Arrestimi i deputetit të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, në orët e vona të së hënës, ka qenë i panevojshëm, sipas avokatëve në vend. Ata vlerësojnë se me faktin që Kurti nuk ka qenë duke ikur, arrestimi, apo ndalimi i tij, siç e quan Policia, nuk ka pasur arsye të ndodhë. Avokatët sqarojnë se ky rast ka mundur të procedohet më tutje vetëm duke shënuar se personi nuk do të japë deklaratë dhe pastaj t’i dërgohet prokurorit.
Avokati Tomë Gashi ka thënë se arrestimi i Albin Kurtit është krejtësisht joligjor dhe i panevojshëm. “Vetë koha, apo momenti i arrestimit të tij në situatë tepër tensionuese dhe shpërthyese ka qenë krejtësisht i panevojshëm, i dëmshëm dhe me asnjë rezultat konkret”, ka deklaruar Gashi.