Nga Fatos Tarifa
Botuar në DITA
I nderuar zoti Kryeministër,
Nga gazetat shqiptare mësova për nismën Tuaj të fundit për të iniciuar një “këshillim popullor me çdo shqiptar”, përmes të cilit të kërkohet mendimi i qytetarëve “mbi çështje me rëndësi strategjike” për vendin, për ekonominë, dhe shoqërinë tonë.
Me këtë nismë, Ju lini të kuptohet se synoni të ndihmoni që të lihen pas “llogoret e kaluara të politikës” dhe të krijoni mundësinë që të gjithë, si shqiptarë, “brenda dhe jashtë vendit”, të mendojmë “për gjërat që na bashkojnë”. Në këtë mënyrë, besoni Ju, pra “nëse e dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin, ne shqiptarët kemi mundësi të shkojmë shumë më shpejt përpara”.
Ah, sikur! Këtë dëshiroj edhe unë. Këtë besoj se dëshirojnë të gjithë shqiptarët.
Ju mund ta dini, zoti Kryeministër, se simpatitë e mia politike kanë qenë dhe janë për socialistët shqiptarë. Gjithmonë kam votuar për Partinë Socialiste dhe për të do të vazhdoj të votoj edhe në të ardhmen, sa kohë që nuk shoh një alternativë politike më të mire, që do të mund ta çonte vendin më përpara. Me këto fjalë dëshiroj t’Ju them se, vërejtet e mia të herëpasherëshme mbi disa aspekte të qeverisjes Suaj dhe këto që po ju shpreh sot publikisht, janë vërejtje të një socialisti të sinqertë, jo të një kundërshtari politik.
Sidoqoftë, pavarësisht bindjeve dhe simpative të mia politike, të cilat kurdoherë i kam shprehur hapur, edhe kur qeverinë e këtij vendi e kanë drejtuar kundërshtarët Tuaj politikë, vërejtjet e mia janë mbështetur e mbështeten në njohuritë mbi politikën dhe shoqërinë, të fituara nga një shkollim i gjatë në Shtetet e Bashkuara, ku edhe jam doktoruar, si dhe nga një përvojë akademike 35-vjeçare, një pjesë e së cilës në disa universitete të huaj, në Shtetet e Bashkuara dhe në Hollandë. Janë pikërisht bindjet e mia politike socialiste dhe kjo përvojë e gjatë akademike në Perëndim, që më shtyjnë t’Ju shkruaj edhe sot.
* * *
E para gjë që më ra në sy duke lexuar fjalët tuaja thënë gazetarëve, ishte pohimi se kjo “është koha që të lihen pas llogoret politike” kur, në fakt, kjo kohë ka qenë edhe 9 vite më parë.
Lufta politike mes palëve kundërshtare është gjëja më e natyrshme në çdo shoqëri dhe në çdo sistem politik, edhe në sistemin më demokratik, por koha për të mos u ngujuar në transhetë e tyre politike me synim asgjësimin politik të Tjetrit në Shqipëri nuk erdhi sot, as nuk u kuptua sot.
Më mirë vonë se kurrë, sidoqoftë.
Por, objeksioni im kryesor ka të bëjë me idenë Tuaj për një “këshillim kombëtar”, përmes një pyetsori që do i vihet në dispozicion “çdo shqiptari, në Shqipëri dhe në botë”, përmes të cilit këta të shprehin mendimet e tyre për “çështje me rëndësi strategjike” për shoqërinë shqiptare.
Ah, sikur! Këtë ide Tuajën unë e kuptoj si një dëshirë të mirë, që synon emancipimin politik të shoqërisë shqiptare përmes bashkëpunimit me opozitën dhe me këdo që ka një mendim ndryshe. Por, a është e mundur kjo që sugjeroni ju?
Si një sociolog i politikës dhe si një studiues i marrëdhënieve shoqërore, dëshiroj t’Ju them se, edhe nëse kjo është një dëshirë e sinqertë, rezultati i synuar është i pamundur, ashtu sikurse është e dyshimtë, madje e pakëshillueshme metoda që sugjeroni për realizimit e këtij qëllimi. Qeverisja e çdo vendi kërkon domosdoshmërisht vizione të qartë dhe politika ekonomike, sociale, kulturore, të mbrotjes e të sigurisë, për hartimin e të cilave, kudo në vendet demokratikë më të zhvilluar, kërkohet dhe merret në konsideratë mendimi më i kualifikuar i ekspertëve, jo thjesht mendimi i qytetarëve.
