Gjatë javës që vjen do të ketë një zhvillim të rëndësishëm, pasi më datën 26 dhjetor GJKKO do të vendosë masën e arrestit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Pas aprovimit të Parlamentit, SPAK dërgoi kërkesën në GJKKO, e cila në seancën e së martës do vendosë masën për ish-kryeministrin, që me shumë mundësi të do jetë ajo e “Arrestit në shtëpi”.
Në analizën e tij në studion e lajmeve në “Ora News”, studiuesi dhe akademiku Artan Fuga u shpreh Sali Berisha tani duhet të mbrohet dhe të vërtetojë që është i pafajshëm.
Ndërsa për vetë opozitën ka një detyrë të madhe që të përcaktojë se çfarë do të bëhet me të nëse ndodh ky arrestim.
Në cilësinë e një studiuesi të tranzicionit në këto 30 vite, me arrestimin e z. Berisha mbyllet një cikël politik, pasi kemi një President, kryeministër, opozitar, dhe më në fund vjen një moment kur ai është deklaruar dhe pritet të shpallet nga gjykata arresti i tij. pra, është një mbyllje e ciklit të tij personal dhe unë gjithmonë kam thënë që fatkeqësisht Shqipëria, për të gjithë figurat e njohura të saj në këto 110 vite ka njohur të njëjtin cikël.
Pram tani është një cikël brenda Partisë Demokratike, e cila sigurisht pritet që tani pavarësisht se është përpara një plage të ngrohtë, por ajo do të ftohet dhe do të shikojë se ndodhet përpara një përpjete të madhe, përpara një faze shumë delikate dhe të vështirë. Kjo parti që në 30 vite i ka dhënë tonin qoftë në qeverisje, qoftë në opozitë, tani me izolimin që pritet të shpallë Gjykata, përpara saj hapet një fazë shumë – shumë e vështirë.
Unë nuk mund të zëvendësoj as prokurorët në gjykimet e mia, dhe as Gjykatën Kushtetuese, por kur vjen puna tek pjesa “a duhej, apo nuk duhej marrë pëlqimi i Kuvendit për të kufizuar liritë e z. Berisha”, a ishte kjo një cenim i lirive apo lirisë, sepse në Kushtetutë flitet për “Liri” dhe jo për “liritë” që për një person që nuk merret me këtë punë i duken gjëra pa rëndësi, por një fjalë në logjikën juridike luan një peshë të jashtëzakonshme dhe interpretimi i kësaj, a është kjo kërkesë në përputhje me Kushtetutën, kjo mbetet një çështje shumë e diskutueshme.
Unë dua t’ju them një gjë që nuk e kam dëgjuar, por që e kam menduar me vete, unë them që Gjykata Kushtetuese sigurisht ka në tagrin e saj të shikojë nëse një ligj, një vendim, një sjellje është në përputhje apo jo me Kushtetutën. Por a është Kushtetuta në përputhje me Kushtetutën? Kjo nuk është tagër i Gjykatës Kushtetuese, por është vetëm një tagër i Kuvendit. Sepse nuk mundet Gjykata të japë një gjykim nëse Kushtetuta të cilën e ka vulosur në fund Kuvendi është interpretuar mirë apo jo kur flitet për “heqje të lirive” apo “kufizim të lirisë”, këtë nuk mund ta bëjë asnjë organizëm tjetër qoftë kjo dhe Gjykata Kushtetuese, kur Kuvendi që ka voluar këtë Kushtetutë se është i mbledhur. Dhe kjo për mua i takon Kuvendit.
Sigurisht, unë mendoj se me këtë rast jo vetëm grupit të deputetëve që bënë ankesën në Gjykatë Kushtetuese u është prekur një interes, por të gjithë deputetëve u është prekur një interes.
Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe është në hapat e para fare të saj për demokratizimin e vendit, dhe në Shqipëri ndarja e pushtetit të Legjislativit dhe Gjyqësorit është në një gjendje shumë të brishtë.
