A do të marrë kosto Partia Socialiste pasi rrëzoi kërkesën e SPAK për deputeten Belinda Balluku? Kjo ishte pyetja që solli diskutim këtë të enjte në studion e Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
I ftuar në studio, avokati Edmond Petraj tha se nuk ka asnjë kosto për socialistët. Me batutë ai u shpreh se nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, PS do të merrte 95 mandate.
Ndërkohë, politologu Ermal Hasimja theksoi se kosto për PS nuk ka, por ka kosto për qytetarët, të cilët sipas tij morën një mesazh të qartë se Shqipërisë mund t’i mbyllet dera e integrimit në BE.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: A merr kosto PS pas votimit të sotëm?
Petraj: Lutuni Zotit të mos shkohet përsëri në zgjedhje, sepse do të marrë 95 mandate.
Hasimja: Koston e madhe nuk e merr PS, por do ta marrin qytetarët shqiptarë. Nëse zgjedhjet bëhen sërish si herën e fundit, me shumë gjasa PS merr prapë 83 vota. Problemi është se çfarë kosto paguan qytetari shqiptar. Sot, për shkak të kësaj vote, dolën dhe thanë se Shqipërisë i është mbyllur dera e integrimit.