Asnjë pyetsor nuk i zëvendëson dot ekspertizën dhe patriotizmin e njerëzve tanë të ditur. Ju duhet t’i dëgjoni më shumë këta të fundit. Dhe njerëzit më të ditur të këtij vendi nuk janë domosdo ata që mendoni Ju, as ata që, për një post drejtues apo për një vend pune në administratë lidhen me Ju në Skype, ose Ju shkruajnë në Facebook apo në Twitter. Njerëzit e ditur nuk kanë kohë, as nevojë që ta harxhojnë kohën e tyre në atë mënyrë; ata e përdorin kohën e vyer që kanë për punë dhe studime.
Ne do të kishim bërë sot shumë më përpara, si shoqëri dhe si komb, nëse Ju dhe ata para Jush që kanë drejtuar qeverinë e këtij vendi, do kishin dëgjuar më shumë dhe me më shumë respekt e vëmendje mendimet e ekspertëve më të mirë, jo ato të njerëzve politikisht luajalë, ose të burokratëve servilë.
* * *
Zoti Kryeministër! Shqetësimi Juaj për ta ndryshuar këtë gjendje është i drejtë, edhe pse i vonuar (dhe unë sërish them, ah sikur!), por mënyra me të cilën Ju kërkoni ta realizoni këtë ndryshim është tingëllon populiste, aspak racionale dhe as efektive.
Qysh nga koha kur Adam Smith botoi veprën e tij Pasuria e kombeve (1776), në shoqëritë perëndimore nisi një traditë intelektuale sa i përket hartimit të politikave ekonomike e sociale efektive, traditë e cila vijon edhe sot e kësaj dite. Më vonë, C. Wright Mills, duke ndjekur traditën weberiane, trajtoi në mënyrë më të zgjeruar temën e racionalizimit në shoqëritë moderne.
Për Weber-in, siç Ju mund ta dini, shoqëria moderne është një shoqëri kapitaliste burokratike, karakteristikë kryesore e së cilës është racionaliteti, që mbështetet në dijet shkencore dhe në progresin teknologjik. Si Weber, ashtu dhe Mills, besonin se qëllimi i racionalizimit të shoqërisë është rritja e efektivitetit dhe e aftësisë për të parashikuar, ndërsa mjetet e tij janë koordinimi dhe kontrolli mbi proceset socialë që bëjnë të mundur arritjen e këtij qëllimi.
Sipas tyre, racionalizimi është parimi kryesor i çdo burokracie; ai rezulton nga ndarja gjithnjë e më e theksuar shoqërore e punës dhe është produkt i specializimit shkencor dhe i diferencimit teknologjik, që janë veçoritë më karakteristike të kulturës perëndimore. Një kuptim i tillë çoi, aty nga mesi i viteve 1940, në krijimin e një disipline të re, e njohur si “shkenca e politikave” (policy sciences). Themeluesi i saj, sociologu amerikan Harold Lasswell, synonte të krijonte “instrumente të rinj për kërkim”, përmes të cilëve të bëhen të mundura qartësimi i qëllimeve, alternativat e veprimit dhe vlerësimi i politikave, si dhe të merret informacion mbi marrëdhëniet shkakësore dhe tendencat e zhvillimit të dukurive ekonomike e sociale.
Qasja e tij ishte holistike (multimetodike dhe multidisiplinare), por dhe kontekstuale, e fokusuar te problemet, tek analiza e politikave dhe te zhvillimi. Weber, Lasswell, Mills e të tjerë kanë krijuar standarde të tillë në të kuptuarit modern të politikëbërjes në shoqëritë demokratike, të cilat, njerëzit që marrin përsipër të dejtojnë një qeveri, duhet t’i njohin e t’i respektojë.
* * *
Sa thashë më sipër nuk do të ishte e nevojshme t’i sillej në vëmendje një kryeministri, nëse nuk do të kisha vërtet shqetësimin që po ju shpreh.
Ndërsa çështje madhore të shoqërisë sonë mund dhe duhet të zgjidhen me referendum, si instrumenti më demokratik në dispozicion të qytetarëve (por që ne kemi refuzuar ta vemë në përdorim), zgjidhja e pjesës më të madhe të problemeve, me të cilët përballet e do të përballet shoqëria shqiptare, sot e në të ardhmen, nuk mund të bëhet me pyetësorët që sugjeroni ju.
Më besoni në këtë që Ju them, zoti Kryeministër, pasi shkollimi që kam bërë dhe përvoja e gjatë në fushën e kërkimeve sociale më kanë mësuar diçka mbi mënyrën se si “mbidhet”, ose “matet” opinioni i qytetarëve.