Gjykata Kushtetuese, anëtarët e saj, dhe të gjithë prokurorë dhe gjyqtarë janë akoma nën presione të mëdha politike, ndaj një deputet shqiptar përveç rasteve të flagrancës ka nevojë të mbrohet nga imuniteti i deputetit. Këtë e kam bindje se në kushtet që jemi ne nuk e kemi luksin që t’i kemi deputetët pa imunitet. Sepse kërkohen prova të fuqishme të cilat unë akoma nuk i kam parë dhe më këtë nuk them që z. Berisha është as i fajshëm dhe as i pafajshëm, por jam duke thënë që deputetët shqiptarë kanë nevojë për një mbrojtje, për prova, për procedura, përnjë debat, për një diskutim në Kuvend, pra për një respekt për një të zgjedhur të popullit.
Sepse një akuzë e tillë për korrupsion dhe ku di unë ndaj një deputeti të opozitës, sigurisht kjo akuzë ka dhe dimensionin e saj politik. Sepse goditet në këtë rast kreu i Opozitës dhe bashkë me të goditet e gjithë Opozita.
Tani për mua ka pak rëndësi kjo, por dihet që kreu i Opozitës në këto 30 vite ka qenë objekt i goditjeve politike, që nga Fatos Nano, Sali Berisha, madje edhe Edi Rama, edhe Ilir Meta. Por për mua problemi nuk është ky, problemi është faza që vjen, ku z. Berisha patjetër duhet të hetohet dhe z. Berisha tani duhet të vërtetojë se është i pafajshëm.
Ndërkohë, nga pikëpamja politike, Partia Demokratike ndodhet përpara një të përpjete, sepse pyetja për të shtrohet kështu: “Çfarë do të bëhet në momentin kur lideri i saj është i izoluar politikisht?”
Përgjigjen e kësaj e dinë ata, se sa të zotë do të jenë, pasi të gjitha mundësitë dhe rreziqet janë të hapura. Kjo në kuptimin që këta 40-43 deputetë të cilët muajt e fundit kishin treguar edhe një lloj kohezioni në qëndrime, me gjithë diferencat e jashtëzakonshme me qeëndrimet e tyre, por që po përpiqeshin të jetonin bashkë, a do jetojnë më bashkë? Do jenë më bashkë? Do të pranojnë të bashkëpunojnë më?
Së dyti, vjen momenti tjetër që ka të bëjë me faktin që si do të drejtohet Partia Demokratike konkretisht. Këtë e shikoj të paqartë. Slogani “Të zgjojmë luanin”, pra “të zgjojmë popullin” është nuk e di. Seps ena duket sikur jemi në periudhën iluministe, ku populli pret të ndriçohet dhe pastaj do të ngrihet. Jo! Njerëzit janë të qartë, ata i kanë bërë llogaritë vetë.
Unë nuk mendoj se tani është momenti tek njerëzit konkretë që kush mund ta pasojë z. Berisha, apo se kjo mund të bëhet nga individë. Prej muajsh kam thënë që opozita duke e ruajtur këtë traditë, duke respektuar ata që kanë dhënë kontribute, duke respektuar të gjithë ata që kanë një kapital elektoral të madh, duhet të nxjerri një grup të rinjsh të moshave 40 – 45 vjeçarë me ide të reja, profile të reja, të pakonsumuar në publik, që të jenë një grumbull të rinjsh me emancipim të ri, në mënyrë që t’i japin shpresë elektoratit për një opozitë që jep jo vetëm kritikën që i bëhet korrupsionit, por t’i japë alternativën që sot mungon.
Pra, mendoj se e vetmja zgjidhje për Partinë Demokratike është të nxjerrë një grup, i cili le të quhet një qeveri e mundshme hije. Biles, jo një të tillë, por dy apo tre apo 40 të rinj të talentuar, të cilët të kenë mundësi të drejtojnë nesër”, u shpreh në analizën e tij, akademiku Artan Fuga.
/f.s