EKSKLUZIVE/ Aktori i njohur i kinematografisë dhe i teatrit, Astrit Çerma, hedh një vështrim analitik mbi të tashmen dhe të shkuarën e nvendit, duke shprehur zhgënjimin e thellë për mënyrën sesi u qeveris Shqipëria këto 25 vitet e fundit. Ai flet për emrat e mëdhenj të kinemasë shqiptare, prapaskenat në artin shqiptarë ndër vite, por shpreh dhe revoltën për mënyrën sesi u qeveris vendi në periudhën post komuniste.
Ju jeni një personazh i mjaft i spikatur i kinematografisë shqiptare dhe i teatrit të Elbasanit. Aktiviteti juaj artistik shtrihet në një periudhë shumë dinamike të kinematografisë dhe përkrah një plejade të madhe emrash si Sandër Prosi, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Reshat Arbana, Demir Hyskja, Ndrek Luca,Tinka Kurti, Vangjel Heba, Bujar Lako, Rikard Ljarja, Robert Ndrenika, Jani Riza, Ilia Shyti, i ndjeri Agim Shuke etj., etj., emra të mëdhenj. Jo thjeshtë për nostalgji, por si do mund ta vlerësonit këtë fakt?
-…Mund të jem edhe hallkë e këtijë zinxhiri të asaj plejade.që unë do ta quaja “të artë” të artit krijues dhe interpretues të artistave të ekranit e të skenës, por, jo për modesti, ”rehatë”, do të qëndroja aty nga mezi. Para meje dhe pas meje janë shumë e shumë të tjerë që jo “fati e rasti’, por talenti i tyre ka lën gjurmë të pa shlyera në artin e interpretimit. Por, kudo që të jem, sinqerisht ju them, më ngazëllen shpirti vetëm kur i lexoi këta emëra e jo më të jem mes tyre. Krenar e ndjej veten, shumë krenar.
Në periudhën kur ju interpretonit ishin gjithë ato emra të mëdhenj të teatrit dhe kinematografisë. Një sfidë shumë e vështirë për ju besoj. Si arritët të jeni krah tyre dhe në nivele intepretimi shumë të lakmueshme? Cfarë e dallonte Çermën në punën e tij?
Nje ditë, tek rrinim bashkë me Timon (Flloko) dhe me Sulën (Pitarka) dhe pinim kafe ne Beverli Hills në Los Anxhelos në “muhabet” e sipër i madhi Pitarka më befasoi: ”Ti Astrit ishe i pari aktor që prure në ekran natyralizmin, thjeshtësin, organicitetin. E solle dhe mbushe atë boshlëk të ekranit që mungonte, dhe rrëmbeve gjithë publikun”. Ndofta ishte kjo. Kishte krijues at’her që më quanin edhe një Zhan Pol Belmondo i vogël. He, he. Ka një thënie Aleksandër Moisiu: ”Aktorit i duhet talenti, puna e përhershme dhe produktive por i duhet dhe pak fat”. Dhe si duket edhe fati mua nuk më mungoi. Në filmin “Në fillim të veres” unë “pata fatin e madh” të punoi me mjeshtra të mëdhenj që më afruan,më mbajtën dhe më ushqyen për në nivelin e tyre…I falenderoj
Si shpjegohet që thuajse në të gjitha filmat ju keni luajtur rol pozitiv? Ishte kjo një zgjedhje e juaj, apo regjisorët të shihnin vetëm në role pozitive?