Hartimi i politikave sociale të informuara për të zgjidhur në mënyrë racionale problemet e shoqërisë dhe për të përmirësuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve nuk bëhet duke pyetur çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Kjo, jo vetëm do të ishte një detyrë e pamundur, por nuk është as e domosdoshme, madje, siç vura në dukje më sipër, as e këshillueshme.
Në botën moderne demokratike, dy janë çështjet kryesore që kanë të bëjnë me politikat qeverisëse: (i) a janë ato efektive për zgjidhjen e problemeve dhe (ii) a u përgjigjen ato nevojave të qytetarëve dhe a kontrollohen prej tyre?
Çështja e efektivitetit të politikave mund të shtrohet në disa mënyra: Sa dhe si merret një qeveri me problemet e kombit? A e di vërtet qeveria se çfarë bën? A janë seriozë dhe të mirinformuar drejtuesit e zgjedhur, ose të emëruar në organet vendimmarrëse kur debatojnë dhe vendosin mbi politikat? Si shpjegohen gabimet e tyre? Ç’mund të bëhet për të rritur shkallën e efektivitetit në procesin politikëbërës? A mund të ndihmojnë—dhe sa mund të ndihmojnë—ekspertët dhe studiuesit, edhe ata të shkencave shoqërore? Dhe përse disa probleme nuk zgjidhen kurrë?
Çështja e pjesëmarrjes dhe e kontrollit të qytetarëve në procesin politikëbërës mund të shtrohet, po ashtu, në shumë mënyra: Kush i harton në të vërtetë politikat e një vendi? A janë elitat ato që i hartojnë këto politika? A ka ndonjë ndikim qytetari i zakonshëm në politikëbërje? A do të mund të kishte nëse do të përpiqej? A kanë vërtet rëndësi zgjedhjet? A ka rëndësi se cila parti fiton në to?
Pse, në një vend demokratik, publiku duket se toleron dukuri të tilla si taksimi i padrejtë, dhuna në rrugë, korrupsioni në të gjitha nivelet e administratës publike dhe në biznese, shkollat e varfra, një sistem shëndetësor dhe shërbime publike të pamjaftueshme për pjesën më të madhe të popullsisë?
Sigurisht, politikëbërja kërkon një pjesëmarrje të gjerë: qytetarët, grupet e interesit, ligjvënësit, drejtuesit e partive politike, gjyqtarët, punonjësit civilë, ekspertët teknikë, studiuesit në çdo fushë të shkencës, menaxherët e bizneseve. Por, thjesht pranimi i këtij fakti nuk na thotë se cila do të ishte mënyra më e mirë për të kuptuar atë çka është e veçantë në procesin e politikëbërjes.
Për shkak se politikëbërja është një proces shumë kompleks, në të cilin marrin pjesë, në role të ndryshëm, shumë aktorë, mënyra më e mirë për ta kuptuar e vlerësuar këtë proces do të ishte analiza e çdonjërës prej fazave përmes të cilave ai realizohet.
Kjo do të thotë se, së pari, duhet studiuar dhe kuptuar se si krijohen dhe pse mund të agravohen probleme të ndryshëm për shoqërinë dhe kombin, zgjidhja e të cilëve kërkon politika të caktuara? Si këto politika vihen në agjendën politikëbërëse të një qeverie? Si formulohen çështjet për të cilat kërkohet të veprohet dhe si ato bëhen pjesë e procesit legjislativ? Si implementohen ato nga organet ekzekutive dhe, më së fundmi, si vlerësohen ato?
Siç Ju e dini fare mirë, procesi i politikëbërjes është i tillë që, zgjidhja e problemeve të një grupi shoqëror mund të krijojë probleme për një grup tjetër. Fjala vjen, çmimet e larta të blerjes së produkteve bujqësore mund të jenë të favorshëm për prodhuesit fermerë, por ato përbëjnë një problem për konsumatorët.
Veç kësaj, probleme të reja sociale mund të lindin shpeshherë si rezultat i përpjekjeve për të zbatuar të tjera politika sociale. Për më tepër, një politikë sociale e dhënë mund të jetë rezultat i një kompromisi politik mes partive politike dhe politikëbërësve, pa marë në konsidertë ekspertizën më të mirë që kemi në dispozicion.
