Nga Blend Çobani/
Konkretisht fjala është për dy apo tre votime në kundërshtim me Amerikën në OKB. Shumë shqiptarë kanë patur dhe kanë të bëjnë me Amerikën. Jetojnë përgjithmonë ose përkohësisht atje, kanë qenë atje, kanë të afërmit, shokë, miq, komshinj, të njohur e të panjohur, shumë lidhje. Shumë të tjerë po përgatiten për këtë. Për Amerikën thuhet “Toka e Premtuar”. E tillë është. Vend i oportuniteteve të mëdha, të jashtëzakonshme, vendi i mosdiskriminimit, vendi ku ti fiton gjyqin kundër presidentit, vend mikpritës, vendi ku ti e shikon tjetrin krejt të panjohur drejt e në sy dhe ai të buzëqesh, pa ndroje, pa frikë, pa sindromin e të qenit i huaj tek lagjja, rruga, godina, etj. Vendi i punëtorëve të mëdhenj, i gjërave të mëdha, i prodhimit kolosal. Vendi ku shumë shqiptarë shkëlqyen në revistën e madhe të kohës, ku mund të përmenden shumë e shumë figura e personalitete, të cilët një pjesë shkuan të formuar ose u formuan atje. SHBA është suporti i madh i pazëvendësuseshëm i Shqipërisë së vogël në gadishullin Ilirik(ballkanik, një toponim osman mbetur padrejtësisht për këtë pjesë të Evropës). Edhe Vuçiç deklaronte para disa ditësh se Amerika është për Kosovën edhe nënë edhe babë(kjo sigurisht për gjithë Kombin Shqiptar). Është shumë e vërtetë që Perandoria Austro Hungareze, u kujdes në fundshekullin e 19 dhe fillim të atij të 20, për lindjen e një shteti të ri me emrin Shqipëri, madje me kufij disa herë më të gjerë se ky format i cunguar keqazi që paraqitet sot e 106 vjet, por pas daljes nga skena historike të asaj perandorie, ishte një “perandori” tjetër e hyrë rishtaz, por tashmë republikane dhe më modernja e kohës, më dinamikja, më e fuqishmja që mori me dashuri dhe dëshirë patronazhin e këtij shteti të vogël e të pambrojtur, ishte Amerika. “Republika e Madhe Amerikane”, siç thoshte Mid’hat Frashëri. Asnjëherë Amerika dhe burrështetasit e saj nuk u lëkundën në mbrojtjen dhe përkrahjen e këtij shteti të ri të lindur përgjakshëm dhe gjymtueshëm nga Konferencat e errëta evropiane të fundshekullit të 19 dhe fillimshekullit të 20. Ata e thanë fjalën e fundit në Konferencën e fitimtarëve në Paris në 1919 dhe ajo “Fjalë e Artë” mjaftoi që ky shtet pa shtet, të mbetej në hartën e Botës. Ishte presidenti i 28 i SHBA, Woodrow Wilson, i cili me ndërgjegje, me kulturë, me formim mjaft të lartë demokratik e objektiv, dhe patjetër me frymëzim e ndriçim nga Zoti, vendosi të mos lejojë midis të tjerash që të zhdukej Shqipëria, që ti merreshin edhe të tjera territore dhe të coptohej më keq se ç’ishte coptuar më 1878 në Traktatin e Berlinit ku osmanët shitën trojet e shqiptarëve për të shpëtuar minderet e Stambollit dhe në Konferencën e zezë të Londrës ku u vu kazma e fundit për shqyerjen e gjymtimin e Shqipërisë për të kënaqur çakejtë ballkanikë. Pra Presidenti i Amerikës e mbrojti Shqipërinë, të paktën këtë që është sot. Kaq mjafton përjetësisht. Si qytetar i Shqipërisë po të kisha mundësi do t’i propozoja me shumë bindje dhe dëshirë Kuvendit të Shqipërisë, që monumenti i Presidentit Wilson të vendosej përveç Tiranës edhe në 6-7 qytetet kryesore të Shqipërisë nga Shkodra deri në Gjirokastër, në sheshe kryesore dhe në format madhështor. Ne kemi mjaft njerëz të shquar që kanë dhënë shumë për Kombin, por (për mua) Presidenti Wilson është më i madhi, Vendimtari.
