Austria përgëzon Shqipërinë për reformat që po ndërmerr, sidomos për ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Ministri i Drejtësisë së Austrisë Josef Moser vlerësoi ecurinë që ka bërë Shqipëria në reformimin e sistemit të drejtësisë. Moser tha se reforma ne sistemin e drejtësisë po krijon të gjitha premisat që Shqipëria së shpejti të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian dhe do të duhet që vetë shtetet anëtare të promovojnë rezultatet e reformave të ndërmarra nga Shqipëria.
Këtë deklaratë Ministrë i Drejtësisë së Austrisë Josef Moser e bëri gjatë takimit me Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj në Vjenë në Austri.
Edhe Georg Stawa, Drejtor i Departamentit për Strategjinë, Konsulencat dhe Menaxhimin e Informacionit në Ministrinë e Drejtësisë së Austrisë, shprehu vlerësim për përparimin dhe angazhimin e shtetit shqiptar, në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Gjithashtu Dieter Hampel, Kryetari i Bordit të Agjencisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (AED) dhe Helmut Weichhart, Lider i Projektit të Binjakëzimit në luftën kundër korrupsionit vlerësuan angazhimin e autoriteteve shqiptare për ndërmarrjen e reformave të rëndësishme në rrugën drejt Bashkimit Europian, dhe veçanërisht zbatimin e reformës në drejtësi dhe rritjen e luftës kundër korrupsionit.
Gjatë vizitës zyrtare në Austri, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tregoi ecurinë e reformave dhe luftën kundër korrupsionit që ka ndërmarrë qeveria shqiptare.
Më herët Ministrja e Drejtësisë nënshkroi edhe një marrëveshje me Homologun austriak Josef Moser e cila do të risë cilësinë e ligjbërjes së Ministrisë së Drejtësisë. (TCH)