Dalin rezultatet e autopsisë së 20-vjeçares shqiptare Anxhela Meçani e cila humbi jetën tragjikisht në Itali pasi ‘fluturoi’ nga një automjet në ecje. Sipas Torino Today, Anxhela Meçani punonte si një prostitutë dhe ajo nuk është rrahur apo goditur para se të përfundonte në asfalt nga makina.
Rrjedhimisht dëmet që ajo ka pësuar kanë qenë pikërisht për shkak të impaktit me asfaltin. Ky është konkluzioni i deritanishëm i dalë nga mjeku Roberto Testi, i caktuar nga prokurorët për të kryer autopsinë.
Por autopsia nuk mund të zbulojë nëse vajzën e hodhën nga mjeti, u hodh vetë apo u rrëzua aksidentalisht.
Tashmë mbetet të vërtetohet nëse e reja ka qenë në makinë dhe është hedhur apo nëse një makinë e ka goditur pasi ajo ka përfunduar në rrugë.
Ra keqas, ndoshta pas një zënke? U godit nga vetura (vullnetarisht ose pa dashje)?
Këto janë disa nga pyetjet e ngritura që shtron media lokale referuar mistereve që nuk kanë përgjigje.
Hipotezat e hapura në njëfarë mënyrë shtojnë akoma më shumë misterin e vdekjes së Anxhela Meçanit.
Ndërkohë familjarët dhe prindërit e 20 vjeçares mohojnë se e bija ishte prostitutë në Itali. Ata shprehen se vajza e tyre kishte shkuar në dhjetor me një të ri nga Fieri dhe ishte martuar me një italian për të arritur të marrë dokumentat italiane./a.m.