* * *
Në një shoqëri demokratike, kërkesat për më shumë informacion dhe për politika strategjike në çdo fushë bëhen gjithnjë e më të rëndësishme Këto kërkesa ndeshin shpeshherë në dilemën se kujt mund t’i besohet të mbledhë të dhënat dhe t’i analizojë ato.
Fjala vjen, a mundet, në Shqipëri, që kjo përgjegjësi t’i besohet një institucioni të specializuar—por deri dje, madje edhe sot, të varur nga politika—siç është INSTAT, kur dihet se midis statistikave dhe politikës ekziston një marrëdhënie shumë e ngushtë?
Ose, a janë ato dhjetëra apo qindra organizata joqeveritare (dikush më thotë se janë mbi 20,000), vërtet të specializuara që të mbledhin të dhëna me metodologjitë më të përparuara dhe të kryejnë analiza profesionalisht cilësore? Këto kërkesa ndeshen ndonjëherë edhe me sentimente joracionalë, sipas të cilëve, qasjet intelektuale ndaj problemeve të shoqërisë shpesh herë i largohen thelbit të çështjes, duke u marrë kryesisht me statistika dhe me kategori analitike “pa jetë”.
Sido që të jetë, kërkesa për më shumë informacion të verifikueshëm dhe për analiza teorike mbi problemet që shqetësojnë shoqërinë mbetet esenciale për procesin politikëbërës.
Por, përsëri, kush e mbledh këtë informacion dhe kush i kryen këto analiza te ne? Kush do e analizojë dhe si do të analizohet informacioni që eventualisht mund të mblidhet nga pyetësorët “për çdo shqiptar” që Ju sugjeroni?
Njerëzit që shkuan shtëpi më shtëpi për të mbledhur të dhënat për censusin e fundit të popullsisë dhe të banesave, në vitin 2011, nuk u munduan të vinin në familjen time, as në familjen e disa dhjetëra të afërmeve dhe miqve të mi në Tiranë, siç më kanë pohuar vetë ata. Mijëra qytetarë dhe banesat e tyre nuk janë numëruar dhe përfshirë në rezultatet e atij censusi.
Ka edhe më keq. Disa vite më parë, kur jetoja në Michigan dhe jepja mësim në Eastern Michigan University, një ndër mjeshtrit më të njohur të hulumtimit të opinionit publik, sociologu Ronald Inglehart, që në atë kohë drejtonte projektin e madh World Values Survey, më ka thënë me habi se, të dhënat e mbledhura në Shqipëri i tregonin shqiptarët, në dallim nga popujt e të gjithë vendeve të tjerë ku shtrihej ai studim, si “një popull i ardhur nga një planet tjetër”.
Ju dhe unë e dimë fare mirë, siç e dinë shumica e shqiptarëve, se Shqipëria është sot tërësisht një vend i shekullit të 21-të, me të gjitha bekimet dhe vuajtjet e këtij shekulli. Por, nëse pyetsorët i administrojnë njerëz të paditur, ose të pandërgjegjshëm, dhe të dhënat e tyre i analizojnë njerëz që nuk janë ekspertë, nuk ka përse të çuditemi, si dikur miku im i ndjerë Inglehart, që botës do u dukemi si banorë të një planeti tjetër.
Dhe, mos u çudisni, zoti Kryeministër, “studjuesi” shqiptar që në atë kohë administroi në Tiranë pyetsorët për projektin World Values Suervey, sot është anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës sonë.
* * *
Nëse flasim për kontrollin e qytetarëve mbi procesin politikëbërës, duhet të pranojmë me sinqeritet se, në fund të fundit, ky proces mbetet përherë një proces politik. Edhe pse qytetarët marin pjesë në zgjedhje dhe kërkojnë t’u bëjnë të njohura përfaqësuesve të zgjedhur “prej tyre” pëlqimet dhe opinionet e veta për çështje të rëndësishme, shumica e tyre nuk janë ekspertë të këtyre çështjeve.
Nga ana tjetër, edhe pse qytetarët mendojnë se qeveria ka nevojë për më shumë studime dhe analiza mbi problemet që preokupojnë shoqërinë dhe për politika më të mira, shumica e tyre besojnë se, në fund të fundit, ata që e kanë për detyrë hartimin e këtyre politikave janë përfaqësuesit e zgjedhur në parlament, ose zyrtarët e emëruar në organet vendimarës të administratës shtetërore.
