Nga Entela Kaloti
“Ndërron jetë Baba Hekurani i Alipostivanit”.
Ky ishte njoftimi i parë që mora në celularin tim mëngjesin e 4 shkurtit. Edhe pse si gazetare kam fituar një lloj imuniteti nga qarkullimi i mijëra lajmeve gjatë karrierës, këtë herë çdo shkronjë më mbërtheu të gjithën.
Përherë më ishte dukur se për të s’mund të kishte një vdekje si gjithë njerëzit e tjerë edhe pse puna e tij tokësore për bektashinjtë, përkthehej në një vepër hyjnore.
Nuk po mësohesha dot me idenë se po ndahej fizikisht prej nesh një njeri që ka qenë i pandashëm me familjen time, në gëzime, hidhërime, lindje, e martesa, ditëlindje apo fatkeqësi.
Ai ishte përherë aty, ashtu si për mjaft besimtarë të tjerë të cilët Baba Hekuranin e kishin busull orientimi sa herë që humbnin rrugën drejt perëndisë tek e cila besonin.
Teksa merrja veten nga lajmi, po mendoja që zemrat e besimtarëve tani do ishin po aq bosh sa do ishte edhe dhoma e shtëpisë së prindërve të mi e cila ishte pagëzuar si “dhoma e dervishit”, pasi aty ai vinte shpesh dhe ne ishim përpjekur që të mos mungonin as pikturat dhe fotografitë e shenjtorëve bektashianë.
Por si ja doli Baba Hekurani që pas rënies së komunizmit, të bëhej kleriku më i besueshëm i bektashizmit, duke e ringritur atë me frymën e dashurisë, besimit dhe atdhedashurisë, nën dritën e rilindasve tanë?
Në këtë shkrim-homazh do t’ju rrëfej më shumë për të, nga emigrant në Greqi, në njeriun që mision jete pati ta bëjë jetën e besimtarëve më të mirë.
Si e njoha unë?
Shtatlartë, me një kapele në kokë dhe hijerëndë u shfaq në oborrin e shtëpisë së familjes sime në Muçenj të Përmetit.
Ishte ky prezantimi i parë me Baba Hekuranin në një ditë vere në fillim të viteve 2000. Ishte vetëm 37 vjeç kur sapo ishte kthyer nga Greqia dhe kishte nisur punën për ndërtimin e teqesë së Alipostivanit, pa veshur ende rrobën e klerikut bektashian, por me një autoritet të vendosur.
Mosbesuese në atë kohë dhe skeptike për misionin e tij, u habita që prindërit e mi dhe sidomos gjyshja, shprehnin hapur mbështetjen dhe kishin besim të verbër për nismën që ai sapo kishte ndërmarrë.
Mesa duket drita e tij kishte prekur zemrat e tyre. Por jo vetëm të tyre, të të gjithë familjeve të atij fshati të vogël dhe shumë banorëve të zonës.
Deri në atë kohë dija shumë pak për besimin bektashian, pavarësisht se familja ime i përkiste këtij besimi.
Interesi im ishte i ulët edhe nga fakti që gjatë studimeve në Tiranë frekuentoja Kishën Biblike Baptiste dhe ndonëse i respektoja, nuk i kushtoja shumë rëndësi besimeve të tjera.
Megjithatë, më pëlqenin t’i ndiqja bisedat mes babait tim dhe Baba Hekuranit të cilat përqëndroheshin te feja bektashiane, te historia e teqeve të krahinës, kryesisht te Teqeja e Frashërit dhe baballarët e shenjtorët që kishin shërbyer në të.
Ndonjëherë, nuk mungonin as këngët e teqesë, që i këndonin mbrëmjeve. Por siç e thashë në atë kohë nuk kisha as interesin, as pjekurinë e duhur për t’ i dëgjuar me vëmendje dhe ky është pengu im; që shumë histori e ngjarje që edhe im atë tregonte, nuk arrij t’i kujtoj.
Një lis dhe një qiparis, si nisi ndërtimi nga hiri i Teqesë së Alipostivanit?
