Zbardhen të tjera detaje nga atentati i të dielës në mbrëmje, ku u ekzekutua me pesë plumba 32-vjeçari Emiljano Boçi pranë ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë.
Shoku i tij, i cili mbeti i plagosur, Melvi Disha të martën është marrë në pyetje nga policia në ambjentet e Spitalit të Traumës aty ku dhe po merr mjekim. Ai mori një plumb në shpatull, ndërsa bashkë me të atentatit i shpëtoi edhe e dashura e Emiljano Boçit.
Në dëshminë e tij përpara uniformave blu, 27-vjeçari ka thënë se nuk ka mundur të shquajë personin që ka qëlluar. Sipas tij, autori ka hapur zjarr në momentin kur ata janë futur brenda në makinë.
“Pasi dolëm nga lokali u drejtuam drejt makinës dhe nuk pamë asgje te pazakontë. U ula te sedilja e pasme pas shoferit. Sapo u futëm në makinë na qëlluan. Kur më preku plumbi jam shtrirë në sedile dhe kam mundur të lëviz vetëm disa minuta pasi përfunduan të shtënat. Nuk e kam idenë kush mund të jetë autori”, ka thënë ai përpara grupit hetimor raporton Shqiptarja.
Policia nuk ka ende një version zyrtar për ngjarjen, por nisur nga dinamika si ka ndodhur atentati i mirëorganizuar, dyshohet se shkak janë bërë konfliktet në të shkuarën, ku Boçi ka qenë i dënuar për plagosje dhe pazaret e drogës. Emiljano Boçi lëvizte vazhdimisht në Holandë dhe Gjermani ku mendohet se merrej me trafik të lëndëve narkotike. /a.m.