Detaje të reja janë zbardhur nga atentati ndaj Ardian Çapjas ‘koka’ e fisit Çapja të njohur në Elbasan. Sipas burimeve të Report Tv, grupi hetimor ka marrë filmimet e kamerave të sigurisë të një biznesit në zonën e Fushë-Mbret.
Në kamera dallohen 3 persona të maskuar, secili me pistoletë të dorë, të cilët kanë dalë nga makina e përdorur në ngjarje Wolsvagen Sharon, të cilën i vunë dhe flakën.
Nga filmimet duket se në ikje e sipër, një nga personat ka lyer me benzinë makinën e ngjarjes dhe i ka vënë flakën. Më pas autorët janë larguar me një automjet tjetër po Wolsvagen Sharon. Megjithatë nuk dihet ende nëse makina që mori autorët ka marrë drejtimin nga Tirana apo në zonën e Peqinit.
Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar edhe 20 persona që mendohet se mund të kenë dijeni apo informacione në lidhje me atentatin e tretë të bërë ndaj Ardian Çapjas.
Si ndodhi atentati i tretë ndaj Ardian Çapjas?
Ardian Çapja, 55 vjeç, u qëllua me armë zjarri, snajper ushtarak në një atentat të mirë organizuar, pranë shtëpisë, ngjitur me hotel ‘Univers’-in në pronësi të tij në hyrje të qytetit të Elbasanit në zonën e Krastës. Pavarësisht se zona kontrollohet nga familja Çapja ku të gjitha lëvizjet monitorohen me kamera sigurie, autorët arritën që të depërtojnë për herë të tretë, por nuk ia arritën qëllimit.
Çapja mori një plumb në shpatullën e majtë, pranë zemrës. Në momentin që u rrëzua dhe ra në tokë mori edhe një frakturë në kokë. Ai u dërgua në Tiranë te ‘Trauma’ nën masa të rrepta për ndihmë më të specializuar. Operacioni zgjati rreth dy orë, ndërsa gjendja e tij paraqitet kritike, pasi humbi shumë gjak.
Dy janë pistat si u realizua atentati kundër Ardian Çapjas, i pari është varianti se autorët kanë goditur Ardian Capjan nga brenda makinës, ndërsa i dyti është fakti se është mbajtur në vëzhgim për një kohë të gjatë nga një distancë e largët, prej kodrës së Krastës.
g.kosovari