Tre fëmijë nga Fushë-Kruja, të sjellë në jetë nga një lidhje jashtëmartesore, rrëfejnë peripecitë që kanë kaluar në jetën e tyre, dhe dashurinë e munguar të babait. Në emisionin “Me zemër të Hapur” në “News 24”, ata kërkojnë mbështetjen e babait, që përveç atësisë, nuk u ka dhënë asgjë tjetër.
Ata janë Dhurata, tashmë e martuar, dhe dy vëllezërit e saj Gazmendi dhe Alfredi, (34, 32 dhe 28 vjeç). Nëna e tyre, pas martesës së parë nga e cila ka një vajzë me emrin Merita, pati një lidhje jashtëmartesore me një burrë të martuar, me të cilin pati tre fëmijë.
Por duke qenë se babai i tyre ishte i martuar, ai për gati 20 vite i ka mbajtur të dyja familjet paralel. Nga martesa e tij zyrtare, ai ka patur 7 fëmijë, por njeri prej tyre nuk jeton më. Dhurata, Alfredi dhe Gazmendi tregojnë se nuk e kanë ndjerë kurrë prezencën dhe ngrohtësinë e figurës atërore. Sipas tyre ai vinte në shtëpi vetëm për nënën e tyre, dhe nuk e ka luajtur kurrë me ta rolin e babait.
Në certifikatën e lindjes ishte vetëm emri i tij si baba, por nuk ju kishte dhënë mbiemrin, dhe ata rezultonin të regjistruar me mbiemrin e nënës. Në vitin 1997 të detyruar nga situata, tre fëmijët iu drejtuan gjykatës dhe kërkuan njohjen e atësisë. Me vendim gjykate e morën këtë të drejtë, dhe që atëherë rezultojnë me mbiemrin Merlika, mbiemri i babait.
Personi që ka kontribuar më shumë në rritjen e tyre dhe që vazhdon t’i mbështesë shumë, është motra e madhe Merita, e cila dhe tani ju sjell të ardhura për të jetuar. Sa herë shkonin tek shtëpia e babait të tyre, iu dilte dikush që u mbyllte derën, duke u thënë se ai nuk ndodhej atje. Kanë qenë shumë afër me babain e tyre, por edhe pse i shihte, ai nuk i trajtonte si fëmijët e tij.
Dhurata aktualisht është martuar ndërsa 2 vëllezërit jetojnë me nënën dhe ndodhen në vështirësi ekonomike, pasi momentalisht janë të dy të papunë. Babai i tyre duke qenë se vjen nga familje e persekutuar ka marrë një shumë të konsiderueshme parash thonë ata, ka edhe prona, por atyre nuk ju ka dhënë kurrë asgjë.
Ata rrëfejnë historinë e tyre dhe kërkojnë që ai të kthehet më në fund e të luajë rolin e babait me ta, atë që s’e ka bërë kurrë. Përveç kësaj ata duan që t’ju përgjigjet edhe me ndihmë financiare, t’ju japë atë që me ligj iu takon si trashëgimtarë të barabartë me fëmijët e tjerë të tij.
DHURATA
Keni ndjerë peshën e paragjykimeve në këto vite?
Ka qenë e vështirë në të gjitha vitet tona, edhe kur ishim në shkollë. Na kërkonin babain por ai nuk vinte asnjëherë. Na thonin a jeni fëmijë të dajave, apo si është puna me juve. E kemi kërkuar të na vijë në shkollë, por ai nuk e bënte asnjëherë këtë. Dhe na paragjykonin.
Pse nuk ju pa asnjëherë si fëmijët e tij? Sa dakord ishte nëna juaj për të ardhur ju këtu?
Ajo ka qenë dakord. Që në fillim na ka shtyrë për këtë gjë. Që nga fillimi na ka treguar të vërtetën. Jemi prezantuar edhe me motrat e vëllezërit nga babai. Kemi patur marrëdhënie fillimisht. Babai na ka premtuar se do të kujdesej për ne. Dhe na ka thonë unë nuk kam mundësi, por kur të kem do t’ju them. Ai ka qenë i persekutuar dhe priste të fitonte diçka. Por kjo nuk ndodhi. Kemi 17 vite pa e parë. Ne e dimë çdo të thotë të jesh prind. Unë jam prind vetë. Dhe është çudi që vijnë sot këtu dhe ende kërkojmë babain.
