Prof. Paskal Milo
Gjermanët nuk arritën të merrnin nga shqiptarët atë çfarë kishin shpresuar kur në verën e vitit 1943 po përgatiteshin për të ndërhyrë në Shqipëri. Tek ata ekzistonte opinioni i gabuar se “shumica e shqiptarëve nuk do të lëviznin as gishtin kur ushtria gjermane do të pushtonte vëndin”. Para se të veprohej në Berlin ishin të interesuar që të grumbullonin informacione për situatën e përgjithshme, për forcat e aktorët kryesorë politikë, për prirjet e orientimin e tyre. Konsullit të përgjithshëm Schliep në Tiranë dhe ekspertit të vjetër të çështjeve shqiptare, Scheiger iu kërkuan me urgjencë raportime për subjektet politike e individët më me influencë.
Informacioni që u nis nga Tirana e që mbante firmën e Schliep-it për ministrin e jashtëm Ribbentrop dha vlerësimet e para. Për konsullin e përgjithshëm, Balli Kombëtar dhe Abas Kupi nuk do të luftonin kundër gjermanëve, ndërsa shumica e komunistëve “do të mbanin në fillim një qëndrim pritës”. Schliep mendonte se nga radhët e Ballit Kombëtar do të mund të gjendeshin burra që me përkrahjen politike dhe ushtarake gjermane do të merrnin në duart e tyre qeverisjen e vendit. Shpresa jo të vogla u ushqyen në këtë drejtim në fillim edhe të Muharrem Bajraktari.
Neubacher që shkoi në Tiranë në 10 shtator, ditën e dytë pas hyrjes së forcave gjermane në Shqipëri, morri kontaktet e para me një numër njerëzish të afërt me gjermanët por konstatoi hezitime që vinin nga pasiguria e tyre për t’u angazhuar në një kohë kur flitej për një zbarkim të forcave britanike e amerikane në Shqipëri. Kryeqyteti shqiptar në ato ditë shtatori i ngjante një çorbe që ziente: ballistë, zogistë, komunistë, progjermanë e njerëz pa parti diskutonin hapur e fshehur, brënda tyre e midis tyre, gjithësecili për të mos humbur shansin por edhe për të mos shkelur në dërrasë të kalbur.
Në këtë vorbull notonte edhe Balli Kombëtar tek i cili gjermanët shpresonin shumë të gjenin mbështetje. Udhëheqja e Ballit u përça. Një pjesë, veçanërisht ata që ishin më të rinj e që kishin çeta në terren si Safet Butka deri në 19 shtator kur u vetëvra, Skënder Muço, Abas Ermenji, etj, ishin për të kundërshtuar pushtimin gjerman me armë. Faik Quku, një nga drejtuesit e Ballit në atë kohë ka dëshmuar se edhe Fuat Dibra ishte me rrymën antigjermane, madje kërcënoi edhe me largimin e tij në rast se veprohej ndryshe.
Ai madje kërkoi me urgjencë takim me përfaqësuesit e Partisë Komuniste. Nako Spiru e Ymer Dishnica informuan në 15 shtator Enver Hoxhën se “Fuat Dibra ka mbajtur qëndrim të mirë”. Ata u takuan me të e i bënë thirrje që të bashkohej me Frontin NacionalÇlirimtar. Por ai nuk i kapërceu dilemat e tij, madje shkoi në ekstrem kur u detyrua nën presion të pranonte edhe zgjedhjen si anëtar i Këshillit të Lartë (Regjencës) ndonëse ishte i sëmurë rëndë e vdiq pas disa muajsh.
Elementë të veçantë të Ballit, mes të cilëve më i njohuri Lef Nosi u bashkua me krijesën kolaboracioniste të Komitetit Kombëtar që u krijua në mesin e shtatorit. Nosi u kishte thënë gjermanëve se vetëm në miqësi me Gjermaninë ai shihte “sigurimin më të mirë për një zhvillim të lulëzuar të Shqipërisë”.
