Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se në rast se organet e drejtësisë do të arrijnë të bëjnë Durim Bamin Të penduar të drejtësisë, do të arrihet të sigurohen të dhëna shumë më shumë se ç’është mësuar deri tani nga bisedat në SkyECC. Megjithatë ai është shprehur se nuk e sheh shumë të mundur një gjë të tillë.
I ftuar në “Kjo Javë” në News24, Hoxha ka sqaruar se Bami akuzohet për ngjarje që kanë ndodhur gjatë viteve 2019-2021, dhe jo para apo pas kësaj periudhë, sepse sipas tij prokurorët kanë siguruar prova vetëm për këto vite.
“Bami është ekspozuar në shumë ngjarje të rënda. Është akuzuar për ngjarjen e Kasharit për atentatin nga Emiljano Shullazit dhe shumë histori të tjera. Është një njeri që i kanë bërë disa herë atentat, por emri i tij shfaqet gjithashtu në shumë raste. Vjen nga Nikla, nga ku vijnë njerëzit që kanë bërë dëm në Tiranë.
Nuk hetohet për ngjarjet para 2019 apo pas 2021. Është për ngjarje të konstatuara nga rrjeti SKY EÇ. Gjithë ky Durim i madh ta çosh në burg për hashash, bëhet e pabesueshme. Po të shohësh intrigat e bëra ndaj Bamit, është përfshirje e të gjitha grupeve më të rëndësishme kriminale në vend.
Sot diskutohet ku do ta çojnë Durimin dhe a do ta mbajnë dot të sigurt.
Bami ka bashkëpunuar një herë me drejtësinë në rastin Doshi-Meta, ai di shumë gjëra. Është një minierë dhe arkivë për ngjarjet që kanë ndodhur. Nëse do të çkodohet do të ketë më shumë informacione se çfarë kanë dalë nga SkyECC. Që të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë është e vështirë, pasi ai bën llogari, ka familjarë dhe njerëz jashtë”, tha ai.
Gazetari Hoxha ka zbërthyer gjithashtu edhe arsyet se përse Durim Bami ka kërkuar ë të vendoset në burgun e Fushë Krujë dhe jo tek 313-a, i cili është një burg shumë i sigurt.
“Në çdo burg ta çosh do të dalë një njeri që ka probleme me të. Në momentin që është sjellë dhe është çuar në bllokun e sigurisë dhe më pas tek 313, që njihet si më i sigurti, ku ndodhet dhe Meta, ndodhet Emiljano Shullazi.
Kujtoj që në atentatin ndaj Shullazit, Bami ka qenë i akuzuar. Bami ka kundërshtar në çdo burg. Ai ka kërkuar burgun e Fushë-Krujës sepse është një burg i vogël, ka personazhe të tjerë nga zona e vet dhe ndjehet më i mbrojtur. Duke pasur parasysh se çfarë ndodhi në burgun e Peqinit, tregon që nëse dikush nisen për të vrarë të vret, kanë fuqi logjistike dhe financiare.
Ai ka zgjedhur Fushë Krujën gjithashtu sepse aty e ka më afër familjen, sepse familja e tij mund të goditet dhe sulmohet ndërsa ikin për ta takuar në një burg tjetër”, tha ai.











