Por, a është koha për t’u dorë- zuar? A është koha për t’u trembur nga një organizëm kaq i fuqishëm si UEFA? A ka shanse Skënderbeu t’i japë një tjetër leksion “alla shqiptare” UEFA-s pas rastit të Beogradit? Si mund të rrë- zojnë një vendim kaq të rëndë dhe një raport prej 93 faqesh avokatët e klubit korçar? Cili është asi nën mëngë i bardhekuqve? Cilat janë detajet dhe shkeljet që i japin shpresë Takajt? Për të gjitha këto flet avokati i klubit, Lorin Burba. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai zbardh me detaje planin se si do të luftojë Skënderbeu në KAS dhe pse situata është e ngjashme sipas tij me çështjen e titullit 2015-2016 që u rikthye në Korçë…
Si e fituat gjyqin në KAS me FSHF-në, cili ishte gabimi që kishte bërë Etika dhe si u mbrojtët?
Mendoj se trajtimi i çështjes në gabimet e Komisionit të Etikës është i pasaktë dhe devijim ndaj realitetit të fakteve. Kjo pasi, së pari duhet theksuar pafajësia e plotë dhe mospërfshirja e KF Skënderbeut në aktivitete me qëllim manipulimi të rezultateve sportive. U bënë dy vite që ky klub po përndiqet në formën më agresive të mundshme nga ana e UEFA-s, e cila, në rastin e vendimit të Komisionit të Etikës ka ushtruar një presion të fortë ndaj FSHF-së për ndëshkimin e KF Skënderbeut. Pavarësisht se kemi të bëjmë me një betejë ligjore ndërmjet një klubi të vogël dhe konfederatës më të fuqishme të futbollit botëror, ky klub nuk e ka humbur asnjëherë koherencën në qëndrimet e tij dhe ka këmbëngulur mbi pafajësinë. Sa i përket aspekteve teknike të vendimit të Komisionit të Etikës dhe ankimit të bërë në KAS, mbrojtja jonë ka qenë e mbështetur në disa elementë. I pari, mbi mungesën e provave direkte të përfshirjes së klubit në aktivitetet e pretenduara.
Së dyti, mbi shkeljet procedurale dhe materiale të konsumuara nga Komisioni i Etikës gjatë procesit disiplinor. Së treti, mbi Raportet e BFDS-së, të cilat ne kemi argumentuar se nuk kanë forcë provuese për përfshirjen e drejtpërdrejtë të klubit në manipulim rezultatesh. Kjo strategji, na ka mundësuar që KAS të rrëzojë vendimin e Komisionit të Etikës dhe në rivendosjen e të drejtave të cenuara të KF Skënderbeut. Nga ana tjetër, duhet theksuar që ekziston një kuadër ligjor i paplotë sa i përket proceseve disiplinore të kësaj natyre në Shqipëri. Megjithëse, FSHF-ja kishte kontaktuar një studio ligjore të famshme zvicerane për procesin në KAS (e njëjta në rastin kundra UEFA-s për ndeshjen me Serbinë), faktet dhe argumentet tona mbizotëruan dhe për këtë, nuk mendoj se çështja duhet trajtuar si gabim i Federatës.
Etika pas vendimit më 23 qershor 2017, kishte specifikuar se ankimimi duhej bërë vetëm në Apelin e FIFA-s. Si ka mundësi që çështja shkoi direkt në KAS. Mos ndoshta keni humbur në FIFA…
Siç u theksua, kuadri ligjor sportiv shqiptar paraqet mangësi të theksuara dhe shpeshherë përmban dispozita të pazbatueshme. Në rastin e ankimimit të vendimeve të Komisionit të Etikës në Komisionin e Apelit të FIFA-s, duhet sqaruar se ky i fundit (Komisioni i Apelit i FIFA-s) është kompetent vetëm për ankimime të bëra për vendime të Komisionit të Disiplinës të FIFA-s. Me pak fjalë, komisionet e FIFA-s janë kompetente vetëm për vendime të nxjerra nga to dhe nuk mund të ankimohen vendime të marra nga organe juridike të federatave kombëtare.
Nga ana tjetër, Kodi i KAS-it sanksionon në mënyrë të qartë se ankimimet ndaj vendimeve të organeve juridike të federatave kombëtare ose ndërkombëtare bëhen pranë kësaj gjykate. Për këtë, ne në asnjë çast nuk e kemi marrë në konsideratë ankimimin në Komisionin e Apelit të FIFA-s, pasi kjo vetëm do të dëmtonte mbrojtjen tonë, por do të rrezikonte parashkrimin e afateve të ankimimit.
Ku do të bazoheni më shumë në mbrojtjen tuaj në gjyqin me UEFA-n?