Është pikërisht kjo e dyta. Dhe e dini që pikërisht ky”fenomen” më bëri që të largohem fare nga Kinostudio dhe ti kushtohem vetëm teatrit. E dini. Unë vetëm në tre filma kam shkuar vetë. ”Brazdat” “Në fillim të veres” dhe “Ilegalët”. Tek të tjerët, e di që do të llapallosin disa por kjo është e vërtet, kam shkuar me “urdhër”. Bile në filmin “Streha e re” nga që unë nuk pranoja, autobuzi i Kinostudios qëndroi gjith ditën në Elbasan dhe vetëm mbasi më thirrën në Komitet të Partis dhe më urdheruan prerë, mora rrugët e Dardhës ku u xhirua filmi. Më e “bukura” në Elbasan regjisorët më thanë se kisha rrolin e traktoristit, ndërsa në Dardhë më bënë sekretar partie!!! Nejse. Megjithëse unë në teatër nuk kam lënë figurë e karakter e pa lozur, qoftë në komedi e qoftë në dramë… mbetën rolet në Kinostudio
Konstatohet se shikuesit vijojnë të jenë në numër të lartë sa i përket filmave shqiptarë të prodhuar përpara viteve 90. Cili do ishte opinioni yt për këtë? Pse ndodh? Thjeshtë nostalgji? A lidhet kjo dhe me realitetin e sotëm, i cili në të vërtetë është jo pak i dhunshëm?
Po edhe nëse është nostalgji, edhe vetë nostalgjia nuk është kaq e thjeshtë. Edhe nostalgjia ka “ushqimin” e vet. Shikoni. Në atë “kohë” njerzit jetonin me krijuesin dhe krijimet sepse edhe krijuesi dhe krijimet jetonin me njerzit. Sado që ta politizojnë këtë të vërtetë “të thekurit” e politikës, ajo mbetet jashtë politikës. Krijimi në tërsinë e tij e mbizotëronte jeta. Ajo jetë e asaj “kohe” me problemet e asaj “kohe”. Dhe pikërisht për këtë ngjallet nostalgjia. Jam i bindur qind pë qind që, as i “digjet njeriu barku” për direktivat e parrullat e asaj kohe, që nuk janë të pakta në ato krijimet, bile tallen e ironizojnë me to, por…E çuditëshme, sepse edhe të rinjë, të lindur jashtë “formave të edukimit të asaj kohe” i ndjekin me pasion. At’herë?! Sepse…Në artin e asj kohe gëlon jeta e përcjellur me nivel të lartë artistik në të gjitha drejtimet. “S’ka romantizëm, s’ka futurizem, s’ka hermetizëm. Ka art. Dhe ti djall artist, në je artist, na bëj artin njëher.”. Kështu ka gërthitur e kështu gërthet akoma i madhi Lasgush Poradeci.
Si ndjeheni sot tek shihni filmat që keni interpretuar? Ja ka vlejtur? Ndjeheni i zhgënjyer për ndonjë rol? A do donit që të mos e kishit interpretuar ndonjë rol të caktuar? Jashtë kamerave të kinemasë çfarë ju ka lënë mbresë më shumë por dhe që ju irritonte më shumë?
Pavarsisht se ç’ju thashë më lartëpër filmat ku kam interpretuar nuk kam pse të kem “zhgënjim”. Unë, atje jam unë. Me arritjet e mos arritjet e mia. Edhe ato jan krijime. Bile kështu siç erdhi koha ku teatri ynë i Elbasanit në të cilin unë pata tërë aktivitetin tim tashmë ka “firaksur” e bashke me te dhe krijimet e mia,”shyqyr Zotit” që kan mbetur filmat. Mbresa. Ehh. Në atë kohë nuk kishte “vipa” kështu që rrjedhimish nuk kishte as “fansa”. Por kishte artëdashës dhe dashamirës të artit e krijuesit në përgjithësi. E dini? Më sillnin edhe ftesa dasme. Bile, he, he, në njërën kam qenë edhe krushk. Më kanë mbetur në mendie dy episode. Nuk gjeta bileta dhe mbeta tek