Partia Demokratike akuzoi Prokurorinë se ka penguar qëllimisht hetimin e plotë të dosjes “Babale”, duke mos zbardhur disa përgjime, ku sipas saj, dëshmitari i sajuar flet për Taulant Ballën dhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Sekretari për Çeshtjet Ligjore, Çlirim Gjata, në një deklaratë për mediet tha se organi i akuzës duhet të kishte marrë të pandehur deputetin Balla, drejtorin e policisë së shtetit Ardi Veliu dhe ish-drejtorin e policisë së Fierit.
“Pushteti sajoi dëshmitarin e rremë dhe e pagoi atë për të shpëtuar veten dhe për ta përdorur atë kundër opozitës. Prokuroria në shkelje të ligjit nuk ka zbardhur me qëllim disa përgjime ku dëshmitari i sajuar flet për Taulant Ballën dhe drejtorinë e policisë së shtetit”, tha Gjata.
Gjata tha se kjo prokurori është vendosur totalisht në shërbim të sekteve kriminale.
g.kosovari