Ish-pronari i fabrikës së tullave në Vorë, Tofik Hyka është qëlluar me plumba në kokë dhe pranë zemrës, por ka shpëtuar mrekullisht. Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi”, në kryeqytet. Sipas dëshmitarëve okularë, në momentin e krimit, 56-vjeçari ishte në një lokal në shoqërinë e një mikut të tij. Menjëherë pas krimit të rëndë, që tronditi jo vetëm banorët e zonës, Hyka u dërgua në Spitalin e Traumës.
Ishin dëshmitarët okularë ata që njoftuan uniformat blu për të shtënat me armë dhe se në lokal kishte mbetur një i vrarë. Nga hetimet paraprake, por edhe sipas dëshmitarëve, objektivi u qëllua nga dy persona të cilët ndodheshin në një motor. Me të marrë sinjalin, në vendin ku u raportua për ngjarjen mbërritën forcat e policisë, duke ngritur edhe pika të shumta kontrolli. Ndonëse nga telefonata në polici ishte raportuar se bëhej fjalë për një të vrarë, vetëm pak minuta pas krimit, njëri prej mjekëve të Spitalit të Traumës tha se Hyka kishte marrë dy plumba, një në kokë e një tjetër në gjoks, në afërsi të zemrës, dhe ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja
Ishte ora 10:25 kur dy persona, të cilët udhëtonin me një motor, qëlluan me armë zjarri në drejtim të 56-vjeçarit Tofik Hyka. Ky i fundit ndodhej i ulur në një lokal në rrugën “Gjin Bue Shpata”, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Autorët, sapo kanë pikasur objektivin e tyre, kanë qëlluar 4 herë në drejtim të tij. Dy prej plumbave e kapën atë në kokë e në trup, ndërsa atentatorët u larguan menjëherë prej andej. Sipas dëshmitarëve, personat që qëlluan me armë kishin skafandra në kokë, çka e bënte të vështirë identifikimin e tyre. 56-vjeçari nga Tirana, prej disa vitesh jetonte në Francë së bashku me familjen e tij, dhe vetëm pak kohë më parë ishte kthyer në Shqipëri. Burime pranë policisë bënë me dije se kanë dyshime se atentatorët kanë pasur dijeni për lëvizjet e tij, deri në momentin e djeshëm që e kanë pikasur në lokal. Vendi ku ndodhi krimi është tejet i populluar dhe i pajisur me kamera të shumta sigurie, por me sa duket kjo gjë nuk i ka ndalur autorët që të qëllojnë biznesmenin. Duke u nisur nga dinamika e ngjarjes, por edhe nga mënyra se si Hyka është qëlluar me një plumb në kokë, burimet shtuan më tej se atentatorët e kanë dashur biznesmenin të vdekur. Kjo pasi, nuk është hera e parë që 56-vjeçarit i bëhet atentat me armë zjarri. Ndërkaq, menjëherë pas krimit të rëndë, forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes dhe nisën punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve. Përveç dëshmitarëve okularë, në polici u shoqëruan edhe disa persona të tjerë si të dyshuar, disa prej të cilëve u kapën në afërsi të “Komunës së Parisit” duke lëvizur me motor. Burimet e lartpërmendura sqaruan se numri i të shoqëruarve është më shumë se 20 persona dhe njëri prej tyre dyshohet të jetë edhe njëri prej autorëve të krimit. Mësohet se deri në orët e vona të mbrëmjes, policia nuk kishte asnjë të arrestuar për plagosjen e rëndë, ndërsa kishin sekuestruar edhe pamjet e disa kamerave të sigurisë të zonës përreth. Nga kamerat vihet re se në motor ndodhen dy persona, dhe sapo i janë afruar lokalit, njëri prej tyre duket që qëllon me armë teksa janë në ecje. Ndërkaq, në një prononcim nga vendi i ngjarjes, Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veli tha se janë shoqëruar disa persona lidhur me ngjarjen kriminale. “Rreth orës 10:25, te numri i emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Gjin Bue Shpata”. Menjëherë janë nisur shërbimet e policisë, të cilët kanë konstatuar se në verandën e një lokali, është qëlluar me armë zjarri shtetasi T. H., rreth 56 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Nga hetimet paraprake dyshohet se kanë qenë dy autorë, të cilët janë larguar me një motor. Gjithashtu janë sekuestruar pamjet filmike përreth vendit të ngjarjes dhe do sekuestrohen edhe pamjet filmike në të gjitha rrugët e mundshme ku mund të kenë lëvizur autorët. Janë shoqëruar disa dëshmitarë okularë në vendngjarje”, – pohoi ai. Po ashtu, kontrolle të imtësishme u zhvilluan edhe në parkingje automjetesh, garazhe etj., ku dyshohet se mund të ishte parkuar motori me të cilin kanë lëvizur autorët.
