Pesë të arrestuarit si pjesëmarrës në atentatin e 1 Nëntorit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, Pëllumb Muharremit dhe shoferit Andi Maloku, që mbeti i vrarë, ende nuk janë pyetur nga SPAK.
Burime nga struktura e posaçme bënë me dije se deklarimet e Genti Ndërjakun i njohur edhe me emrin Kili, Bashkim Haxhijat, Marsel Deçkës, Endrit Sinanit dhe Juljan Pjetri pritet të merren në ditët në vijim.
Përmes dëshmisë së tyre, hetuesit kërkojnë të rihapin dhe dosje të ngjarjeve të rënda kriminale që prej vitesh janë pa autor.
Mesazhet e enkriptuara të sjella nga autoritetet franceze mes personazheve të botës së krimit dhe përgjimet telefonike të kryera pas atentatit, implikuan 9 persona për të cilët gjykata lëshoi urdhër-arreste.
Pesë prej tyre u vunë në pranga ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim, mes të cilëve Plarent Dervishaj, Ramazan Rraja, Julian Meçaj dhe një person tjetër me inicialet D.SH.
Mes bisedave të vëna në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme, dalin të dhëna lidhur me ngjarje të tjera kriminale që tashmë po analizohen nga SPAK.
/s.f











