• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, January 29, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Astrit Hafizi: Unë kam drejtuar Shqipërinë, De Biazi asnjëherë te Italia  

by Java News
22/10/2016 15:28
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Astrit Hafizi nuk është nga ata që e humbet toruan kollaj, por as nga ata që mund t’ia mbyllësh gojën me ndonjë kritikë të ashpër. “Kam thënë gjithnjë atë që mendoj dhe do ta bëj këtë sa herë të mendoj se kam të drejtë. Koha i gjykon gjërat”, thotë ai për “Panorama Sport”.

I referohet De Biazit në fakt që një ditë më parë e pat kritikuar ashpër shkodranin duke e cilësuar aspak pozitiv ndaj tij dhe Kombëtares dhe duke lënë të kuptohet se Hafizi është xheloz ndaj rezultateve që ka marrë italiani në krye të përfaqësueses kuqezi.

“Nuk mund të kem kurrsesi xhelozi kur po drejtojmë një skuadër në dy epoka krejtësisht të ndryshme. Kush ka mend e kupton këtë. Por ne presim që të huajt dhe në veçanti italianët të reflektojnë edhe një kulturë ndryshe në krye të ekipit përfaqësues dhe jo të fyejnë kolegët e tyre”, vazhdon më tej ish-trajneri i kuqezinjve.

Hafizi, a jeni në dijeni të deklaratës që ka dhënë De Biazi për ju?

Po, sigurisht që po. Është për të ardhur keq mënyra se si shprehet.

E thoni këtë sepse ju ka kritikuar juve?

Absolutisht jo. Nuk ishte kritikë, ishte fyerje…

Pse mendoni se ishte fyerje?

Sepse askund në botë nuk ndodh që trajneri i një ekipi kombëtar të sulmojë paraardhësit e tij, cilatdo qofshin rrethanat. Unë nuk e kam fyer asnjëherë De Biazin, por nuk do të hesht kurrë kur kam një mendim të ndryshëm nga ai. Nuk ma ndalon dot as De Biazi dhe askush këtë.

Z.Hafizi, ç’mendim keni ju për De Biazin?

Së pari, unë mendoj se pjesë e asaj mrekullie që ndodhi së fundmi me Kombëtaren është edhe ai. Nuk e kam mohuar kurrë këtë, madje ia kam thënë edhe në sy. Mos të harrojmë se nuk shkoi në Europian vetëm Kombëtarja e De Biazit, por edhe e imja dhe e gjithë shqiptarëve. Jam lumturuar pa masë, sepse u realizua ëndrra e një kombi të tërë dhe e disa plejada trajnerësh e futbollistësh që kanë sakrifikuar me mish e me shpirt për ta parë Shqipërinë në një kompeticion të rëndësishëm.

Por kjo nuk do të thotë se tani duhet të mbyllim gojën, sytë dhe veshët dhe të pranojmë çdo gjë që ndodh. Nuk funksionon kështu as në futboll dhe askund tjetër. Ndryshe do të ketë vetëm regres dhe jo progres.

Ku doni të dilni?

Dua të them se i gjithë ky sukses nuk më pengon mua dhe asnjë koleg timin që ka kontribut në ekipin përfaqësues që të shprehë pikëpamjet apo mendimet ndryshe që kemi kundrejt asaj që shfaq në fushë skuadra e De Biazit. Të kuptohemi qartë, shumëkujt nuk i interesojnë ndoshta mendimet kundra, por kjo nuk më pengon mua të shprehem. Sigurisht, për aq kohë sa unë nuk e fyej trajnerin e punën e tij dhe nuk cenoj në asnjë moment autoritetin e tij.

Ka përmendur rezultatet që ka marrë Kombëtarja nën drejtimin tuaj…

Nëse i referohet asaj që unë kam pasur apo kam drejtuar ekipin kombëtar para 20 viteve, imagjinoni sa ndryshe janë gjërat. Çdo gjë mund të ketë qenë atëherë, por vetëm kështu si është sot Shqipëria apo futbolli ynë nuk ka qenë… Gjithsesi, me shumë krenari dhe me shumë përgjegjësi e them se kam qenë me shumë fat që kam drejtuar ekipin kombëtar me ata lojtarë që janë prodhim shqiptar dhe nuk janë të importuar.

