Avokati i Popullit, i ka drejtuar një rekomandim Ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike Milena Harito, mbi marrjen e inisiativës ligjore për hartimin dhe miratimin e një ligji të veçantë mbi sjelljen e mirë administrative të adoptuar dhe përshtatur me “Kodin Europian të Sjelljes së Mirë Administrative”.
Gjykojmë se në qendër të reformës në administratën publike duhet të jetë njohja nga shteti se individi gëzon një të drejtë themelore për administrim të mirë.
Ndryshimi radikal në mentalitetin në favor të sigurimit të një administrate publike transparente dhe të përgjegjshme që do të trajtojnë qytetarin me drejtësi, në mënyrë të drejtë dhe pa diskriminim do të jetë padyshim rezultat jo vetëm i ekspozimit të përgjithshëm të vendit në konceptet moderne të administrimit të mirë, por edhe për të ruajtur parimet themelore që përbëjnë thelbin e qeverisjes së mirë.
Këto parime themelore duhen përshtatur me Kodin Europian të Sjelljes së Mirë Administrative, të parashikuara edhe në Kartën e të Drejtave Themelore të çdo vendi të Bashkimit Europian.
Kodi Europian i Sjelljes së Mirë Administrative vendos një theks të vecantë tek e drejta e çdo personi për të patur akses në dosjen e tij/saj duke respektuar interesat legjitime të konfidencialitetit dhe e sekretit profesional si dhe detyrimin e administratës për të dhënë arsyet për vendimet e mara.
Këto janë në thelb elemente përbërëse të sjelljes së mirë administrative, që Avokati i Popullit kërkon t’i identifikojë, pasi ato kanë lidhje me hetimet administrative të ankesave të çdo qytetari.
Parimet e qeverisjes së mirë që përbëjnë të drejtën e administrimit të mirë janë të përcaktuara në nenin 41 të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian jo si një dëshirë e administratës për zbatim, por si një e drejtë themelore e individit kundrejt administratës publike.
Përfshirja e të drejtës së administrimit të mirë edhe për vendin tone, do të thotë që individit t’i jepet një mjet efektiv ligjor për të ushtruar këtë të drejtë duke i bërë autoritetin publik përgjegjës për veprimet e tyre.
Përshtatja me legjislacionin e vendit tonë dhe përfshirja e këtij kodi për vendin tonë do të nxjerrë në pah përkushtimin e shtetit ndaj një administrate publike transparente dhe të përgjegjshme. Kjo do të nxisë më tej dhe do të përmirësojë hapat pozitivë të ndërmarra në këtë drejtim përcaktuar në aktet e tjera ligjore dhe nënligjore në vend.
Një ligj që ndoshta për herë të parë, do t’i japë të drejtat individit në një nivel administrativ dhe do të ndihmojë çdo qytetar të kuptojë më mirë se cilat janë standardet që duhet të presin nga institucionet përgjegjëse të Administratës Publike, sesi këto institucione duhet t’u shërbejnë atyre me ligjshmëri, paanësi, korrektësi, integritet, transparencë, lehtësi, pa kosto ose të paktën jo me kosto disproporcionale, etj. Dhe nga ana tjetër do të mund të shërbejë edhe si një udhëzues për çdo nëpunës civil në marrëdhëniet e tij me qytetarët për të krijuar një klimë natyrshmërie në zbatimin sa më me efikasitet të shërbimeve që ofrojnë.
Avokati I Popullit duke ju referuar Kodit Europian të Sjelljes së Mirë Administrative sugjeron të mbahen në konsideratë të vecantë dispozitat me këtë përmbajtje:
Objektiviteti
Nëpunësit civil duhet të jenë të paanshëm dhe mendjehapur. Ata duhet të udhëhiqen nga faktet dhe të dëgjojnë pikëpamje të ndryshme. Ata duhet të jenë të gatshëm për të pranuar dhe korrigjuar gabimet e veta.
Në procedurat që përfshijnë vlerësime krahasuese, nëpunësit civil duhet të bazojnë vendimet e veta vetëm në merita dhe në faktorë të tjerë të parashikuar nga ligji.
Mungesa e Diskriminimit
Në lidhje me kërkesat nga publiku dhe marrja e vendimeve, nëpunësi sigurohet që të respektohet parimi i barazisë së trajtimit. Anëtarët e publikut që janë në të njëjtën situatë do të trajtohen në mënyrë të ngjashme.
