Kjo ka qenë ndoshta vera më e nxehtë e 25 viteve demokraci në Shqipëri. Shkaku ka qenë reforma në drejtësi, një proces i gjatë e i mundimshëm për ndërkombëtarët, ekspertët vendas dhe sidomos për publikun shqiptar. I cili i lodhur nga loja politike kërkonte me çdo kusht votimin e reformës (sondazhet tregonin se mbi 90% e shqiptarëve duan reformën në drejtësi), njëlloj siç bënte me këmbënguje edhe faktori apo mazhoranca parlamentare që ishin tërësisht të bashkuar në këtë proces.
Padyshim që rraskapitës ka qenë edhe për opozitën, e cila po ta analizosh nga fillimi në fund ka qenë ajo që ka marrë të gjithë “kartonat e kuq” nga ndërkombëtarët. Aq sa në një moment filloi të ankohej me argumetin qesharak se “Rama paska blerë SHBA-në dhe BE-në”. Përpos gjithë zvarritjes së lodhshme që tanimë e njeh i madh e i vogël dhe me gjithë ndarjen e pastër pro reformës dhe kundër saj nga ana e politikës, Berisha nuk heq dorë së provokuari.
Duke synuar të sulmojë kryeministrin Rama, Berisha tha se “Nuk jeni thyer nga ne ju, jeni thyer nga ato qeveri që kreu juaj ju thoshte se “i kam me vete”. Ai ju thoshte se i ka me vete dhe pas dy orësh merrte kartonin e kuq.” Natyrisht që në pozitën ku ndodhet, përballë ndërkombëtarëve që e kanë thënë e stërthënë se janë palë me ata që mbështesin reformën dhe përballë pasojave që mund të ketë nga reforma, doktori do kërkojë për alternativa të reja shpëtimi.
Mirëpo dje teksa vijoi të qëndrojë stoik kundër reformës në drejtësi, pa kuptuar ai hapi sërish një debat që nuk është aspak në favor të tij. Edhe më e rrezikshme ishte sepse e bëri ditën kur do të votohej “Vettingu”, projektligji më i rëndësishëm i reformës. Dhe doktori nuk bën asgjë pa menduar.
Por, për të kuptuar më mirë se pse Berisha dje bëri një autogol të rrezikshëm për të dhe për PD duhet të kujtojmë deklaratat e SHBA-ve, të cilat tregojnë shumë qartë se “me kë kanë qenë” dhe “me kë janë”.
S’do mend që SHBA apo BE nuk janë as me PS, as me PD. Janë thjeshtë dhe vetëm me vlerat dhe parimet e demokracisë. E kur një ose disa parti politike janë në unison me këto vlera dhe parime, SHBA/BE i konsideron si aleatë. Kur një apo disa parti janë kundër vlerave dhe parimeve, konsiderohen si rreziqe për demokracinë. SHBA/BE japin mesazhe diplomatike për të treguar se çfarë duhet të bëjë politika, por edhe mesazhe jodiplomatike që janë si shuplaka në momente jetike për demokracinë dhe të drejtën.
E nisur nga kjo praktikë e thjeshtë kuptohet fare mirë se “me kë janë” SHBA/BE. Kuptohet po aq mirë se kujt ju drejtua kartoni i kuq me kërcënimin një ditë para votimit të reformës me “futjen në “Listën e zezë” të atyre që se votojnë reformën në drejtësi”.
U kuptua fare mirë se cili mori karton të kuq kur ambasadori Lu deklaroi hapur se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi. Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Z. Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar.”
E ndërkohë që kryeministri Rama kishte dhënë votën për çdo propozim që merrte “OK” nga ndërkombëtarët kartoni i radhës nga SHBA ndaj Bashës do të ishte “E lodhët popullin me lojëra, votoni reformën”.
Nuk do ndalej me kaq furia e kartonave kur politika tha se është gjendur konsensusi më mesditën e 20 korrikut, e në darkë PD do e prishte sërisht atë. Ky moment do të ishte kulminanti kur jo vetëm ambasada, por vetë Shtëpia e Bardhë do t’i jepte Bashës kartonin e kuq si kryetar partie dhe si politikan duke u shprehur se “Ambasada e SHBA është e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, Z. Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme. Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë. Paketa e reformës është gati dhe përmbush të gjitha standardet e Komisionit të Venecias, SHBA dhe BE. Nëse Z. Basha nuk i përmbush dot premtimet e tij, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu bën thirrje anëtarëve të parlamentit individualisht ta miratojnë këtë reformë më 21 korrik” – thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-ve.”
Pikërisht sepse politika e Berishës ka marrë të gjithë kartonat e kuq duke mos mundur të lërë asnjë karton nga ana e kundërshtarit, mund të thuhet pa drojë se doktori dje gaboi rëndë që e hapi këtë temë, e cila sa herë hapet i jep karton të kuq vetë atij.
Si çdo herë edhe pas kësaj deklarate të Berishës dje, SHBA/BE i dhanë atij kartonin e kuq kur deklaruan pas votimit të Vettinut se mirëprisnin votimin dhe përgëzonin deputetët që e votuan projektligjin.
“Ambasada e Shteteve tё Bashkuara mirёpret vendimin e Parlamentit tё Shqipёrisё pёr tё miratuar ligjin e parё pёr zbatimin e reformёs nё drejtёsi. Ky ligj i rёndёsishёm do tё fillojё procesin e rivlerёsimit tё prokurorёve dhe gjykatёsve. Pёrgёzojmё ata Anёtarё tё Parlamentit tё cilёt votuan nё favor tё kёtij hapi tё rёndёsishёm pёr zbatimin e amendamenteve kushtetuese tё aprovuara unanimisht mё 22 korrik. Presim tё shohim aprovimin e plotё dhe nё kohё tё ligjeve tё tjera pёr zbatimin e kёsaj reforme kritike qё gёzon mbёshtetjen e shumicёs dёrrmuese tё shqiptarёve.”, shkruhej në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve dje pas votimit të “Vettingut” nga Kuvendi pa votat e opozitës.
Ndërsa Eurialius duke përshëndetur ata që e votuan theksoi se: “Me zbatimin e ligjit do të bëhet vlerësimi i gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, këshilltarë ligjorë në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë, asistentë ligjorë në gjykatat administrative dhe asistentë ligjore në Prokurorinë e Përgjithshme. Procesi i vlerësimit do të bazohet në kontrollin e pasurisë dhe lidhjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ky ligj i hap rrugë rritjes së besimit të qytetarëve te gjyqësori”.
Sa më lart kuptohet qartë se Berisha ka qenë, është dhe do të mbetet kundër politikës së SHBA/BE edhe në projektligjet e ardhshme. Jo sepse ai është një njohës i mirë i ligjit, as se do drejtësinë që vetë ai e degradoi në këtë pikë. Por sepse të qënit kundër tyre është e vetmja mënyrë për të shtyrë sa të mundë pasojat e drejtësisë mbi vetë atë.
Lexo.al