Garda e vjetër udhëheqëse e Ballit për të evituar përçarjen, por edhe duke parë tendencën e zhvillimeve të brëndshme e atyre në frontin e luftës botërore vendosi që të shprehej hapur kundër pushtimit gjerman e institucioneve kolaboracioniste që u krijuan. Në një njoftim të posaçëm, Balli u distancua nga Lef Nosi, të cilin e akuzoi se si individ kishte dalë jashtë direktivave të tij të cilat ishin për një luftë të paprerë kundër çdo pushtuesi, e për rrjedhim e përjashtoi nga rradhët e organizatës. Në një njoftim tjetër publik në 27 shtator, Balli Kombëtar dënoi Komitetin Ekzekutiv të krijuar si “vegël e verbër e gjermanëve”, u deklarua në krahë të Aleatëve të Kombeve të Bashkuara e “kundër okupatorit gjerman që kërkon ta bëj vëndin tonë një fushë mjerimi e rrënimi…”. Njoftimi bënte të ditur se çetat e Ballit kishin marrë urdhër të prerë që të luftonin pushtuesin e ri “në çdo kënd të tokës arbënore”.
Në Korçë, Berat e sidomos në Vlorë çetat balliste filluan të kryenin disa aksione kundër forcave gjermane. Në disa qytete, si në Gjirokastër, Delvinë, Berat, Krujë etj, pa u pushtuar ende nga gjermanët u futën edhe forcat e Ballit, ato zogiste, por edhe ato partizane. U krijua një situatë e veçantë ku të dy palët pa u konfrontuar me armë rivalizuan me deklarata politike, me mitingje e debate. Në Gjirokastër u ballafaquan Ali Këlcyra, Bahri Omari e Koço Muka nga ana e Ballit me Bedri Spahiun, Shemsi Totozanin, etj, nga ana e Partisë Komuniste. Në Berat rivalizonte Abas Ermenji me Gjin Markun e Mestan Ujanikun, në Vlorë, Skënder Muço, Azis Çami e Isuf Luzaj me Liri Gegën, Mynyr Xhindin e Hysni Kapon.
Balli Kombëtar u informua për letrat e Enver Hoxhës, madje më vonë i ra në dorë edhe një kopje e njërës prej letrave të shtatorit që ai u dërgonte komiteteve qarkore të PKSH. Ai e ndjeu veten shumë të kërcënuar nga politika e re radikale e Partisë Komuniste. Reagoi menjëherë dhe në 7 tetor u dërgoi një qarkore gjithë komiteteve krahinore të tij në të cilën shkruhej se “…partija komuniste jo vetëm që nuk respekton marrëveshtjen në Mukaj, porse na sulmon në çdo mënyrë, si me propagandë ashtu edhe me vrasje”. Ndaj edhe “… porositeni që çdo sulmi e çdo atentati komunist t’i përgjigjeni menjëherë edhe po me atë mënyrë”.
Një analizë e drejtëpeshuar e ngjarjeve e zhvillimeve politike të muajit shtator si dhe e dokumenteve që ekzistojnë rreth tyre ngarkon në radhë të parë me përgjegjësi Partinë Komuniste që nxitoi t’i shpallte luftë hapur Ballit Kombëtar. Por nëse komunistët bënë hapin e parë të gabuar, ballistët bënë të dytin, shumë më të gabuar e me rrjedhoja katastrofike për vetë Ballin e për vëndin. Po në 7 tetor, kryetari i Ballit Kombëtar, Mithat Frashëri në një qarkore të dytë u bënte thirrje gjithë komiteteve, komandave e çetave të tij që “të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane tash për tash” meqënëse “vëndi kishte nevojë për rregull e disiplinë”.
Ky vendim shënoi aktin e parë të rëndë komprometues të Ballit Kombëtar në kohën e pushtimit gjerman dhe që u pasua nga shumë të tjera më vonë. Argumenti që u përdor për të arsyetuar këtë vendim ishte artificial dhe jo i denjë për një parti që si parullë të saj kishte togfjalëshin “Shqipnia shqiptarëve, Vdekje tradhëtarëve”. Atdhetaria e tradhëtia në rradhë të parë manifestohen në raport me luftën për liri e pavarësi nga pushtuesi i huaj, e në rastin konkret nga ai nazist gjerman.
