Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka publikuar një tjetër video, ku tregon rrugëtimin e BD-së.
Patozi thotë se në tetor të këtij viti BD përcaktoi kundërshtarët dhe aleatët e mundshëm për zgjedhjet e 25 prillit.
Ai thekson se “alternativa e tretë është zgjidhja për Shqipërinë, ndërsa bën thirrje për krijimin e një fronti opozitar mes partish apo lëvizjesh të ngjashme, kundër dy blloqeve të konsumuara PS dhe PD/LSI”.
“Tetor 2020, Bindja Demokratike përcakton si kundërshtarë politikë në zgjedhjet e 25 prillit PS, PD dhe LSI, ndërsa si partnerë të mundshëm forcat politike, që duan dhe do të luftojnë për ndryshimin.
Kushti kryesor për gjithëkënd që do të kandidojë me siglën e saj vendoset të jetë lista 100 përqind e hapur, që do të thotë se mandatet do t’u shkojnë atyre që marrin më shumë vota.
Në funksion të kauzës së vet dhe të objektivave elektoralë, Bindja Demokratike bën thirrje për krijimin e një fronti opozitar mes partish apo lëvizjesh të ngjashme, që të shërbejë si alternativa e tretë në këto zgjedhje, kundër dy blloqeve të konsumuara PS dhe PD/LSI”, nënvizon koordinatori i BD-së.