Rrjetet sociale janë bërë një nga vendet e preferuara të njerëzve që të ndajnë me të tjerët momente nga jeta e tyre. Por, përveç profileve personale, njerëzit kanë filluar të hapin të tillë edhe për kafshët e tyre, transmeton Koha.net. Një nga profilet më të famshme është edhe ai i qenit Aspen, një Golden Retriever (lloji i qenit).
Katër vjeçari, i cili për pjesën më të madhe të vitit jeton me pronarët e tij Hunter dhe Sarah Lawrence në Kolorado, është bërë një nga qentë më të famshëm në rrjetin social Instagram, që i kanë hapur pronarët e tij.
“Me të vërtetë më dukej një veprim prej budallai në fillim, që t’i hap një profil në Instagram. Mendoja se ishte një humbje koha që ta veshja qenin tim në mënyra të ndryshme, dhe më pas të ndaja imazhet e tij me të huajt”, ka thënë Hunter Lawrence, fotograf profesionist për CNN.
Por, ai kishte vendosur që t’i hap Aspenit një profil pasi kishte bërë disa fotografi, që sipas tij ishin vërtetë të bukura.
“Por, kur e kuptova se kisha realizuar disa fotografi shumë të bukura të Aspenit nga vende të ndryshme në ShBA dhe Kanada, me të cilat isha vërtet krenar, vendosa që t’i hapja një llogari. Duket se njerëzit e pëlqejnë vërtetë atë, dhe të jem i sinqertë edhe mua tani më pëlqen. Edhe nëse nuk do ta kishte këtë popullaritet, përsëri do ta vazhdoja ta bëja atë, sepse vërtet kënaqem, dhe kjo është ajo ka rëndësi”, është shprehur ai.
Aspen tani ka 120 mijë ndjekës në Instagram, pesë herë më tepër se banorët e qytetit të tij, ndërsa numri është duke shkuar gjithnjë në rritje.