Arsyeja pse Balli mori këtë vendim nuk u bë se udhëheqësit e tij e donin më pak ose aspak Shqipërinë ose se ishin me bindje naziste e donin t’i shërbenin Gjermanisë së Hitlerit. Jo, ata në përgjithësi ishin njerëz të prirur nga demokracitë perëndimore, konservatorë e liberalë por jo fashistë. Orientimi i gabuar që ata përcaktuan u nis nga lufta për pushtet që kishte filluar me Partinë Komuniste, nga pozitat e dobëta e pafuqia e Ballit për të mundur rivalët e tyre komunistë. Synuan të shfrytëzonin pushtuesin e huaj për të arritur objektivat e tyre politike të brëndshme e për të ndaluar ardhjen e komunistëve në pushtet pas Luftës. Ky ishte gabimi i madh strategjik i udhëheqësve të Ballit. Këtë orientim të gabuar të Ballit dhe rrjedhojat që ai solli e konfirmojnë qartë dokumentet gjermane të kësaj periudhe. Edhe shumica e historianëve profesionistë, shqiptarë e të huaj kanë thuajse të njëjtin gjykim për këtë qëndrim të Ballit Kombëtar.
Menjëherë pas qarkores së 7 tetorit, Balli Kombëtar u fut në bashkëpunim me gjermanët. Konsulli i përgjithshëm Schliep në 28 tetor i shkruante Neubacher-it se “mbështetja e fortë e “Ballit Kombëtar” për trupat gjermane është e pamohueshme”. Është vetë Neubacher që në disa raportime të tij për ministrinë e jashtme gjermane ka pohuar se Balli Kombëtar “po ndihmohet nga ne me armë e municion…”, se ky armatim është dhënë nga divizioni malor gjerman në Shqipërinë Jugore “në marrëveshje me zyrën time…”.
Në 15 dhjetor komanda e Divizionit 100 të këmbësorisë së lehtë në një raportim që i bënte komandës së Korparmatës XXII njoftonte se “Balli Kombëtar ka në këtë moment një forcë luftarake prej 7000 burrash të integruar nën komandën e Divizionit…”. Është vetë Faik Quku, një nga drejtuesit kryesorë të Ballit që e pohon me plotë gojën bashkëpunimin me gjermanët dhe furnizimin prej tyre në dimrin e 1943-1944 me rreth 15 mijë pushkë, 500 mitraloza, dy autoblinda, etj. Në mjaft dokumente të administratës kuislinge shqiptare ka dëshmi për bashkëpunim e operacione të përbashkëta gjermano – balliste kundër forcave partizane.
Edhe misionet ushtarake angleze konstatuan ndonëse me njëfarë vonese bashkëpunimin e Ballit Kombëtar me gjermanët. Janë të njohura përpjekjet e oficerëve britanikë të ndërlidhjes për të bashkërenduar aksionet luftarake midis forcave partizane e balliste kundër gjermanëve. Për t’i inkurajuar forcat e Ballit në këtë luftë, Radio BBC e Londrës vlerësoi me qëllim kontributet e Mithat Frashërit e të organizatës së kryesuar prej tij, taktikë kjo që e zëmëroi shumë Enver Hoxhën e Shtabin e Përgjithshëm.
Ekzistojnë një numër raportesh të oficerëve britanikë të ndërlidhjes në Shqipëri dërguar në Kajro e në Londër që dëshmonin me fakte konkrete bashkëpunimin e Ballit Kombëtar me gjermanët. Ndër ta mund të përmëndet raporti i dytë i gjeneralit Edmond Davies, shefi i misionit ushtarak britanik pranë Shtabit të Përgjithshëm të forcave partizane në 17 dhjetor 1943. Davies informonte qëndrën e vet se Balli Kombëtar i furnizuar prej gjermanëve me sasira të mëdha armësh është angazhuar në luftime së bashku me forcat gjermane kundër Lëvizjes NacionalÇlirimtare, ndonëse udhëheqësit e tij në takimet e zhvilluara me të kishin premtuar për t’i luftuar aktivisht trupat e Wehrmacht-it. Kjo histori bashkëpunimi do të vazhdonte gjatë gjithë periudhës së Luftës.Në fund të verës së vitit 1944 oficerët amerikanë të ndërlidhjes në Shqipëri i raportonin qëndrës së tyre në Bari të Italisë se Balli Kombëtar “tani është duke bashkëpunuar në mënyrë të paturpshme me gjermanët dhe është kaq shumë i lidhur ngushtë me qeverinë kuislinge sa që është pothuajse e pamundur të bëhet ndonjë dallim midis tyre”./dita/a.k