Atentati ndaj emigrantit, Shorja pranon se ishte ideatori, shfajëson të fejuarën
Gjykata e Tiranës, dha masën e arrestit ‘burg pa afat’ për Julian Shorjan të dyshuarin që po përgatiste një atentat ndaj një emigranti ndërkohë që liroi Rivjola Tomën të fejuarën e tij.
Në seancën me dyer të mbyllura, mësohet se Shorja ka përjashtuar nga përgjegjësia të fejuarën 26-vjeçare, duke thënë se ideatori dhe zbatuesi i atentatit me minë të telekomanduar ishte ai.
Shorja ka mohuar kategorikisht përfshirjen e Riviola Tomës, por dhe dyshimet se ajo do të përdorej në atentat, duke joshur viktimën.
Për këtë, por edhe mungesës së provave që e lidhin me atentatin, Gjykata e Tiranës caktoi masën e detyrimit të paraqitjes për Tomën, kjo për shkak se 26-vjeçares iu gjend hashash në banesë.
Çifti i të fejuarve u arrestua mbrëmjen e së martës, ndërkohë që nga kontrollet policia gjeti në shtëpinë e Shorjas 2 kapsolla detonatorë municione luftarake dhe hashash të mbjellë në vazo.