stacioni i trenit të Laçit ku niseshin autobuzat për Shkodër. Befas vë re që nje grup të rinjsh që seç debatonin me nje person, kur, befas njeri prej tyre, thirri- Dale, dale..se..Ja ku është vete njeriu i punës- dhe mu drejtua mua. – Or ti Shpëtim. E duam edhe një javë filmin tënd këtu në Laç, por këta të kinemas po e nisin për Kurbnesh. Na ndihmo o burr. Ç’ti thoja? – Më gjeni bilet për Shkodër – ju thashë – t’jua lë filmin këtu. Rrethuan një autobuz dhe pas pesë minutash debat me shoferin me hipën lart.- Mbajeni filmin – u thashë- edhe dhjetë ditë. Plasi një urra dhe ikën. Shoferi më uli mbi motorr. Çoku shkëmbyen edhe ndonjë muhabet, por në përgjidhësi ai heshti gjat gjithë rrugës. ”S’dihet ç’i kamn thënë për mua mendova”. Dhe vërtetë ashtu. Mbas dy javesh, pasi kthehem nga xhirimi, më lajmëroin se dikush më pret tek aneksi i turizmit ku flinim. Shkova. Ç’të shohë. Ishte një familje e tëre edhe me nuse, dhëndurrë e krushqi që më priste. Ishte familija e shoferit të autobuzit. Para dy ditësh kishin parë filmin. ”Ata mua më thanë se ishe “inspektor i kryeministris”- më tha duke qeshur me të madhe. Sa për irritimin? Ehh. Jo se është bërë modë tani që në çdo bisedë të shahet sistemi dhe funksinaret e pushtet të shkuar, por me të vërtetë, jo vetëm mua, por edhe shumë shumë krijuesve i ka irrituar gjithmonë funksionari partiak. Shpesh ky lloj tipi ishte debil, arrogant, tepër agresiv dhe hakmarrës.
Cilat kanë qenë prapaskenat më të spikatura në ato vite në kinema dhe teatër?
“Prapaskena”?! Arti i ka pasur i ka dhe do ti ketë për jetë prapaskenat, sepse, arti, në fund të fundit është thjeshtë sukses a dështim. Kësisoi brenda tij, gjithmonë gëlon zilia. Asnjëher, në asnjë kohë dhe në asnjë fushë të artitit, arti s’ka shpëtuar dhe as do të arrijë të shpëtoj nga të patalentuarit. Sidomos në gjinitë e arteve kolektivë si teatri, ku s’ka pse te jenë të gjith yje vezullues. Në përgjithesi artisti është ziliqar. Dhe duhet të jetë i tillë. Por, artisti i vërtetë ka zili suksein dhe jo krijuesin. Dhe kjo e ndihmon sepse ai me të gjitha forcat përpiqet ta arrij suksesin. Ndërsa “i pa afti” ka zili krijuesin dhe me të gjitha mënyrat kërkon ta shkatërroj atë. Edhe në film edhe në teatër regjia dhe stafi kanë kërkuar gjithmonë atë krijues e krijuese që shërben krijimit të tyre. Ç’prapaskenë të kishte këtu?! Jan hequr aktor nga rolet për arsye sidomos biografike, por prapaskenat janë bërë jashtë stafit krijues. Justina Alinë e hoqën nga roli në filmin “Thirrja”, por prapaskena i erdhi nga ziliqarë jashtë stafit që e kishte zgjedhur. Janë hequr drama e filma, prerë e shkurtuar, shtuar e sakatuar, por prapaskena ka qenë e qartë. Vija politike e Partisë. Ore! A’t’here, ashtu ishte sistemi dhe ato kërkesa kishte për “skenën” dhe “prapaskenën”. Po tani?!. Kam një bindje që tani as egziston “skena”. Kudo gëlon “prapaskena”.Vini re të “dekoruarit dhe të emërtuarit”. Një pjesë e madhe e tyrë kan dal nga prapaskena e jo nga skena.
Si ndjeheni që një plejadë e madhe aktorësh që kanë bërë historinë në fushën e interpretimit nuk jetojnë më?