Të paktën kjo ka qenë periudha e asaj skuadre kombëtare që unë kam pasur fatin të drejtoj. Atëherë nuk bëhej fjalë të kishim lehtësirat apo komoditetet që sot ekipi kombëtar i ka dhe i takojnë. Nuk them kurrsesi që nuk i takojnë, por në kushtet kur kam trajnuar unë skuadrën, ka pasur mangësi të pafundme dhe dihet nga të gjithë se në ç’gjendje ishte vendi dhe futbolli ynë në ato vite…

Mendoni se kushtet e punës ndryshojnë gjithçka sot?

Patjetër që janë shumë të rëndësishme për të arritur një objektiv. Organizimi i punës dhe infrastruktura nuk ishte si sot. Ai harron, ose nuk ka dëshirë të pyesë se si ia dilnim në atë periudhë.

Por ai nuk ka pse sforcohet kaq shumë, mjafton të pyesë menaxherin e përgjithshëm të Kombëtares, Alban Bushin, që asokohe ka qenë pjesë e skuadrës sonë dhe i di mirë peripecitë dhe sakrificat që bëheshin asokohe. Nuk ka pse De Biazi bën krahasime kaq sipërfaqësore, kur e ka bashkëpunëtor sot Bushin dhe mjafton të pyeste atë për të arritur në një konkluzion më të qartë se si e kemi përfaqësuar vendin tonë në ato vite.

Cila është krenaria juaj më e madhe për ato vite?

E përsëris edhe një herë, kam qenë shumë krenar që e kam drejtuar ekipin kombëtar të vendit tim. E kam pasur këtë privilegj. Ma merr mendja, madje jam i bindur se De Biazi nuk do të arrijë kurrë të drejtojë ekipin kombëtar të Italisë. Duhet ta kuptojë mirë këtë.

E kam drejtuar skuadrën tonë në një kohë që nuk kishim ku të bënim stërvitje. Po mor po, bënim stërvitje në Pallatin e Sportit para se të luanim një ndeshje. Ja ky ka qenë realiteti dhe sërish unë ndihem krenar që e kam drejtuar përfaqësuesen e vendit tim. Ka qenë një privilegj dhe do ta them këtë sa të kem jetë.

Ju mendoni se jua ka përmendur mungesën e rezultateve sepse e keni kritikuar, apo ka diçka tjetër?

Meqë De Biazi më thotë se nuk kam pasur rezultate, nuk më vjen aspak keq, pasi me sa duket acarimi që ka ai me opinionin sportiv, me shtypin, me opinionistët, me shumë gjëra që ai i ka shprehur edhe në televizion, paska bërë efektin e vet…

Unë gjithnjë kam menduar se si koleg do të jepte një përgjigje prej një profesionisti me kulturë sportive, prej një trajneri që vjen nga një vend i zhvilluar si Italia që është vend i BE-së dhe një vend me futboll elitar… Por, me sa duket, edhe ai ra në një batak për të cilin mendoj se koha do të tregojë nëse ekipi kombëtar po luan mirë dhe është në rrugën e duhur apo jo.

Pse është kaq nervoz, sipas jush, trajneri i një ekipi kombëtar kur ka pasur një sukses të madh?

Unë kam nxjerrë një konkluzion të vogël, të cilën shpesh ai e shpreh edhe në konferencat e shtypit, apo në intervistat që merren pas ndeshjes. E kam fjalën për mendjemadhësinë që e ka karakterizuar këtë trajner pas kualifikimit në Europian dhe deri në ditët e sotme. Ka një fodullëk dhe arrogancë që e tregon haptazi ndaj kolegëve shqiptarë dhe ndaj medias pas suksesit që pati. Unë e përsëris, nuk ia mohon njeri pjesën e vet të meritës në atë që arriti kombëtarja.