Si e kuptonit këtë lidhjen e babait tuaj me nënën? Vinte shpesh?
Kishte raste që as nuk vinte fare në shtëpi. Kur linda unë vinte thuajse çdo ditë, se e kishim shtëpinë afër me punën e tij. kur bënte fjalë me mamin ai nuk vinte për 2 muaj. Vëllain e vogël nuk e ka parë për 6 muaj, pas një konflikti. Dhe e pa kur u bë 8 muajsh.
Si ka qenë njohja e tyre?
Ata punonin në të njëjtin vend, në pyjore. Ishin kolegë pune. U pëlqyen, dhe babai donte të kishte marrëdhënie më shumë se pune. Në atë kohë kishte një fëmijë nga martesa e parë.
Si ka qenë për nënën tuaj kjo lidhja paralele?
Në fëmijët e tjerë jemi moshatarë me fëmijët e martesës së tij. Unë shkoja te shtëpia. Gruaja tjetër e dinte këtë gjë, dhe e ka pranuar. Fillimisht më pranonin. Ajo sillej mirë, ndoshta edhe nga frika e babait. Por më vonë dolën këto problemet. Kërkoja mbështetje, dashuri, por pastaj kam hasur dyer të mbyllura.
Çfarë kërkon nga babai, kur je e martuar dhe je nënë vetë?
Tani janë edhe fëmijët e mi që thonë ne e dimë që kemi një gjysh, por ti mami ku e ke babin. I them që unë e kam babin por është pak larg.
Është paragjykuar nëna juaj për këtë gjë?
Është paragjykuar për atë kohë, pasi kjo nuk ishte siç është tani. Që ndodhin këto raste. Unë jam e martuar dhe nuk do doja kurrë që burri im të kishte një marrëdhënie paralele.
GAZMENDI
Si e mban mend marrëdhënien me babain?
Unë nuk e kam ndjerë kurrë dashurinë e tij. Nuk doja të bëja ndonjë gjë që ta mërziste nënën.
Si ka qenë fëmijëria jote?
Ka qenë padyshim e vështirë. Për shkak të mungesës së babait, unë rashë pre e sjelljeve të këqija. Që 12 vjeç u detyrova të punoj për të siguruar të ardhura. Shkoja në aeroport dhe mbaja valixhet, për të siguruar ndonjë lek. Pastaj rashë pre e njerëzve që më detyronin të bëja ndonjë gjë, ishte ’97.
Si ka qenë kjo periudhë?
Unë në moshën 16 vjeç hyra në burg. Nëse do të kisha patur autoritetin e babait, ndoshta nuk do të kishin ndodhur këto. Po të kisha me kë të flisja do ishte ndryshe.
Kur babai vinte në shtëpi si sillej, sa kohë rrinte?
Periudha më e gjatë ka qenë 12 ose 24 orë. Mund të kishte raste të rralla që vinte në mëngjes, dhe ikte prapë në mëngjes. Ose vinte në darkë e ikte në mëngjes.
Si sillej, si mysafir, apo baba? Cilat ishin bisedat që bënte me ju?
Më mirë të themi ishte në rolin e mysafirit. Nuk e ndjenim si baba. Nuk e merrte iniciativën dhe të thonte diçka. Nuk është interesuar fare për ne, nuk pyeste a bëni mungesa në shkollë apo për gjera të tjera.
DHURATA
Çfarë thonte kur vinte në shtëpi?
Ai na thoshte shpesh se unë nuk vij për ju, por për nënën tuaj. Ne jemi fyer pasi ai nuk është kujdesur për ne.
Sa vite shkollë ke bërë?
Kam bërë vetëm 8-vjeçaren dhe po vuaj pasojat, pasi nuk mund të gjej një punë.