E dhimbëshme ikja e tyre. Ndjej dhimbje. Pothuajse të tërë i kam pasur miq edhe shokë. Dhe kanë ikur në kulmin e pjekuris së tyre aktoriale. Ndoshta ky ishtë fati tyre, por.. Kur lihet amanet nga pas që në “rrugën e fundit” të mos bëj pjesë teatri ku ata jetuan e krijuan,ehhh…kjo është vdekje e dytë. Pse ndodhë kjo?! Natyrisht çdo njeri është i veçante dhe i pa përsëritshëm. Artisti, është njeriu që e nderon njeriun tek e veçanta e pa përseritëshme e tij. Por.. As me “kopjim”, as me “vjedhje” dhe as me një “emërim të tretë” brenda dy të parave, artisti nuk mund të krijoj pa shkërrmoqur vetveten. Në atë shoqëri ku kuptohet “kjo”, artisti shpërblehet në të gjitha format dhe në të gjitha mënyrat. Ndërsa tek ne, fatkeqësisht, artisti vidhet në të gjitha format dhe në të gjitha mënyrat. Dhe krijimtaria i vidhet. Dhe vlera i vidhet. Dhe jeta i vidhet. Është thënë se B.E-ja ka dhënë plot 1.000.000 ero për “Ligjin mbi të drejtat e Autorit”. E ndërsa parat “janë zhdukur” nuk është përmbushur as premtimi i thënë se “vjedhja e e pronësisë intelektuale” do të parashikohet ne kodin penal(!!!) Unë natyrisht i uroj shërim, shëndet dhe jete të gjatë Hajrije Hondos, por edhe një herë e them se nuk më pëlqen aspak që një personalitet si Hajrija që i ka dhënë kaq shumë artit shqiptarë, të detyrohet “të lyp” për shërimin e saj. Ç’bën qeveria???.Kjo qeverri që trumpeton me të madhe edhe “shërimin e lungës” së një farë deputeti që është vetëm një hiç dhe asgjë tjetër. E di kryeministri “artist” se ç’është artisti?! Ahh…Fatkeqsisht…S’ka pyetje tjetër, përball së cilës politikanët, sidomos zyrtarët politikan, të mos jenë treguar moskokçarës dhe të paskrupuj.
Shumë personazhe të njohur kanë ngritur shqetësimin se ikja e kësaj plejade ka krijuar një gropë jo të vogël në fushën e kinemasë dhe teatrit. Cili është mendimi juaj për këtë?
Pjesërish mund edhe të qëndroj ky konstatim- “ikja e Plejadës”. Por, unë me aq sa e ndjek artin dhe përpiqem ta ndjek shumë, në këtë konstatim, do të kisha shumë rezerva. Pa përmendur emra, artistë të rinjë ka. Bile brenda moshës dhe përvojës tepër të talentuar. Artist me ambicje, kërkesa, krijime e arritje që vënde vënde spikasin. Por mua më duket, se vlersimin këtyre artistëve e përpin niveli tërsorë. Në çdo “niveli krijimi” ka një “nivel gjykimi”. Nivel gjykimi që e mban të mos derdhet jashtë shtratit të tij niveli i krijimit. Ky nivel gjykimit ka zbritur aq poshtë sa niveli i krijimit ka përmbytur pothuajse gjithë ultësirën e artit dhe ka krijuar moçale ku gëlojnë tërë pjellat e moçalit. Kur në një popull arsimi, arti dhe kultura kultivohen me qëllim, në nivele të niveluara për turmën, atëhere populli i kthyer në turmë si mbetet gjë tjetër – veçse ose ta zhduk ose ta deformoi individin e talentuar. Fatkeqësisht, kur artit kostumin ja imponon pushteti arti degjeneron në banalitete cicmicesh politike dhe perverse. Artisti vërtet pasurohet shumë, por, mëse e vërtet edhe varfërohet shumë. Ndoshta dhe gaboj por tek aftësia, talenti, “shkatërrimi i personalitetit të personit sot” është më fatal dhe më i ndyrë sesa ai “shkatërrimi “i dikurshëm me burgosje dhe me dënime për”hapje e kanalesh” . Është “shitje dhe blerje e vetvetes”. Fishtës pushtet i dikurshëm i zhduku edhe varrin, por nuk mundi as ti’a “cimbis” talentin. Ndërsa sot. Matrapazët e artit janë nderuar edhe me “Ndere kombi.