Në qoftë se bëhet ndonjë ndryshim në trajtim, nëpunësi duhet të sigurohet se ndryshimi justifikohet nga të dhënat përkatëse objektive të çështjes konkrete.
Nëpunësi duhet të shmangë në veçanti çdo diskriminim të pajustifikuar në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës, prejardhjes kombëtare ose shoqërore, karakteristikave gjenetike, gjuhës, fesë apo besimit, bindjes politike ose të natyre tjetër, përkatësisë në pakicat kombëtare, paaftësisë, moshës ose orientimit seksual.
Mungesa e keqpërdorimit të kompetencave
Kompetencat do të ushtrohen vetëm për qëllimet, të cilat janë caktuar në bazë të dispozitave përkatëse. Në veçanti, nëpunësi parandalon përdorimin e këtyre kompetencave për qëllime që nuk bazohen në ligj ose që nuk justifikohen nga interesi publik.
Sjellja
Nëpunësi duhet të jetë i orientuar ndaj punës, i drejtë, i sjellshëm dhe i arritshëm në sjelljen e tij me publikun. Kur përgjigjet në korrespondencë, telefonata ose letra elektronike, nëpunësi duhet të përpiqet të jetë sa më i dobishëm dhe duhet të përgjigjet në mënyrë sa më të plotë dhe të saktë të jetë e mundur ndaj pyetjes që i janë drejtuar.
Në qoftë se nëpunësi nuk përgjigjet për çështjet e përmendura, ai drejton qytetarin te nëpunësi i duhur.
Në qoftë se ndodh një gabim që cënon të drejtat ose interest e një anëtari të publikut, nëpunësi kërkon ndjesë për gabimin, përpiqet të korrigjojë pasojat negative të gabimit të tij në mënyrën më të shpejtë të mundur dhe informon anëtarët e publikut për çdo të drejtë apelimi.
Pritshmëritë legjitime, qendrueshmëria dhe këshilla
Punonjësi i Institucionit duhet të jetë i qëndrueshëm në sjelljen e tij administrative sikurse dhe me veprimet administrative të Institucionit. Ai duhet të ndjekë praktikat administrative normale të Institucionit, nëse nuk ka arsye ligjore për t’u shmangur nga këto praktika në një rast individual, dhe nëse ka arsye të tilla ligjore, ato duhet të jepen me shkrim prej tij.
Punonjësi i Institucionit duhet të respektojë pritshmëritë e arsyeshme dhe legjitime që ankuesit/kërkuesit kanë, bazuar në mënyrën se si ka vepruar Institucioni në të shkuarën në raste të të njëjtës situatë.
Punonjësi i institucionit, kur është e nevojshme, duhet të këshillojë ankuesin/kërkuesin se si një çështje e shtruar përpara atij/asaj ndiqet, dhe si të procedohet me trajtimin e kësaj çështjeje.
Kërkesat për akses publik të dokumentave
Punonjësi duhet të trajtojë kërkesat për akses në dokumenta, në përputhje me rregullat e miratuara nga Institucioni dhe me parimet e përgjithshme dhe kufizimet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Nëse punonjësi nuk mund të veprojë në përputhje me kërkesën e bërë gojarisht për akses në dokumenta, individi/subjekti duhet të këshillohet të formulojë kërkesën e tij me shkrim.
Avokati i Popullit nisur nga qëllimi i mirë për mirëfunksionin dhe përmirësimin e punës për çdo organ të Administratës Publike qendrore apo vendor, është i gatshëm të kontribuojë më tej me propozime konkrete dhe çmon se hartimi i një ligji sipas frymës që sjell Kodi Europian i Sjelljes së Mirë Administrative, do të ndihmojë në krijimin e një administrate publike më të efektshme, transparente dhe etike.
Për këto arsye Avokati I Popullit rekomandon:
Marrjen e inisiativës ligjore për hartimin dhe miratimin e një ligji të veçantë mbi sjellen e mirë administrative të adoptuar dhe përshtatur me “Kodin Europian të Sjelles së Mirë Administrative
Përfshirjen në një nen të vecantë të të Avokatit të Popullit si një kujdestar për respektimin dhe garantimin e kësaj të drejtë nga çdo Institucion i Administratës Publike.