Si ishte rebelimi juaj ndaj tij, p.sh i keni thënë pse na solle në jetë kur na braktise?
Po i kemi thënë, më mirë mos na kishte lindur.
ALFREDI
Sa në vështirësi e keni vendosur nënën tuja nga mungesa e babait?
Nuk doja ta vendosja në vështirësi dhe e mbaja brenda. Unë kam qenë 11 vjeç kur babai më la për herë të fundit dhe e mbaj mend si njeri të sjellshëm.
Për herë të parë kush ta tregoi historinë?
Ka qenë nëna për herë të parë, por kam marrë vesh dhe në shkollë kur më thoshin se ti ke dhe një baba nuk interesohet për ju.
Pak më parë dhe motra dhe vëllai tha që babai qëndronte pak orë me ju, një ditë ka qëndruar shumë, në këto pak orë si ishte sjellja e tij, çfarë ju thoshte?
Me mua është sjellë mirë dhe më thoshte që do bëhesh shumë punëtor dhe do të inkurajoj që të ecësh si dhe do të jap mundësinë për t’u shkolluar. Unë do të jap pjesën që të takon thoshte, por ky ishte një premtim i pambajtur.
E mban mend takimin e fundit me babain?
Po jemi takuar tek porta, më tha që unë nuk do vij më, por bëhu i fortë.
Pra është larguar duke thënë që nuk do kthehet?
Po, pavarësisht se unë kam pritur që të kthehet.
Gazi kur je takuar me ndonjërin nga motrat ose vëllezërit për herë të fundit?
Motrat nga babi nuk më kujtohen, ndërsa dy vëllezërit kemi koinciduar disa. Kur ishte kryetar i komunës kam shkuar e kam takuar.
Pse heshtin 5 motrat dhe 2 vëllezërit?
Ato kanë refuzuar të takohen sepse mendojnë se babai jonë i braktisi.
DHURATA
Ndoshta është një marrëveshje që babai juaj ka bërë me nënën tuaj. A ka patur një përplasje mes dy grave?
Ato kanë patur të dyja një marrëdhënie të mirë. Kur ne na vdiq gjyshja, gruaja e babait na ka ardhur për qokë.
Me motrat nga babai a keni vendosur komunikim?
Ato janë të martuara, dhe ne nuk kemi shumë marrëdhënie. Ne kemi dashur marrëdhënie me babin tonë. Besojmë se gruaja e babait, nuk e donte këtë gjë, ajo kujdeset vetëm për fëmijët e saj.
Pse kjo gjë?
Sepse tani babai ka marrë para si i përndjekur dhe ka prona, tani i bie që pasuria të ndahet tek 9 fëmijët.
E keni kërkuar ju këtë gjë?
Ne kemi kërkuar mbështetjen e babait tonë. Kam nevojë që të njihet atësia ime publikisht. Ai u inatos shumë kur ne morëm atësinë. Gjykata vendosi edhe të drejtën e detyrimit ushqimor. Por këtë ne nuk e kemi marrë asnjëherë.
MOTRA: VLERESONTE VETEM FEMIJET E ARDHUR NGA MARTESA
Motra e tyre nga martesa e nënës së tyre, Merita e cila ndodhet në Itali, është kujdesur shumë për ta. Në një lidhje telefonike, ajo ka rrëfyer sesi e kujton këtë histori. Merita thotë se kjo histori i ka vrarë të gjithë në zemër.
“Ka qenë e trishtë për ne, që ai i ka braktisur tre fëmijët e tij. Unë kam qenë 4 vjeç kur e kam njohur babain e këtyre, dhe kam patur më shumë marrëdhënie me të. Pasi isha më e rritur. Është sjellë shumë mirë me mua. Ishte njeri i urtë, i sjellshëm, i respektuar. Është treguar i afërt me mua. Por ka 17 vite që nuk është dukur fare, që prej momentit që i ka ndarë marrëdhëniet me nënën tonë”, thotë Merita.
“Për të fëmijët ishin vetëm fëmijët e ardhur nga martesa, ndërsa këta të tre nuk i konsideronte”, rrëfeu Merita.
ma.me