Baba Hekurani nuk priti gjatë të përmbushte ëndrrën që e shndërroi në mision jete. Teksa kishte nisur punën për ndërtimin nga hiri të teqesë së Alipostivanit, të themeluar në vitin 1867 nga Baba Aliu dhe të shkatërruar gjatë diktaturës, baba Hekurani zhvendoset në selinë e shenjtë bektashiane në Tiranë dhe pak kohë më pas emërohet dervish në Alipostivan.
Ajo që sërish më surprizoi ishte se më 4 prill 2002, teksa ai vishte petkun e klerikut, shumë banorë të zonës së Përmetit përfshirë edhe tim atë e kishin ndjekur në Tiranë për ta mbështetur gjatë ceremonisë fetare.
Pasi u kthye atje, ku gjeti vetëm një lis dhe një qiparis, ai e vuri jetën në shërbim të njerëzve dhe besimit me devotshmëri, dinjitet dhe përkushtim. Përmes dëshmive, por edhe aftësisë dhe mençurisë së tij, evidentoi gjithçka duhej për nisur nga e para punën në Alipostivan, në fshatin e vogël të Njësisë Administrative Piskovë, që ndodhet rreth 19 km nga qyteti i Përmetit.
Fillimisht ngriti tyrbet ku prehen disa prej klerikëve të shenjtë bektashianë dhe më pas gur pas guri me menaxhimin e mirë dhe korrekt të kontributeve të besimtarëve, krijoi një ansambël të vërtetë veprash arkitekturore.
Duke parë punën dhe dinjitetin e tij, tim vëllai Dash Muçellit, i lindi dëshira të realizojë skulpturën e Haxhi Bektashit, simbolit të fesë bektashiane, që ndodhet kryelartë në hyrje të teqesë, duke u bërë fotografi e çdo vizitori. Gjithashtu realizoi edhe pikturat e Baba Aliut dhe Baba Hajdarit.
Në hyrje të saj është porta e madhe me mbishkrimin: “Teqeja e Baba Aliut Alipostivan -1857” e ndërtuar me qemer të lartë dhe me gurë të disa llojeve. Ndërtesat e Teqesë janë të bardha dhe konturet jeshile, sikurse flamuri bektashian, ndërsa flamuri kombëtar valëvitet në krye të saj. Kudo mbizotëron pastërtia.
Me të njëjtën frymë, korrektesë dhe ndershmëri Baba Hekurani iu përkushtua edhe Teqesë së Frashërit, duke ruajtur vlerat e saj kulturore, si edhe teqeve të tjera në zonë.
14 maji për të gjithë besimtarët është caktuar datë pelegrinazhi në Teqenë e Alipostivanit, e cila shtrihet majë një kodre, nga ku shihet lugina e Vjosës dhe përballë Dhëmbeli e Nemërçka.
Përtej besimit, fjala e tij shëronte
Me punën që bëri për ndërtimin e asaj teqeje, por dhe zgjerimit të tyre në shumë fshatra të qarkut të Përmetit dhe më gjerë, edhe mbështetja ndaj Baba Hekuranit sa vinte e rritej. Në pak kohë ajo kaloi kufijtë e zonës, por edhe të vendit. Nga të gjitha rrethet, edhe jashtë Shqipërisë dhe deri në Shtetet e Bashkuara, të shumtë ishin njerëzit që gjetën tek ai besimin dhe shpresën.
Ishte mbështetja në çdo situatë, ishte zëri që donim të dëgjonim. Mendimi i tij i urtë, mirësia, pozitiviteti, dashuria dhe respekti me të cilin trajtonte të madh e të vogël, ishin zgjidhja e shumë problemeve, ishin ngushëllim. Në situata të sikletshme, apo të vështira, të gjithë kërkonim këshillën e tij hyjnore. Ishte mendimi i parë në çdo dilemë. Fjala e tij shëronte.
Në më pak se 10 vite, fama e Baba Hekuranit kishte marrë dhenë, aq sa kishte kapërcyer edhe kufijtë e besimeve.