Madje, kam qenë ndër ata që kam thënë se një sukses si ky kushedi se kur do të mund të përsëritet në të ardhmen. Duke dëgjuar fjalë si këto, ndoshta ky njeri tani ka nisur të mendojë se ne duhet vetëm të thurim elozhe për të… Nuk pranon më as kritikën më të vogël dhe as sugjerimin më të vogël… Jo mor zotëri, kur unë shoh diçka për të cilën nuk bie dakord, sigurisht që do ta them mendimin tim. Se çfarë bën trajneri më pas, kjo është punë e tij.

Çfarë nuk ju pëlqen sot nga ekipi kombëtar?

Një nga gjërat që nuk më pëlqen është mënyra se si sulmon skuadra jonë. Nuk e kam fshehur asnjëherë. De Biazi ndërkohë ka një stil dhe filozofi loje tjetër. Shumë mirë, le të vazhdojë, por kjo nuk do të thotë se unë patjetër duhet të mendoj si ai dhe të pajtohem me çdo gjë që bën ai. Pa dyshim ka disa gjëra që na ndajnë, por kjo nuk do të thotë detyrimisht se duhet të kalojmë në fyerje apo në vlerësime të ulëta për njëritjetrin. Jo në nivel profesionistësh të paktën.

A ka ndonjë gjë tjetër që ju ndan në pikëpamje ju dhe De Biazin sot?

Po ju marr rastin e Gjimshitit. Isha kundër lënies jashtë të tij në listën e EURO 2016 dhe këtë i thashë në sy De Biazit asokohe. Ia kam thënë edhe tani se De Biazi u nxitua. Por, në fund, sigurisht që ishte e drejta e trajnerit të përpilonte listën. Çfarë ndodhi? De Biazi preferoi Veselin dhe e aktivizoi atë në një ndeshje tejet të rëndësishme dhe delikate kundër Francës. E mbani mend besoj se si u mbyll ajo ndeshje…

Ndërkohë, sot Gjimshiti është rikthyer në Kombëtare, madje është bërë lojtar i formacionit titullar. Kuptohet qartë se, nëse e kam pasur gabim në gjykimin tim apo jo, por De Biazit nuk i pëlqeu vërejtja që bëra dhe u tregua mospërfillës.

Dakord, por mund të ketë pasur motive teknike që nuk e ka marrë…

Në fakt, De Biazi pat deklaruar se Gjimshiti nuk ishte në formë kur e la jashtë, por e pyeta lojtarin pas një ndeshjeje miqësore që zhvilluan pas Europianit dhe ai më pat konfirmuar se ishte në formë para Europianit dhe është në formë edhe tani që është bërë pjesë e formacionit titullar. Nuk ka problem, në fund trajneri merr kostot për gjithçka, por minimalisht duhet më pak fodullëk dhe më shumë mirëkuptim edhe ata që të kritikojnë ose vënë në dukje ndonjë gjë që nuk shkon.

Çfarë do t’i sugjeronit De Biazit në këtë moment?

Trajnerët e dinë ligjin e pamëshirshëm të futbollit se, aq lart sa të çon në momente të caktuara, po aq poshtë të ul hundën kur gjërat nuk shkojnë mirë. Madje, ka raste kur futbolli të fut 7-pashë nën dhe për gjëra komplekse dhe që një njeri i këtij sporti e di mirë se si shkojnë. Ka pasur edhe trajnerë më të mëdhenj edhe ekipe më të mëdha që në momentin kur kanë filluar të jenë të pakujdesshëm dhe arrogantë, janë rrëzuar keq dhe kanë përjetuar të kundërtën e lumturisë…

Si i kuptuat ju fjalët e tij: “Hafizi, aspak pozitiv ndaj meje dhe Kombëtares”?

Nervozizëm për kritikat. Këtë ai e shfaqi edhe në intervistën e fundit në “Panorama Sport”, por unë për asnjë moment nuk e kam fyer atë. Gjithnjë kam folur me shumë korrektesë e me shumë vlerësim në adresë të tij. Çdo kombëtare që arrin në një Europian ka emrin e një trajneri dhe fati i madh ka qenë i këtij (De Biazit).