Më duhet të sqaroj se në procesin ndaj UEFA-s, KF Skënderbeu po bashkëpunon me studion ligjore zvicerane “De Pfyffer”, e cila është e specializuar në çështjet disiplinore, veçanërisht, ato të dopingut dhe të manipulimit të ndeshjeve. Unë personalisht jam i përfshirë në cilësinë e këshilltarit. Megjithatë, duhet theksuar se procesi aktual ndaj UEFA-s, në thelb, nuk ndryshon aspak prej procesit ndaj FSHF-së. Madje mund të them që janë identikë. Klubi është i bindur në strategjinë e ndjekur nga Av.Michel, i cili mbështetet edhe mbi argumentet e ngritura në procesin ndaj FSHF-së mbi paprovueshmërinë e Raporteve të BFDSsë, shkeljet e parimeve të një procesi të rregullt gjyqësor, etj.
Pse jeni kaq të sigurt që do të merrni pjesë në Ligën e Kampioneve këtë sezon?
Bindja jonë bazohet mbi dy aspekte: së pari, aspekti procedurial dhe afatet kohore. Kur kemi të bëjmë me një vendim disiplinor, i cili ankimohet në KAS, kjo gjykatë merr një vendim të ndërmjetëm për pezullimin e efekteve të vendimit të ankimuar. Me pak fjalë, për të mos i shkaktuar dëme të mëtejshme palëve, KAS vendos për pezullimin e vendimit të federatës ose konfederatës, deri në marrjen e vendimit përfundimtar. I njëjti vendim i ndërmjetëm u mor ndaj KF Skënderbeut gjatë procesit të vitit 2016, ku fillimisht klubi u shortua për të marrë pjesë në Champions League dhe më pas, më 4 Korrik 2016, u përjashtua nga kompeticioni.
Gjatë procesit aktual, afatet na mundësojnë pjesë- marrjen tonë në kompeticionet ndërkombëtare, pasi ankimimi ndaj vendimit të mundshëm në KAS parashikohet të kryhet gjatë muajit qershor 2018 dhe realisht nuk ekziston kohë fizike për të shqyrtuar dosjen dhe marrë vendim në një kohë më të parë se muaji gusht 2018. Së dyti, për nga vetë dimensionet e këtij procesi, gjykimi në KAS do të ndjekë një procedurë të rregullt dhe jo të përshpejtuar. Klubi nuk do të pranojë përshpejtimin e gjykimit të çështjes për vetë pasojat që vendimi i UEFA-s ka mbi të ardhmen e klubit. Pra, gjykimi në KAS do të ndjekë afatet normale, të cilat variojnë nga 4 deri në 6 muaj minimumi.
Më 26 prill mblidhet Komisioni i Apelit në UEFA, besoni se mund të ketë ndryshim vendimi?
KF Skënderbeu është i bindur në njëanshmërinë e plotë të Komisionit të Apelit të UEFA-s në gjykimin e çështjes. Kjo njëanshmëri është paralajmëruar prej kohësh dhe për këtë vendimi i Komisionit të Kontrollit, Etikës, Disiplinës dhe Integritetit të UEFA-s nuk ngjalli asnjë befasi apo habi për klubin. Është e turpshme që zyrtarë të lartë të UEFA-s, ndër të cilët edhe Z. Emilio Garcia, të diskutojnë çështje të dosjes tonë në seminare të ndryshme dhe të marrin si shembull KF Skënderbeun si një klub që ka manipuluar rezultate ndeshjesh, pa pasur një vendim të formës së prerë ende. Në këto seminare kanë qenë të pranishëm arbitra të KAS-it dhe për ne është e qartë se UEFA kërkon të krijojë një opinion dhe një paragjykim mbi KF Skënderbeun. Personalisht mendoj se beteja e vërtetë ligjore do të jetë në KAS dhe në Gjykatën Federale Zvicerane, pasi UEFA ka treguar në më shumë se një rast, kujtojmë rastin e Shqipërisë, që parimi i ligjshmërisë dhe rregullat aplikohen vetëm për më të fortin ose për interesat e këtij institucioni.
KAS ka legjitimuar sistemin BFDS, nëpërmjet të cilit u dënua Skënderbeu. Pse besoni se këtë herë do të bëjë të kundërtën, për më tepër që në vendimin e fundit të argumentuar për rikthimin e titullit, theksonte se janë të vlefshme të dhënat e këtij sistemi?
Duhet sqaruar se në një proces arbitrazhi, prova është e lirë. Kjo do të thotë se secila palë ka të drejtë të paraqesë provat që i vlerëson të arsyeshme dhe KAS vendos mbi administrimin e tyre ose jo. Në rastin tonë, KAS është shprehur se Raportet e BFDS-së janë prova të administrueshme, por nuk është shprehur se këto raporte provojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të një klubi në aktivitete manipulimi të rezultateve të ndeshjeve.