Tashmë nuk ishin vetëm bektashianët ata që e admironin klerikun e tyre, por edhe njerëz të besimeve të tjera. Një mikja ime ortodokse njëherë më kërkoi numrin e tij dhe të mundësoja një takim me të, pasi radha e njerëzve për ta takuar ishte shumë e gjatë. Më tha se shumë miq të saj kishin gjetur zgjidhje të problemeve të tyre te Baba Hekurani. Dhe siç thoshte vetë ai; dhe myslimani dhe i krishteri janë të Zotit.
Falë tij, Teqeja e Alipostivanit përveç rolit fetar ishte kthyer edhe në destinacion turistik dhe një monument kulture, ku të shumtë ishin njerëzit që e vizitonin atë që nga pushtetarë, zyrtarë, biznesmenë, turistë nga e gjithë bota dhe njerëz të thjeshtë.
Rruga e keqe dhe mungesa e asfaltit nuk i pengonte ata mijëra besimtarë e qytetarë ta vizitonin Teqenë majë kodrës, sa herë u jepej mundësia, pasi energjia e tij e mirë tërhiqte. Ndikimi i tij në të gjithë zonën e jugut ishte i pashoq. Nga Ylli Baka te Dule Malindi dhe këngëtarë të tjerë, nga Përmeti në Skrapar, Tepelenë e Vlorë shumë këngë popullore iu kushtuan veprës së tij që kishte nisur të fliste.
Fati i Teqesë pas ikjes së Baba Hekuranit
Shumë nga besimtarët dhe të pranishmit në ceremoninë e lamtumirës së Baba Hekuranit shprehnin shqetësimin për vijimin e punës në Teqenë e Alipostivanit. Kishte dhe skeptikë që thoshin se nuk mund të ketë të dytë si ai, ndërsa përgjatë rrugës ishin ende gurët e mbledhur me porosi të Baba Hekuranit për ndërtimin e kalldrëmit para portës hyrëse.
Sipas statutit, deri në të 40-at e ndarjes së tij nga jeta, Teqeja do të drejtohet nga Këshilli i saj dhe më pas do të shpallet pasardhësi i Baba Hekuranit. Kryegjyshata e Bektashinjve në mirëkuptim dhe me anëtarët e Teqesë duhet të caktojë një pasues; qoftë dervish apo baba për vijimin e punëve në Teqenë e Alipostivanit. Të shpresojmë që ai do të vijë të drejtojë me të njëjtën ndershmëri dhe devotshmëri si Baba Hekurani.
Kushdo që të shërbejë në atë fole të besimit, do ta ketë akoma edhe më të vështirë seç e pati Baba Hekurani, pasi mbase ndonjëherë është më e lehtë të ndërtosh vepra betoni sesa të vazhdosh e të çosh përpara një vepër të madhështisë njerëzore që la pas kleriku ynë i dashur.
Takimi i fundit
Takimet me Baba Hekuranin, edhe pse në pamje të parë ishin tejet të thjeshta, përherë shënjonin momente që s’mund të fashiteshin nga kujtesa. Kujtoj kur në Teqenë e Frashërit, teksa nisëm ta falënderonim për shërbimin e tij na kërkoi që të heshtim sepse ishte ai që duhet të shprehte mirënjohjen për njerëzit që e mbështetnin në misionin që kishte marrë përsipër.
Mision që në 25 vite jete e vendosi në shërbim të bektashizmit, Zotit që ai i besoi dhe njerëzve që u shërbeu me dashuri, punë dhe përkushtim. Ashtu si çdo dashuri e vërtetë, ajo është një histori transformimi…
Telegrafikisht, kush ishte Baba Hekurani?
Sipas informacionit të publikuar në faqen zyrtare të Teqesë së Alipostivanit në Facebook, Baba Hekuran Nikollari lindi më 7 shtator 1963 në Seniçan të Përmetit. U rrit me përkushtim dhe dashurinë e madhe të prindërve të tij, të cilët i dhanë ndershmërinë, mirësinë, arsimin dhe urtësinë që e shoqëruan gjatë gjithë jetës.