Si e shikoni kulturën shqiptare në përgjithësi në muzikë, teatër, kinema. Ka bërë hapa pas, është në gjendje stanjacioni, apo është përfshirë nga “muzat” e banalitetit? Çfarë ju shqetëson ju si artist?
Është thënë e stërthënë dhe thuhet e stërthuhet: “Diktatura investoi për artin e kulturën që të helmoj me ideologjinë e mbrapshtë të saj, sidomos rininë” .Dakort. Po ti moj zonja Demokraci ç’bëre dhe ç’bën? Ku investon ti? Ç’fare investon ti? Për kë investon ti? Historia e artit na rrëfen se në fund të fundit: “Arti është…edukim”. Edhe një herë e theksoj, edukim. Aaaa. Çfarë edukon është tjetër gjë. Hidhini një sy historisë të tij edhe ai i ashtuquajturi “art për art” ka shtratin e tij ku një masë e tërë apo një pjesë e vogël e publikut ka shtrirë hapin. Do, s’do, kur merr përsiper edukimin je i detyruar të “ndeshesh” me problemin, me shqetësimin, me hallin që ai sperktator që ti kërkon të vijë, e vuan ne jetën e perditëshme. Mirëpo kjo i “djeg”pushtetit tek të gjitha nivelet dhe hopa ushqen shushunjat e artit, ata pseudo artist mediokër dhe banal që mbarsin turli lloj izmash, formash, e gjetjesh. Në lindjen e demokracisë, çuditërisht, të paaftët u sulën kush e kush të bëhej nun (kumbar). I shihja dhe qeshja. “More…Po këta pyka ku venë? Nuk e kuptojnë se ardhja e demokracisë do t’u nxjerr kallajin? Se ai komunizmi, socializmi, enverizmi, ishte “shi-diell-bukë beu”për këta fakirë.Se demokracia dhe paaftësia janë “hane Shan-hane Bagdat”. Mirëpo u gabova. “Fakiri”paskam qenë unë e disa të tjere si puna ime që nuk kuptuam që këto shushunja do t’ia pinin gjakun artit deri në vdekje.
Çdo figurë publike, siç jeni dhe ju, ndan shqetësime për mënyrën sesi po ecin gjërat në këtë vend. Çfarë e shqetëson më shumë Astrit Çermën?
Çdo fillim krijimi është imitim. Të gjithë krijuesit në fillimet e tyre kanë imituar. Kanë imituar pikërisht ato krijues dhe krijime që, shpesh, pa vetëdije, i kanë“giciluar” për te zbuluar aftesit e tyre. Dhe, brenda këtyre aftësive edhe tealentet, edhe gjenalitetet. Me aq njohuri sa kishim dhe me aq mundësi që na jepeshin në atë këhë “ashiqare” dhe fshehtazi të gjithë ne ënderronim të krijonim jashtë “kornizës së pushtetit një partiak” që na ngushtonte. Me ardhjen e demokracisë e thyem kornizën, dhe, të pa ditur, rrjedhimisht të pa zot për të krijuar të renë në art iu sulëm imitimit. I’u sulëm, por fatëkeqësisht aty kemi mbetur tek imitimi.Vini re ç’bëhet në skena e në ekrane të mëdhenjë e ëe vegjël. Vetëm imitohet. Dhe,çuditërisht imitohet vetëm ajo “modernia”. Në të gjitha fushat e parcelat e artit. Dhe rrjedhimisht na mbytën përkthimet, adoptimet, shtampimet qoftë në krijim e qoftë në interpretim. Unë nuk di ndonjë vend ku teatri të ketë krijuar e lartësuar dramaturgjinë. Dramaturgjia krijon e lartëson tetatrin. Drama shqipe pothuajse mungon. Dhe ajo që krijohet shpesh është një “mish mash’ huazimesh të formave moderne të krijimeve të huaja. Pseudo artistat kanë zaptuar çdo gjë, ndryshe nuk ka si shpjegohet që “artin” e tërheqin prej hunde drejtë banalitetit me disa “shpikje moderne”. Ka një dorë injorantësh, militantësh partish që drejtojnë institucionet. Aq shumë kemi “ecur” përpara sa “nuk përtojmë t’u mbajmë” leksion italianeve se si të vinë e të interpretojnë Goldonin, francezëve Molierin dhe anglezëve Shekspirin…
Cilat kanë qenë pritshmërit tuaja pas viteve 90? Cili është realiteti i sotëm ballafaques i pritshmërive me ditët e sotme?