Në vazhdim edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, të dërguarit ushtarakë amerikanë ishin ku e ku më objektivë se sa të tjerët. Këtë e pranon edhe vetë Enver Hoxha në defteret e tij. Në fotot e kohës shfaqet ky i fundit krah për krah me kryemisionarin ushtarak amerikan duke parakaluar triumfator në Tiranë në 1944. Pa asnjë diskutim që ata e dinin se cilët ishin fitimtarët e Luftës, por kjo shfaqje bëhej për Shqipërinë dhe jo për grupin politik që po hynte rishtas në skenën politike të kohës me yllin e kuq sovjetik në ballë.
Vërtet marrëdhëniet bilaterale nuk ekzistonin që prej 1946, por qeveritë amerikane të të gjitha krahëve dhe kohrave, në thellësitë e politikave të tyre asnjëherë nuk e kanë diskutuar integritetin e Shqipërisë dhe kanë garantuar gjithmonë paprekshmërinë e saj. Pavarësisht regjimit politik që sundonte në Tiranë, ekzistenca e Shqipërisë si një e tërë ishte një gjë tjetër. Këtë e dinte mirë edhe udhëheqja komuniste në Tiranë, pavarësisht se brenda vendit trumbetohej gadishmëria ndaj “sulmit imperialist”. Për kuriozitet historik dhe kjo tingëllon dukshëm paksa e çuditshme, asnjëherë qeveritë amerikane të pas Luftës së Dytë Botërore nuk kanë bërë kërcënime për të sulmuar Shqipërinë ushtarakisht pavarësisht përkatësisë së saj politike dhe ushtarake, duke qenë me dashje ashtu edhe në atë lloj formati heshtazi dashamirëse dhe kuptuese se për ta prevalon Shqipëria dhe të tjerat, politikat, shkojnë e vijnë. Vizione dhe thellësi e jashtëzakonshme politike e strategjike, por nga ana tjetër edhe shfaqje e një afeksioni historik. Ata e dinin pa një pa dy, se rënia e komunizmit në Moskë do sillte reaksionin zinxhir edhe në Tiranën e varfër e pa përkrahje. Është domethënëse dhe kuptimplote shprehja e Presidentit Richard Nixon, në fillim vitet ’70 të shekullit të kaluar se “….brenda një kohe të shkurtër do vizitoj Pekinin dhe Tiranën…..”!! E pra kur ai u shpreh kështu dy vendet kishin afro 30 vjet që i kishin ndërprerë marrëdhëniet dhe udhëheqja e Tiranës krekosej si gjel pa pupla se ishte “fanari ndriçues”, “shkëmb graniti”, për “mbrojtjen e çeliktë” e turli soj broçkullash delirante, por kthjellohej për bukuri kur vinte puna tek përballja direkte. Kur në Mesdhe patrullonte madhështore ose kryente manovra Flota e 6 e SHBA me Komandë në Napoli, në Tiranë tullumbackat kineze shfryheshin, harroheshin sharjet, mallkimet dhe mburrjet për fuqinë e pathyeshme të ushtrisë popullore dhe kinse merreshin menjëherë me fushatën e korrje shirjeve ose me tejkalimin e planit industrial. Po ashtu edhe pak më vonë në vitet 80 edhe Presidenti Ronald Reagan kur u shpreh se “…jemi të interesuar që Shqipëria të mbetet në këto pozita që është sot….”. Asnjëherë në përkrahje të komunizmit, absolutisht jo, por të pozitave të një vendi antisovjetik, pavarësisht sistemit politiko ekonomik të njëjtë. Të tilla lëvizje kuptimplota amerikane vihen re të ravijëzuara gjatë gjithë viteve të luftës së ftohtë.