Por, tani më lejohet ta përmend, meqenëse ai e kaloi kufirin me mua, që edhe unë të them se në rastin e tij merr kuptim shprehja “i lindur me këmishë”. Madje, këmishë me shumë fat, të cilën nuk e mbajnë të aftit dhe të zotët… të aftit nuk kanë nevojë për këmishë dhe për fat që të kenë sukses, sepse ia dalin të arrijnë objektivin e tyre…

Ju mendoni se De Biazi pati vetëm fat që shkoi deri në Europian?

Zotërisë i them të bëjë kujdes dhe të jetë i matur me shqiptarët dhe me të gjithë opinionin sportiv apo edhe me specialistët që jetojnë në Shqipëri. Shqipëria është një vend që futboll ka pasur edhe para se të vinte De Biazi, madje kemi marrë rezultate mbresëlënëse në të kaluarën, ndonëse jo të natyrës që u arrit së fundmi. Por futboll ka pasur.

Nuk do të thotë se, meqë dikush ka arritur një sukses, në sajë të shumë faktorëve, ky njeri duhet t’u mbyllë gojën të gjithëve dhe të mos lejojë askënd të flasë ndryshe apo të japë një mendim ndryshe. E përsëris, Kombëtarja ka marrë fitore edhe në të kaluarën, madje edhe para dhe pas viteve ’90. Kemi mundur edhe kampionë Europe…

Duhet më shumë respekt për të gjithë ata që kanë punuar aty, sepse mirë apo keq, unë dhe kolegë të mi kemi vendosur nga një tullë në ekipin përfaqësues. Nuk mund ta mohojë askush punën dhe sakrificën tonë.

A ju ka ndodhur më parë që një koleg i juaji të ketë folur kaq ashpër me ju?

Nuk kam dëgjuar kurrë më parë një trajner italian që fyen kolegët e tij. Ky është rasti i parë të them të drejtën.

A do të vazhdoni të jeni po kaq i drejtpërdrejtë me De Biazin edhe pas këtij debati?

Para kampionatit europian unë kam vënë re një mangësi që nuk mund të mos e evidentoja. Ekipi ynë kombëtar di të mbrohet mirë, por nuk di të sulmojë mirë. Ndoshta për faktin që e kam përmendur si dobësi, erdhi edhe ky shpërthim i De Biazit. Por të jeni të bindur se nuk mund të më mbyllë gojën askush, për aq kohë sa unë mendoj se po them diçka të drejtë.

Dakord, apo puna e trajnerit matet me rezultate…

Po, por edhe në atë kohë kemi luajtur futboll, madje cilësor. Nëse De Biazi nuk e ka idenë se si luante ekipi ynë kombëtar, mjafton të shohë ndonjë kasetë dhe të jetë më i qartë. Nëse nuk i ka kasetat, po ia dërgoj unë, pa problem. Ai duhet të shohë se si luanim në sulm dhe se si i shënonim golat. Ne kemi luajtur në sulm dhe kemi pasur sulm efikas, ndërsa kohët e fundit disa gjëra janë prishur dhe unë nuk pajtohem dot me këtë. Kaq.

Mos po kërkoni ta bëni pak xheloz De Biazin me këtë…?

Aspak. Të rrijë i qetë, sepse Astrit Hafizi nuk ka plane për Kombëtaren. Nuk ka se si të jetë xheloz ai për mua, sepse koha ime në Kombëtare ka perënduar. Unë bëra çfarë munda dhe si munda në kushtet kur isha aty. Nuk ishte periudha më e mirë dhe kushtet më optimale, por kështu qe e thënë.

A mendoni se në këto kushte mund të kishit bërë diçka ndryshe ose mund të kishit arritur më shumë?

Po, ndoshta në kushte të tilla mund të kishim bërë diçka më mirë. Kushtet janë ekstremisht të ndryshme.

Çfarë ju bën përshtypje në gjithë këtë debat?

