Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka mohuar të gjithë akuzat e ngritura se avioni me rreth 80 kg Kanabis i kapur në Itali, të ketë ardhur nga Shqipëria. Duke folur nga foltorja e Kuvendit, në një kohë që opozita ishte ngritur në këmbë duke shpërthyer në akuza, Ministri Tahiri paraqiti kuesturën e autoriteteve të Italisë. Në bazë të kësaj theksohej se avioni me drogë ka fluturuar nga Torino për në Leçe dhe se nuk ka pasur aspak lidhje me Shqipërinë.
Sipas Tahirit, PD kërkon vetëm të bëjë zhurmë, ndërsa nënvizoi se kushdo që shkel ligjin do të mbajë përgjegjësi dhe se ky është standarti i qeveirsë së majtë.
“Shpresoj t’i kenë mësuar edhe notin jo vetëm tokë në Orikum. E rëndësishme është sqarimi për atë që ka ndodhur deri më sot. Ka ndodhur që pak më pak se një muaj më parë 1 avion u kap i ngarkuar me lëndë narkotike në Shqipëri. Ky avion ishte pjesë e procedimit të përbashkët Itali-Shqipëri. Në kuadër të këtij procedimi u arrestua edhe një polic në Vlorë. Ky është standarti ynë në dallim nga qeveria e kaluar. Standarti juaj është raportimi se si parcelat në Lazarat ujiteshin me zjarrfikësit në Gjirokastër. Ne luftojmë trafikun e narkotikëve dhe i vëmë përpara përgjegjësisë. Shqipëria për të parin vit nuk ishte më vend origjine për kultivimin e lëndëve narkotike. Sot ju thatë se një avion tjetër është nisur nga Shqipëria. Unë kam kuesturën e Policisë së Italisë, avioni është nisur nga Torino për në Leçe. Cfarë pune ka këtu Policia shqiptare dhe unë si ministër. Unë nuk kam ndërmend të harxhoj 1 sekondë të vetme të merrem me tollovinë publike që kërkoni ju. Nëse ndonjëri prej jush i del përpara policisë do të mbajë përgjegjësi ligjore. Ne këtë e kemi treguar.” u shpreh Ministri Tahiri