Pra këto e plot të tjera tregojnë se amerikanët gjithmonë na kanë parë, na kanë pozicionuar si të veçantë, na kanë quajtur të afërt, si shqiptarë, duke na vlerësuar si faktor në gjeopolitikën rajonale dhe globale. Jam 100% i sigurtë se analistët e thinjur në Washington e perceptonin mjaft mirë dashurinë e madhe që ushqente populli i vogël shqiptar për Amerikën dhe nuk e ngatërruan kurrë atë me demagogjinë bajate e fallso të pushtetmbajtësve. Kulmi i kësaj dashamirësie dhe përkrahje arriti në lëvizjet politike diplomatike të fillim viteve ’90 dhe më pas me çeljen e menjëhershme të prezencës diplomatike në Tiranë. Kjo përpjekje e jashtëzakonshme kulmoi në fundin e shekullit të 20-të, kur Presidenti Klinton urdhëroi çlirimin e madh të territoreve kombëtare shqiptare nga frankenshtajni i gjakosur jugosllav, duke konturuar në këtë mënyrë dy shtete shqiptare në gadishullin Ilirik dhe shfaqjen më të fuqishme se kurrë më parë të kombit dhe popullit shqiptar në këtë arenë të mbjellë më urretje, padrejtësi, grabitje territoresh dhe lumenj gjaku pafund. E përsëri para 10 vjetësh në fillimet e shekullit të 21, Presidenti Bush kurorëzoi me vendosmëri pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe një vit më pas Presidenti Obama na mori përdore e na uli pothuajse pa asnjë meritë të veçantë në tryezën e aleancës politike dhe ushtarake më të fuqishme të Botës, NATO. Edhe tani në kohët e sotme Amerika është prapa reformës në Drejtësi por edhe direkt në sallat e gjyqeve, kudo.
Kjo është pra Amerika, mbrojtësja dhe kujdestarja jonë e madhe, roja kombëtare e Shqipërisë dhe Kombit shqiptar në këtë pjesë të Evropës, e rreptë por edhe e dashur. Po ne?! Si i përgjigjemi kësaj mbështetje të paparë dhe të pandjerë kurrë më parë. Paradoksalisht me votimin herë pas here në krahun e kundërt të Amerikës. Ajo kërkon kaq pak dhe ne…..??!!! E çuditshme, por e vërtetë. Këtë unë personalisht nuk e kuptoj dhe për më saktë nuk dua ta kuptoj. Nuk dua të kuptoj asgjë që është antiamerikane. Kështu ka ardhur puna. Vërtet Shqipëria dhe kombi shqiptar gjenden në Evropë, madje të vërtetuar shkencërisht si më të lashtët këtej pari, e normalisht aspirimi ynë historik është integrimi në strukturat e këtij kontinenti. Por Amerika duhet të mbetet e para. Absolutisht po, duhet. Le të ketë kjo edhe kosto në “procesin e integrimit”, një togfjalësh shurdhues dhe i lodhshëm për të gjithë shqiptarët. Mos them atë tjetrën se ngadalë vit pas viti kjo ëndërra e integrimit po zbehet në subkoshiencën e secilit nga ne dhe tashmë pas 30 vjetëve pothuaj nuk duam asgjë, as integrimin mirazh gati në kalenda, as ato buzëqeshjet e mundimshme artificiale të salloneve që atje tutje në histori copëtuan pa asnjë mëshirë e me plot kënaqësi si copat e një keku me mollë tokat dhe hapësirat e kombit më të vjetër evropian, duke ua dhuruar barbarëve dhe shkatërruesve të qytetërimeve evropiane. Madje për fat të keq kjo sagë poshtërimi vazhdon, e qetë, e paturpshme, cinike, tallëse, kur Kosovës i vihen kushte për heqje vizash dhe ajo i plotëson pa asnjë mëdyshje, e pala tjetër me mungesën më të thellë të seriozitetit në minutën e fundit ndryshon rregullat e lojës, duke deklaruar me buzëqeshje se “ka edhe disa gjëra të tjera”. Atëherë çfarë mbetet? Zhgënjim total, poshtërim total. Dhe kujt, një populli që prej 60-70 vjetësh me pasaportën e një shteti që quhej Jugosllavi, shëtisnin lirshëm në të katër anët e globit. E kjo para polakëve, çekëve, hungarezëve, pale më rumunëve e bullgarëve. Dhe Kosova ka zgjedhur Amerikën, pasi nuk i kanë lënë asnjë mundësi tjetër. Zgjedhja më e mirë.
Unë dua Amerikën, ne duam Amerikën. Vetëm Atë. Vendosmërisht, pa asnjë luhatje. Ne duhet të ndjekim rrugën e dy shqiptarëve të mëdhenj par excellence Imzot Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët pasi ulej perdja e shfaqjes politike të ditës edhe si dy amerikanë të mëdhenj pavarësisht se ishin në pole krejt të kundërta politike, pinin çaj së bashku mbrëmjeve duke diskutuar në gjuhët e vjetra të Lindjes, apo gjermanisht e frëngjisht.