Është detyra dhe përgjegjësia e këtyre të fundit që t’u drejtohen shkencëtarëve, studiuesve dhe ekspertëve tanë më të mirë për t’u kërkuar mendimin dhe shërbimet e tyre të kualifikuara në hartimin e politikave, edhe atyre më strategjike, mbi bazën e të cilave do të sigurohet zhvillimi i sotëm dhe ai perspektiv i shoqërisë dhe i kombit tonë. Sepse, shkenca dhe ekspertiza profesionale nuk mund të zëvendësohen nga opinionet e njerëzve dhe nga dija konvencionale.
Shkenca ka qenë dhe mbetet në mënyrë të padiskutueshme veprimtaria njerëzore më e suksesshme e të gjitha kohëve. Vlerat dhe rëndësia e saj dalin më mirë në pah në shoqëritë demokratike, pasi të njëjtat virtyte që e bëjnë shkencën të ecë përpara, e bëjnë edhe demokracinë të funksionojë—besimi në faktet dhe jo në autoritetet, përkushtimi ndaj arsyes dhe transparenca, të qenurit i hapur ndaj ekzaminimit kritik, skepticizmi metodologjik ndaj vlerave sunduese në shoqëri, vullneti për të marë në konsideratë opinionet e kundërt, si dhe modestia për të pranuar të pasigurtat dhe padijen.
Dhe, ashtu si në shkencë, edhe në demokraci, shumë lehtë mund të marrësh një rrugë të gabuar, por seduktive. Sidoqoftë, nëse jemi të ndershëm me veten tonë dhe kemi vullnetin të ndjekim të vërtetën kurdo që e shohim atë, duke shqyrtuar me rigorozitet të gjithë faktet që kemi në dispozicion, të padeformuar nga retorika dhe nga autoriteti, të ekzaminuar në mënyrë kurajoze dhe—në masën më të madhe të mundshme—të verifikuar nga pikëpamja sasiore, pavarësisht se ku na çojnë ata, atëherë do të kemi marrë rrugën e drejtë.
Nëse nuk kemi kurajën dhe vullnetin të ballafaqohemi me faktet, ose të vemë në dyshim autoritetet, atëherë lehtësisht mund të manipulohemi nga ata që janë në pushtet.
* * *
Edhe pse politikëbërja është një proces politik (shpesh herë jodemokratik, nëse nuk respektohen argumentet dhe opinionet e pakicës), një process, pra, që realizohet në sferën e politikës, ajo mund të jetë shumë më mirë e informuar nga analiza dhe studime të mirëfilltë, jo thjesht nga pyetsorë që gjoja mbledhin pëlqimet apo idetë e qytetarëve.
Ju, zoti Kryeministër, më mirë se unë e dini se çdo politikë shtetërore, në cilëndo fushë, kërkon së pari që të identifikohet dhe të formulohet problemi, të investigohen zgjidhjet e mundshme, të ekzaminohen me vëmendje zgjidhje alternative dhe, më në fund, të procedohet me zgjedhjen përfundimtare. Ky proces politikëbërës është sa politik, aq edhe intelektual.
Kjo nuk do të thotë se ligjvënësit apo politikëbërësit duhet t’i ngjajnë mbretit-filozofi të Platonit, ose “komunitetit të akademikëve”, apo “komunitetit intelektual që ushtron pushtet përmes dijes”, për të cilët fliste C. Wright Mills. Sigurisht që jo.
Por, përgjegjësia në procesin politikëbërës duhet ndarë mes njerëzve të zgjedhur për këtë qëllim dhe ekspertëve, me të cilët, të parët duhet të ndërveprojnë dhe prej të cilëve lipset të informohen e të këshillohen.
Ne duhet të synojmë që të hartojmë politika efektive, të mbështetura në fakte realë, të qëmtuar me kujdes, për të mbrritur në “të vërteta” përmes konkurrimit të ideve dhe përvojave më të mira, vendase dhe të huaja.
* * *
Ajo që mua, si studiues i jetës shoqërore, më shqetëson më shumë, është një prirje e dukshme për të minimizuar, ose mospërfilluar rolin e ekspertëve dhe, më gjerë, rolin që luajnë në procesin politikëbërës diskutimi racional dhe mendimi kritik. Këta duhet të jenë elementë esencialë të çdo vendimmarrjeje dhe të çdo procesi politikëbërjeje. Madje, siç thoshte Bertrand Russell, mendimi kritik nënkupton edhe vetë reflektimin kritik ndaj çdo gjëje që merret si mendim kritik.
Çdo sistem politik është i interesuar të mbledhë të dhëna dhe t’i analizojë ato. Në Shtetet e Bashkuara dhe në demokracitë e tjera perëndimore, mbledhja e të dhënave me metoda profesionale, studimet mbi bazën e analizave të tyre dhe analiza e politikave sociale janë bërë një rutinë që “furnizon” vazhdimisht procesin politikëbërës.
