Për avionët që vijnë nga Italia dhe mbushen me drogë në zona të caktura të Shqipërisë, ka pasur dijeni në disa raste dhe Shërbimi Informativ Shqiptar. Në të paktën 6 raste ky shërbim i është drejtuar Policisë së Shtetit me shkresa konkrete për praninë e avionëve në zonën e Fierit, Malësisë së Madhe, Vlorës dhe Lezhës, se nga banorë të zonës është parë prezenca e avionëve të vegjël që janë ulur në tokë dhe më pas janë ngritur sërisht në fluturim duke u larguar.
Siç raporton Shqiptarja.com, këto informacione operative, mësohet t’i kenë mbërritur krerëve më të lartë të policive nëpër qarqe, por duket se asnjë nga avionët nuk është arritur të ndalet nga policia e shtetit. I vetmi që u arrit të ndalet është ai i italianit Giorgio Riformato, i cili pësoi aksident pasi ju këput njëra nga gomat e para dhe se nuk kishte mundësi të ringrihej.