Nuk e mendoja kurrë se do të dilnin fjalë të tilla nga goja e një trajneri profesionist. Gjithnjë kolegu për kolegun është i rezervuar. Ne këtu ndoshta kemi pasur ndonjë mangësi në raport me trajnerët e vendeve perëndimore, por gjithsesi etikën dhe respektin për njëri-tjetrin e kemi ruajtur gjithmonë. Nuk e mendoja kurrë se një trajner, i cili vjen nga Italia, mund të mbërrinte deri në këtë nivel.

Është jashtë çdo logjike që ai i përmend punën një trajneri të para 20 viteve. Nuk kam qenë para tri vitesh në krye të ekipit kombëtar, por para 20 viteve!!! E theksoj këtë sepse është shumë e rëndësishme. Tani ky (De Biazi) vjen e na përmend punën që kemi bërë asokohe… Nuk më duket logjike.

Ka pasur shumë të tjerë që kanë ardhur pas meje, pjesa dërrmuese të huaj, por askush nuk ka mbërritur deri në këtë nivel. Nuk kanë pasur suksesin e tij, por gjithsesi e kanë vendosur nga një gur në murin për të cilin mburremi sot. Por mendoj se De Biazi po e quan veten të paprekshëm, ndaj edhe sillet në këtë mënyrë. Koha do të tregojë nëse ka të drejtë ose jo.

Next Post
Lamborghini Aventador spiunohet gjatë testimit

Lamborghini Aventador spiunohet gjatë testimit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Përse duhet ta marrim seriozisht ngritjen e një Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e ri

Leksioni i Strasburgut për Berishën vlen edhe për Kuvendin në Tiranë

January 29, 2026
Bardhi takon raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian: Shqetësim për bllokimin e opozitës në Kuvend

Bardhi takon raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian: Shqetësim për bllokimin e opozitës në Kuvend

January 29, 2026
“Zhbllokohet” pika kufitare e Qafë-Thanës, pas 3 ditësh rifillon lëvizja e kamionëve

“Zhbllokohet” pika kufitare e Qafë-Thanës, pas 3 ditësh rifillon lëvizja e kamionëve

January 29, 2026
“Zbatimi i ligjit, i rëndësishëm”, Kallas mesazh të qartë: Viti 2030 është objektiv realist për Shqipërinë, nëse bëni detyrat anëtarësoheni në union!

Kallas i kërkon SHBA të mos bombardojë Iranin: Nuk kemi nevojë për një luftë të re

January 29, 2026
Hëna e plotë e shkurtit, këto shenja të horoskopit do të marrin një vendim të rëndësishëm më datë 1

Hëna e plotë e shkurtit, këto shenja të horoskopit do të marrin një vendim të rëndësishëm më datë 1

January 29, 2026
Pranga kroatit që rrëmbente fëmijë, ka dyshime se grabiti Bleona Matën

A është gjallë Bleona Mata? Avokati: Mendohet se ka shkuar nga Greqia në Gjermani

January 29, 2026
Rama me Trump, Berisha poshtërohet në Strasburg e drama në PD

Rama me Trump, Berisha poshtërohet në Strasburg e drama në PD

January 29, 2026
Shkëmbim trupash mes Kievit dhe Moskës, Ukraina merr 1 mijë ushtarë të rënë në luftë

Shkëmbim trupash mes Kievit dhe Moskës, Ukraina merr 1 mijë ushtarë të rënë në luftë

January 29, 2026
Salianji me demokratët në Himarë: Pa demokraci të brendshme, PD humbet epërsinë morale! Pa respekt për anëtarësinë s’ka opozitë…

Salianji me demokratët në Himarë: Pa demokraci të brendshme, PD humbet epërsinë morale! Pa respekt për anëtarësinë s’ka opozitë…

January 29, 2026
Detaje të reja nga arratisja e Altin Ndocit, qyteti ku mund të jetë larguar

Si ndodhi arratisja me “regji” e Altin Ndocit pak ditë pas inspektimit të burgut nga Ministri i Drejtësisë (Detajet e reja)

January 29, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In