Siç ju mund ta dini po aq mirë sa unë, në këta vende, analizat që synojnë të informojnë dhe t’u shërbejnë politikave shtetërore janë rezultat i një procesi masiv, në të cilin angazhohen dhjetra apo qindra mijëra njerëz. Korporatat private, grupet e interesit, universitetet, qendrat dhe institucionet kërkimorë organizata think tank etj. gjenerojnë një fluks të madh studimesh, të cilët i ndihmojnë procesit politikëbërës në çdo nivel.
Në Shqipëri, përkundrazi, grupet e interesit, qytetarët e interesuar dhe, sidomos, ekspertët dhe studiuesit e specializuar thuajse nuk ftohen kurrë, ose ftohet rrallë në debatet që bëhen për këtë qëllim. Kjo është e para gjë që kërkohet të ndryshojë.
Nga ana tjetër, në demokracitë e konsoliduara, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, qeveritë i zgjerojnë vazhdimisht burimet e informacionit dhe të analizave të specializuara që ndihmojnë në formulimin e politikave shtetërore.
Një varg raportesh statistikorë—për shembull, mbi shkallën e papunësisë, mbi nivelet e çmimeve, mbi importet dhe eksportet, mbi shkallën e sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë, mbi nivelin e mbetjes në shkolla apo të largimeve prej saj etj.—shtohen gjithnjë e më shumë. Edhe nëse kjo ndodh në Shqipëri, publiku nuk është i informuar sa duhet për këto të dhëna dhe aq më pak për efikasitetin me të cilin përdoren ato në hartimin e politikave dhe në vendimmarjen për të përmirësuar gjendjen aktuale.
Në shumicën e vendeve demokratikë, shpenzimet publike për kërkime, edhe në fushën e shkencave shoqërore, janë rritur me miliona dhe miliarda dollarë, ndërsa në Shqipëri një shumë krejt e papërfishme nga fondet publike shkon për studime në këto fusha.
Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vende të tjerë të zhvilluar, ku qeveritë u kërkojnë universiteteve dhe akademive ndihmë në ekspertizë dhe në shërbime të kualifikuara, ose financojnë institucione të specializuar kërkimorë në fushën e shkencave shoqërore, si korporata RAND në SHBA, ose Qendra për Kërkime në Shkencat Sociale (WZB) në Berlin, në Shqipëri, universitetet dhe akademitë mbahen larg bordeve këshillimorë dhe procesit politikëbërës, edhe pse parlamenti formalisht ka marrëveshje bashkëpunimi me të gjithë institucionet e arsimit të lartë në vend.
Mendoni për një çast: Vetëm një organizatë think tank, si korporata RAND, merret me studimin e dukurive të tilla, që nisin nga siguria kombëtare e Shteteve të Bashkuara, siguria publike në atë vend dhe rreziku terrorist, te çështjet globale, marrëdhëniet ekonomike ndërkombetare, ndryshimet globale të klimës, kibernetika dhe shkenca e të dhënave, mjedisi dhe energjia, e deri te studimet për fëmijët, familjet dhe komunitetet, ato në fushën e arsimit, të shëndetit dhe të kujdesit për të moshuarit, punësimi dhe papunësia, punëtorët dhe kushtet e tyre të punës, infrastruktura dhe trasporti, dhuna ekstremiste në shoqëri, barazia racore dhe ajo gjinore etj.
Me një buxhet vjetor prej 223 milionë USD, pjesa më e madhe nga buxheti federal, RAND punëson rreth 1,000 kërkues të kualifikuar, të cilët kanë detyrë të analizojnë thuajse çdo gjë—nga energjia e rinovueshme dhe obesiteti, te Covid-19 dhe konflikti israelito-palestinez.
Cili institucion, ose cilët institucione në Shqipëri merren me studimin qoftë edhe të disa prej dukurive që përmenda më sipër në mënyrë rigorozisht shkencore dhe ç’pjesë e buxhetit të shtetit alokohet për studime të tilla? Si mund të kemi politika shtetërore racionale e të dobishme nëse ato nuk mbështeten në rezultatet e studimeve të thelluara?