Ndër të tjera, ashtu si në rastin ndaj FSHF-së, Kodi i Disiplinës i UEFA-s parashikon parimin e individualizimit të shkelësve, që do të thotë se, në mënyrë që një klub të dënohet disiplinarisht duhen individualizuar cilët janë lojtarët, zyrtarët apo pronarët e klubit të cilët kanë marrë pjesë në veprimtari të ndaluara nga kodi. Një dënim i klubit pa autorë nuk përbën sens ligjor. Gjatë këtyre dy viteve, klubi ka punuar për gjetjen e materialeve apo ekspertëve, të cilët do të provojnë se Raportet e BFDS-së nuk kanë asnjë forcë provuese. Këto raporte janë të inkuadruara vetëm në monitorimin e koeficientëve të basteve, pa identifikuar asnjë person i cili mund të ketë kryer aktivitete të paligjshme ose të ketë përfituar nga këto aktivitete. Rrjedhimisht, askush nuk mund të dënohet për luhatje koeficientësh.
Flitet shpesh për mangësitë në kuadrin ligjor sportiv të FSHF-së. Ju si jurist, si i gjykoni këto?
Personalisht jam i opinionit se kuadri ligjor i FSHF-së duhet përditësuar në tërësi. Nga eksperienca ime me përfaqësimin e klubeve dhe sportistëve shqiptarë kam vërejtur se shumë rregullore mungojnë (Rregullorja për Statusin dhe Transferimin e Lojtarëve), shumë të tjera janë të paplota (Kodi i Etikës apo Rregullorja e Licencimit), të tjera janë të vjetruara (Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregullorja e Veprimtarisë Futbollistike) dhe të tjera janë të paidentifikueshme (Rregullorja e Arbitrimit).
Mendoj se për ndërtimin e një futbolli të mirëfilltë profesionist, dy janë komponentët kryesorë. Së pari, duhet krijuar urgjentisht Liga e Futbollit Profesionist, me një kuadër ligjor të mirëpërcaktuar. Së dyti, duhet krijuar Sindikata e Futbollistëve, si një strukturë eficiente për përfaqësimin e interesave kolektive të lojtarëve profesionist shqiptarë, që për hir të vërtetës vetëm emrin e kanë të tillë për nga mënyra e respektimit të statusit të tyre.
Si lindi bashkëpunimi me KF Skënderbeun dhe pse ju zgjodhi klubi t’i përfaqësoni në një proces kaq të rëndësishëm në KAS?
Me KF Skënderbeun kam një marrëdhënie bashkëpunimi disavjeçare, e cila ka filluar me fitimin e gjyqit kundër Stade Malien sa i përket kompensimit të formimit të Lojtarit Bakary Nimaga. Përfaqësimi i klubit në KAS erdhi natyrshëm, pasi ekziston një marrëdhënie reciproke bashkëpunimi dhe respekti profesional. Kjo pasi në karrierën time kam përfaqësuar interesat e klientëve të ndryshëm në rreth 60-70 procese në FIFA dhe në KAS. Gjithashtu, kam punuar si përgjegjës i Zyrës Juridike të KF Tiranës dhe prej tre vitesh gjendem në Francë, ku kam përfunduar një cikël studimi pasuniversitar dhe aktualisht po përfundoj studimet Master në të Drejtën e Sportit në Sorbonë. Kam fatin të përfaqësoj klube të ndryshme në Shqipëri dhe në vende të tjera në botë dhe gjithashtu të përfaqësoj agjenci të ndryshme menaxhimi sportistësh apo dhe të përfaqësoj futbollistë e trajnerë të ndryshëm ndërkombëtar.
Ju përfaqësoni Skënderbeun, ndërsa vëllai juaj, Geraldi, është jurist i Partizanit. A ka rivalitet mes jush meqë përfaqësoni klube të ndryshme?
I vetmi rivalitet që kam me vëllain tim është gjatë derbit TiranaPartizani, pasi ai është tifoz i të kuqve dhe unë i Tironës. Për të tjerat, ne jemi profesionist dhe si të tillë bëjmë punën tonë, duke pasur primar interesat e klientëve tonë, problematikat e të cilëve gjithnjë janë mbrojtur nga sekreti profesional. Për çështjen kundër FSHF-së, nuk besoj se ekziston ndonjë konflikt interesi, pasi FK Partizani nuk ka qenë në asnjë çast palë kundërshtare. Për këtë, nuk i kuptoj aludimet e mundshme dhe teoritë komplotiste që mund të krijohen, pasi puna është punë dhe familja është familje. Im vëlla është njeriu im më i besuar, por nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për profesionin tonë, marrëdhënia familjare mbetet jashtë dhe secili respekton hapësirën e tjetrit. Nëse kjo është e vështirë për t’u kuptuar, atëherë nuk është problemi ynë, por i mendësisë së gabuar në vendin tonë. /panorama