Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, zoti Taulant Balla ishte i ftuar në Komitetin e Politikës së Jashtme “Willy Brandt”, në Parlamentin Europian. Ky Komitet i cili përbëhet nga eurodeputetë të Grupit Socialist dhe Demokrat, drejtohet nga eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, njëkohësisht edhe raporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian.
Në mbledhjen e radhës të këtij Komiteti euroedeputët u informuan nga zoti Balla mbi përfundimin me sukses të procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore. “Zgjedhjet vendore të 21 Qershorit ishin një hap i madh përpara, drejt përmbushjes së standardeve më të mira për mënyrën e zhvillimit të fushatës zgjedhore, administrimit të procesit gjatë ditës së votimit, për të konkluduar me një përfundim në kohë rekord, krahasuar me vitet e mëparshme, të procesit të numërimit.” Referuar Raportit Përfundimtar të Zgjedhjeve që pritet të publikohet në shtator nga Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, deputeti Balla u shpreh se mazhoranca parlamentare do të bëjë gjithçka për implementimin e të gjitha rekomandimeve.
Ndërkohë Presidenti i Komitetit “Willy Brandt” Knut Fleckenstein dhe Presidenti i PSE Sergei Stanishev përgëzuan bashkëkryetarët e Aleancës për Shqipërinë Europiane Edi Rama dhe Ilir Meta për progresin e arritur nga Shqipëria, tashmë edhe në organizimin e zgjedhjeve të lira edhe të ndershme.
Grupi Socialist dhe Demokrat në Parlamentin Europian mbështet hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, duke vënë theksin në domosdoshmërinë e reformës në sistemin e drejtësisë.