* * *
Do të ishte e tepër t’Ju flisja Juve për vlerën e analizave sociale në hartimin e politikave. Megjithatë, dëshiroj të vë në dukje se, në shumicën e rasteve, opinionet e informuar nuk dëgjohen. Për arsye të ndryshme, një numër i madh analizash dhe rekomandimesh me vlerë, që vijnë nga studiues dhe ekspertë me përvojë, jo nga analistë si ata që mbushin çdo mbrëmje studiot e disa televizionëve, shkojnë dëm.
Natyrisht, zgjidhje tërësisht analitike dhe jopolitike të çështjeve se si duhen formuluar problemet sociale dhe ç’duhet bërë për zgjidhjen e tyre nuk mund të ketë. Përveç kësaj, politikëbërësit dhe ligjvenësit nuk ndeshen me një problem të vetëm.
Ata ndeshen me shumë probleme, shpesh herë njëri më i rëndësishëm se tjetri. Por, në çdo rast, ata nuk mund t’u shmangen dot pyetjeve që janë kryekëput sociologjike, përgjigjet ndaj të cilave do të ndihmonin në identifikimin e problemeve dhe në gjetjen e zgjidhjeve sa më racionale për to.
Për shembull: Në disa qytete të vendit shkalla e kriminalitetit është më e lartë se në qytete të tjerë. Cili është problemi real? Dobësimi i ligjit dhe i rendit? Të ardhurat e ulta dhe varfëria? Kaosi urban? Tjetërsimi? Sociologët dhe studiues të tjerë të shkencave shoqërore e shohin shoqërinë dhe e studiojnë atë si një kompleks të gjerë marrëdhëniesh e ndërveprimesh njerëzore. Ata, siç vinte në dukje Peter Berger, nuk shohin fenomene të cilët nuk i vëren askush tjetër veç tyre; ata shohim të njëjtët fenomene si dhe njerëzit e tjerë, por në një mënyrë tjetër.
Perspektiva sociologjike ka të bëjë me një proces të të parit përtej fasadës së strukturës sociale. Në një prej pasazheve më të cituar në shkencat sociale, Berger ka vënë në dukje se: “Problemi sociologjik ka të bëjë jo aq me atë pse gjërat ‘nuk shkojnë mirë’ nga pikëpamja e autoriteteve zyrtare…por, në radhë të parë, me atë se si funksionon sistemi social si një organizëm i tërë”.
Sipas tij, dhe unë i përmbahem të njëjtit kuptim, “problemi sociologjik themelor është jo krimi, por ligji, jo divorci, por martesa, jo diskriminimi racial, por stratifikimi racial, jo revolucioni, por qeverisja”.
* * *
Për shkak se analizat sociale dhe analizat mbi politikat janë mjaft të dobishme dhe kanë shumë avantazhe, unë sugjeroj që qeveria që Ju drejtoni të mbështetet më shumë në to, për të përfituar prej tyre. Për të arritur atë çka Ju synoni me nismën tuaj të funit, le të kemi më pak politikë dhe më shumë analiza.
Unë jam tërësisht i bindur se, në Shqipëri, jo gjithmonë e jo në çdo fushë mungojnë njerëzit e ditur dhe ekspertiza profesionale ose akademike. Mua nuk më impresionon aspak fakti që—madje as nuk e kuptoj pse—një djali apo një vajze të re, që kanë kryer një ose dy vite studime jashtë vendit për të fituar një Master, shumë herë, madje, pa dhënë asnjë prove për njohuritë dhe aftësitë e tyre, t’u besohen pozicione drejtues në dikastere të ndryshëm të administratës së shtetit. Një Master në kohën tonë konsiderohet si arsim i papërfunduar.
Shqipëria ka mijëra vajza e djem të talentuar, si dhe njerëz të të gjitha moshave, të cilët, edhe pse nuk kanë pasur mundësi të kryejnë shkolla në Perëndim, kanë më shumë dituri dhe ekspertizë sesa mund të mendohet. Ky kapital social e kulturor duhet njohur më mirë, duhet vlerësuar më mirë, duhet përdorur më mirë dhe duhet shpërblyer më mirë.
Janë dituritë, ekspertiza dhe patriotizmi i tyre, jo pyetsorët—edhe sikur përmes tyre të merret mendimi i çdo shqiptari, brenda apo jashtë vendit—ato që mund t’u ofrojnë zgjidhje problemeve të mëdha të shoqërisë e të kombit tonë. Idetë dhe propozimet e qytetarëve, ashtu si dhe politikat apo reformat që mund të propozojnë ata, ose njerëzit e zgjedhur apo të emëruar për këtë qëllim, duhet t’u qëndrojnë standardeve më rigorozë të mbledhjes dhe të ekzaminimit të fakteve.