Pistat e hetimit
Policia është duke e hetuar atentatin e përgatitur ndaj biznesmenit Hyka në 3 pista. Sipas burimeve, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të ndonjë konflikti të mundshëm në biznes, për shkak të borxheve të mundshme që ai mund të ketë pasur në kohën që ishte pronar i fabrikës në Vorë, apo përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme. Mësohet se Hyka ishte detyruar ta mbyllte fabrikën e tullave për shkak të borxheve të shumta dhe problemeve që kishte me pagesat e punëtorëve. Pista tjetër e hetimit lidhet me gjakmarrjen, pasi në vitin 1995 ai është përfshirë në vrasjen e Dritan Avdulit, i njohur si i forti i Shijakut, i cili u vra nga vrasësi me pagesë Durim Kusi. Kjo ngjarje u pasua me një seri vrasjesh ndër vite. Njeriu që çoi në pritë Dritan Avdylin do të eliminohej në mes të Shijakut nga djali i xhaxhait të Dritan Avdylit. Ndërsa disa vite më pas, Durim Kusi do të eliminohej në Tiranë nga djali tjetër i xhaxhait të Dritan Avdylit. Në atë kohë, Hyka u dyshua si porositësi i vrasjes. Ndërkaq, burimet e sipërpërmendura thanë dje për “GSH”se atentati ndaj Hykës mund të jetë përgatitur edhe për shkak të ndonjë konflikti që ai mund të ketë pasur në Francë kohët e fundit, aty ku jeton prej disa vitesh.
Miku i biznesmenit: Tofikun ma qëlluan para syve, më kërkoi ndihmë
Policia e Tiranës shoqëroi për të marrë në pyetje mbi 20 persona. Burime pranë hetuesve të çështjes pohuan dje, se të shoqëruar ishin dëshmitarët okularë, miku me të cilën Tofik Hyka ishte duke pirë kafe, si dhe persona që dyshohet të jenë të përfshirë në krim. Sipas të njëjtave burime mësohet se dëshmitarët okularë që panë skenën e ngjarjes, ku 56-vjeçari mbeti i plagosur në gjendje të rëndë, ishin të shumtë. Ata pohuan në polici se pranë lokalit u afrua një motor në të cilin ndodheshin dy persona me skafandra, dhe pasi qëlluan me armë teksa ishin në ecje, u larguan menjëherë prej andej. Në polici dëshmoi edhe miku me të cilën Hyka ishte duke pirë kafe në verandën e lokalit. Ai ka treguar se ishte me Tofikun duke konsumuar kafen e mëngjesit dhe se nuk mundi t’i shohë personat që e plagosën 56-vjeçarin para syve të tij. I tronditur, ai ka treguar se pa kur i njohuri i tij po mbulohej nga gjaku dhe se i kërkoi ndihmë për ta dërguar në spital. Ndërkaq, mes të shoqëruarve në polici kishte edhe persona që u kapën në afërsi të stadiumit, si të dyshuar për krimin e rëndë. Ndonëse ata nuk kanë pranuar të jenë të përfshirë në ngjarje, burime pranë policisë pohuan se kanë dyshime që njëri prej të shoqëruarve të jetë njëri prej agresorëve.
Konflikti
Biznesmeni që mbeti dje i plagosur me plumb në kokë e afër zemrës, ka pasur edhe një konflikt pronësie me vëllain e tij Sinan Hyka. Ky i fundit, më datë 14 qershor të vitit 2012, ka bërë një padi civile në Gjykatën e Tiranës ndaj vëllait të tij, Tofikut. Ai kërkonte që të njihej si pronar i një toke me sipërfaqe 350 metra katrorë në fshatin Lalm të Tiranës. Gjykata vendosi që Sinani të njihet si pronar i pjesës së tokës që i takon. Por këtë vendim, Tofik Hyka e ankimoi në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe në 2014-ën u vendos që Sinani të jetë pronar i tokës që i takonte.
gsh.al