione e sakrifica të mëdha, prandaj ne duhet t’u dërgojmë atyre urgjentisht furnizime me armë, ndryshe do krijojmë tek ata dyshimin se ne po bëjmë lojë të dyfishtë”. Në fakt lojë të dyfishtë bënin oficerë të tjerë anglezë, si Billy Mc Lean, David Smiley e Julian Amery, të cilët mbanin lidhje direkte me Foreign Office, me ministrin e jashtëm Eden e me vetë Churchill-in dhe që jo rastësisht u dërguan për t’u atashuar pranë Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit e vëllezërve Kryeziu. Pas diskreditimit të Ballit Kombëtar si bashkëpunëtor i hapur i gjermanëve, këta krerë të Veriut që vështronin vetëm të mos lejonin hyrjen e formacioneve partizane në zonat e tyre të influencës, u projektuan nga politika britanike si alternativa e vetme kundër pushtetit të komunistëve. Por, kundrejt ndeshjeve të përgjakshme të brigadave partizane me repartet gjermane, që impresionuan edhe vetë misionet aleate, më në fund, në shtator 1944, pasi bëri edhe një tentativë të fundit për të shpallur në Prezë një “qeveri të përkohshme” me mbeturinat ballisto-zogiste, edhe Londra u detyrua të largojë misionet e saj nga Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari e vëllezërit Kryeziu.
Në letrën e tij të 17 dhjetorit 1943, shkruar pak ditë para se të zihej rob nga një bandë ballistësh, të cilët ia dorëzuan poshtërsisht gjermanëve, gjenerali Davies denoncon hapur kolaboracionizmin e BK e të krerëve zogistë të veriut, dhe jep një vlerësim të mprehtë mbi vlerën e jashëzakonshme që e Lufta Antifashiste pati për vetë emancipimin e shoqërisë shqiptare. Kjo luftë, shkruante ai, kishte sjellë tre rezultare të pamendueshme më parë: kishte bashkuar veriun dhe jugun e Shqipërisë, e kishte shkëputur shoqërinë shqiptare nga kultura e kolaboracionizmit dhe kishte nxjerrë në ballë të historisë kombëtare vajzat e gratë shqiptare. Dekada më vonë, historiani më i madh bashkëkohës i Luftës II Botërore, Martin Gilbert, e vlerëson lart rolin e partizanëve shqiptarë, lufta e të cilëve e renditi Shqipërinë mes 4 vendeve me kontribut më të madh në rezistencën e armatosur antifashiste, bashkë me Francën, Jugosllavinë e Greqinë.