Shumë prita. Prita që teatri dhe arti në përgjithesi të bëhej jetdhënës për të gjithë. Në 91 u emërova drejtor i teatrit. U përpoqa dhe bëra edhe të pamundurat që teatrin ta mbaj gjallë. Por.. Jo. Ishte e kotë. Një dorë politikanësh qeveritar, me të gjitha mënyrat e format, vetëm sulmonin ta shkatrronin, siç e shkatërruan. Ku të mbështetesha?! Ehhh…U vra …dashuria. Komunistët, post komunist me falangat e tyre të zyrtarizuara dhe të rekrutuara gjatë komunizmit, pasi bën shndërrimin e “diktaturës” në “demokraci”, për të mbajtur gjatë pushtetin. Vranë me shpifje, spiunime, gënjeshtra, shtrebërime, “denoncime”, mallkime, miklime, abuzime e të tjera e të tjera ndyrësira të tilla. Vranë dashurinë. Dashurinë me kuptimin e plot që ka kjo fjalë tek jeta e njerzimit. Nëse dikush kërkon të më bind se dashurin e vrau dhe shkatërroi regjimi i kaluar me bindje i përgjigjem: Nuk mundi. Për deri sa mbetëm gjallë ishte pikërisht ajo, dashuria tek të gjitha jetësoret e njeri- tjetrit që na mbajti gjallë. Tani do të vuajm siç po vuajmë. Shumë vështirë të ringjallet ajo dashuri. E ka zaptuar dhe po i merr shpirtin babëzia. Kjo babëzi që nuk njeh kufi as brenda gjakut dhe as brenda shpirtit Ika…Mora arratin…
Ju në filmin “Në fillim të verës” recitoni në mënyrë mjeshtërore disa vargje të migjenit “na t’birtë e shekullit të ri”. Në fakt si i gjykoni sot “t’birtë e shekullit të ri”? Çfarë ju shqetëson në rininë shqiptare?
Jeta nuk njeh boshllëk. Boshllëku për jetën është më tej se vdekja. Ështe humbje. Eshte tretje në hapsira të pa përsëritshme. Jeta gjithnjë diçka afron; ne çdo tërheqje – nje shtytje; në çdo rënie – një ngritje; në çdo humbje – një fitore. Ndaj njeriu i njerzimit, shpesh, pa vetëdije, instinktivish, atë që heq e zëvendëson përsëri. Sa herë që i shkëputet diçka, afron diçka tjeter. E si mund të jete ndryshe kur vetë jeta nuk ka linduar as për qyqarët e vegjël dhe as për korthëtarët e mëdhenj. Jeta ka lindur për njerzit që dashurojnë njerzit?! Varfëria, vetmia, braktisia, janë fusha beteje që kanë luftërat, por që kanë edhe luftëtarët, heronjtë e dëshmorët e tyre. Shpesh, shumë shpesh të heshtur, por të mbështjellur me dhimbjet dhe dashuritë, që shpesh, shumë shpesh, janë më madhështore se auerolat e kordhëtarëve që përjetesohen nëpër përmendore graniti e bronzi. Jooo…Jeta nuk njeh boshllëk. Dhe këtë boshllëk e mbush rinia. Dhe unë kam besim se ajo do të gjejë veten, sepse në fund të fundit në të vlon gjaku i shkuar dhe ardhshëm. Ai gjak nuk shprishet kurrë. Ardhëmëria i takon asaj.
Intervistoi Armando Meta (javanews.al)