Babai i tij, Fejzua, u nda nga jeta në vitin 1985, ndërsa e ëma, Vezirja, në vitin 2010. Ishte vëllai i 6 motrave dhe dy vellezërve.
Baba Hekurani kreu shkollën fillore dhe atë 8-vjeçare “Riza Velçishti” në Seniçan. Më pas, vijoi arsimin e mesëm në shkollën “Kamber Bënja” në Bënjë. Që në moshë të re, nisi punën për të ndihmuar familjen, duke treguar një përkushtim dhe forcë të rrallë shpirtërore.
Në vitin 1992, emigroi në Greqi, ku punoi për 8 vite larg atdheut, në vitin 2000, u kthye në fshatin e tij të lindjes, Seniçan, ku nis rrugën e tij shpirtërore, një rrugë që do të ndryshonte jo vetëm jetën e tij, por edhe atë të shumë besimtarëve bektashinj në Jug të vendit e më gjerë.
Në Seniçan, rindërtoi Mekamin në vendin e quajtur “Ahuri i Nakove”, që sot njihet si “I miri i Nakove”.
Më 22 mars 2001, Baba Hekurani shkoi në Alipostivan dhe nisi punën për ringritjen e Teqesë së Baba Aliut, e cila ishte shkatërruar në vitin 1967. Me ndihmën dhe mbështetjen e shumë familjeve të zonës, ndërtuan fillimisht tyrben e Baba Ali Horasanit, duke pasur bekimin e Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi.
Më 4 prill 2002, pas një periudhe pranë Selisë së Shenjtë në Tiranë, Haxhi Dede Reshat Bardhi i veshi rrobën e bektashiut dhe e emëroi dervish në Teqenë e Ali Horasanit në Alipostivan, Përmet.
Në vitet 2007-2009, Baba Hekurani u emërua dhe shërbeu si dervish në Teqenë e Frashërit, duke e ringritur atë dhe duke ruajtur origjinalitetin e saj historik dhe kulturor. Sot, kjo teqe është një monument i vërtetë i besimit dhe historisë bektashiane dhe vizitohet nga mbarë bota.
Baba Hekurani shërbeu në Teqenë e Kulmakut, në Malin e Tomorrit për disa vite.
Më 29 dhjetor 2009, me Dekretin e Shenjtë Nr. 7 të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhi, Hekuran Fejzo Nikollarit iu dha titulli i lartë “Baba”, duke u emëruar drejtues i Teqesë së Baba Nasibiut në Frashër, Teqesë së Baba Aliut në Alipostivan dhe Teqesë së Baba Xhaferit në Përmet.
Në vlerësim të jetës dhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm, Baba Hekurani u nderua me tituj të rëndësishëm:
* “Qytetar Nderi”, dhënë nga Këshilli i Bashkisë së Poliçanit.
* “Nderi i Frashërit”, akorduar nga Këshilli i Komunës së Frashërit (Vendimi Nr. 19, datë 21.03.2015).
* “Urdhri Naim Frashëri i Artë”, dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Me përkushtimin dhe punën e tij të palodhur, Baba Hekurani drejtoi me devotshmëri Teqenë e Alipostivanit, Frashërit dhe atë të Baba Xhaferit në Përmet. Një nga veprat e tij më të rëndësishme ishte ndërtimi nga themelet i Teqesë së Cfratit në Bual të Përmetit, një tyrbe të mrekullueshme.
Ai realizoi identifikimin e të gjitha teqeve, tyrbeve dhe vendeve të shenjta në zonën e Përmetit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e bektashizmit.
Baba Hekurani u përcoll më 6 shkurt 2025 mes lutjeve të mijëra besimtarëve, ku Alipostavani këtë herë nuk na thirri për të kremtuar festën e Baba Aliut, por për të nderuar kujtimin e një njeriu që do ngelet si tempull krenarie, jo veç për ata që besojnë te Zoti, por edhe ata që besojnë te fuqia që kanë njerëzit me dinjitet, që edhe kur vdesin jetojnë gjithmonë mes nesh.