Problemi te ne nuk qëndron te mungesa e dijeve, por te mungesa e vullnetit dhe e dëshirës për të dëgjuar ata që dinë dhe që, për këtë arsye, mund të japin këshilla të informuara dhe inteligjente për shumë probleme e çështje nga më të rëndësishmet që preokupojnë shoqërinë dhe kombin tonë, këtej dhe andej kufirit.
* * *
Asnjë qeveri shqiptare, as në Tiranë, as në Prishtinë, nuk ka pasur dhe as ka një kulturë strategjike. Kjo kulturë na ka munguar, ndërkohë që Athina dhe Beogradi e kanë zhvilluar e përpunuar një kulturë të tillë strategjike qysh nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të dhe jo pa sukses e kanë aplikuar atë në politikat e tyre në rajon.
Me kulturë strategjike unë kuptoj një kulturë politike që kultivon e promovon ndërhyrje të herëshme, të shpejta dhe—kur është e nevojshme—të fuqishme për të përballuar situata të caktuara, të favorshme ose jo të tilla. Pa një kulturë strategjike, çdo aspiratë politike, ekonomike apo shoqërore e shqiptarëve do të ishte e vështirë të arrihej, ndërsa krijimi i kapaciteteve për realizimin e qëllimeve strategjikë do të ishte ose më pak i mundshëm, ose më i vështirë.
Siç Ju e dini fare mirë, zoti Kryeministër, qëllimet strategjikë të një shteti janë objektivat e planifikuar afatmesmë dhe afatgjatë që ai synon të arrijë përmes përparimeve graduale për realizimin e një plani të përgjithshëm strategjik. Por, a ka qeveria shqiptare një plan të tillë strategjik, i cili do të zgjidhte problemet më të mëdha të vendit dhe të kombit tonë?
Nëse Ju vërtet mendoni se pyetsorët për të mbledhur mendimet e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, do të mund të shërbenin për hartimin e një strategjie kombëtare, me keqardhje më duhet t’Ju them se mendoni gabim.
Hartimi i një strategjie kombëtare do të kërkonte jo aq opinoniet e individëve të veçantë dhe as kontributet e politikanëve “profesionistë” sezonalë, por pjesëmarrjen dhe kontributet e mendjeve më të shquara dhe të njerëzve më të talentuar të këtij kombi, në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë—ekonomistë, sociologë, antropologë, strategë ushtarakë, inxhinierë, juristë, diplomatë, ekspertë të bujqësisë, të teknologjisë së informacionit—me fjalë të tjera, tërë atë arsenal intelektual të kombit tonë, që mund të marrë përsipër e të realizojë një projekt të madh kombëtar për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët.
* * *
I nderuar zoti Kryeministër!
Njëri prej paraardhësve tuaj në krye të një qeverie socialiste, ka thënë dikur se ai i zgjidhte këshilltarët e tij jo për të kërkuar këshillla prej tyre, por për t’u dhënë atyre këshilla. Funksioni zyrtar që unë kam mbajtur në atë kohë nuk më lejon që ta përmend emrin e tij, por Ju e dini se fjalën e kam për z. Fatos Nano.
Unë mendoj se, për njerëzit, të cilëve u kemi dhënë votën tonë për të na përfaqësuar në parliament dhe për të qeverisur vendin, të dinë të zgjedhin njerëzit me të cilët bashkëpunojnë dhe prej të cilëve marrin këshilla është e para gjë nga duhet nisur.
Shumë vite më parë, kur shërbeja në Hollandë si ambasador i vendit tim, më është dhënë rasti të shoh e të dëgjoj nga afër Nelson Mandelën. Nuk më janë hequr as sot nga mendja fjalët e tij të urta, të cilat i përsëris saktësisht siç më kujtohen: Edhe një njeri i vetëm në krye të shtetit do të mjaftonte për ta bërë vendin e tij demokratik e të begatë, nëse ai do të ishte një njeri i mençur dhe i drejte, sepse, duke qenë vetë i tillë, do të dinte të zgjidhte, si këshilltarë dhe si bashkëpunëtorë, në funksione të lartë drejtues të shtetit, njerëz të tjerë të mençur e të drejtë.
Këta të fundit, po ashtu, do të dinin t’i zgjidhnin bashkëpunëtorët dhe këshilltarët e tyre ndër radhët e njerëzve të mençur e të drejtë.
Duke Ju uruar ditë të gëzuara në këtë fund viti, mbetem
Juaji me respekt,
Fatos Tarifa