Amerika na mbështet pa asnjë kusht, Amerika është kudo, prapa çdo gjëje, është hija e drejtësisë, e ushtrisë, e sigurisë kombëtare, e mbi të gjitha e shpresës për fuqizimin e mëtejshëm të kombit shqiptar. Është e çuditshme por e vërtetë që amerikanët e kanë të vështirë të buzëqeshin artificialisht, ata kur buzëqeshin e kanë të vërtetë dhe të kundërtën. Amerikanët nuk shtiren, nuk kanë nevojë, janë të drejtëpërdrejtë, janë të ashpër, janë punëtorë të mëdhenj, të thjeshtë të mëdhenj. Për mendimin tim diplomacia më e sinqertë në botë është ajo amerikane. Ashtu janë, ashtu edukohen, të jenë të thjeshtë, punëtorë, të sinqertë dhe të ashpër kur duhet.
Ne shqiptarët kemi shumë ç’të mësojmë nga ata. Shumë, e mbi të gjitha dashurinë e pafund për punën dhe Atdheun. Shqipëria zyrtare dhe ne populli i saj thuhet që jemi më proamerikanët në Botë. Mirëpo kjo duhet vërtetuar gjithmonë e pandalë. Unë personalisht krenohem për këtë, por nuk mjafton vetëm me të thënë. Miqësia është konkrete si ajo ena komunikuese, jep dhe merr. Le të ishin tre shtete në kundërshtim me Evropën dhe pjesën tjetër të Botës, dhe njëra nga këto të treja të ishte Shqipëria. Patjetër që duhet të ishte, se ne jemi këta që jemi vetëm falë Amerikës dhe politikave të saj ndër shekuj tashmë. Personalisht do të ndihesha krenar, shumë krenar. Për mua Shqipëria me vullnet të lirë duhet të gjendet medoemos atje ku gjendet Amerika. Në të mirë e në të keq. Kudo dhe kurdoherë, pa asnjë kusht, pa asnjë justifikim, pa asnjë diskutim. Madje zemra dhe shpirti ma donte që dikush ta propozonte që kjo të sanksionohet edhe në Kushtetutë.
Kuptohet që ato votime kanë qenë krejt konjukturiale, të ftohta dhe të pandjera, por asnjëherë nuk duhet të harrohet se Amerika ka bërë për Kombin Shqiptar ndoshta atë që ka bërë edhe për Kombin Izraelit, kjo e parë në kontekstin e rajonit, gjeopolitikës dhe të tjerave në tërësi. Amerika në perëndim të shekullit të 20 çliroi gjysmën e Kombit shqiptar, e mbathi, e veshi, e ushqeu, e armatosi, e uli në tryezë me më të mëdhenjtë që vetëm nëpër ëndërra i kishim parë, e barazoi me veten. Ku ka më shumë se kaq.
Ky është fati ynë por edhe përgjegjësia jonë që të kesh në ballë dhe në krah shtetin më të fuqishëm të Botës, lokomotivën e ekonomisë botërore, rimorkatorin gjigand botëror.
Paradigmat filozofiko politike mbi qasjet, ruajtjen e raporteve në marrëdhëniet me të tjerët, ekuilibrat, parantezat, suplementet, aleancat fluide, etj si këto, le ti mbajmë me të tjerët, por në asnjë mënyrë me Amerikën. Me Amerikën është e papranueshme të mendohet, të gëlltitet, të dëgjohet, të shikohet, pa le më të ekzekutohet. Mbas saj dhe me të. Pas lokomotivës së saj shikohet dritë në fund të këtij tuneli të errët me emrin e tmerrshëm tranzicion. Nuk ka ndryshe dhe kjo po vërtetohet. Pikë dhe fund.
Nuk jam anti evropian, por jam pro amerikan i sëmurë. Shqipëria dhe Kombi shqiptar të parët, pas tyre e vetme Amerika.
PS: Duke shkruar këtë copëz, më vitalizohej pandalë At Gjergj Fishta, kolosi i madh i ideologjisë shqiptare dhe letrave shqipe, duke menduar njëherazi se sa shumë mungon monumenti i këtij kolosi në atë kopshtin e vockël të korifjeve të Kombit në krah të Sallës së Kuvendit të Shqipërisë, ku gjendet turpërisht edhe ndonjë bust i mediokrietit historik.