Nga Ylli Pata
Sikur të jetë thjeshtë çështje inati, shpërthim emocionesh, si pasojë e urrejtjes që kanë me Yuri Kim, mund të arsyetohet fushata e përqendruar e baltës ndaj ish-ambasadores amerikane në Tiranë, nga shtabi i lartë i PD.
Nëse do të kishim reagime spontane, thumbime me satirë, për “t’ja ngulur” një personazhi antipatik për atë pjesë të opozitës, natyrisht që nuk do të kishte një problem.
Megjithatë, problemi këtu qëndron, se kemi të bëjmë me një qitje të komanduar jo me breshëri por “një nga një”, për të shkaktuar një efekt të posaçëm politik.
Dhe efekti i posaçëm politik, nuk është gjë tjetër veçse kryeproblemi i partisë kryesore të opozitës në Shqipëri.
Sanksionimi i Sali Berishës dhe familjes së tij nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tre çështje të rënda siç është: Korrupsioni Madhor, Pengimi i Drejtësisë dhe Minim i Demkracisë.
Një sanksion që Sali Berisha është përpjekur ta heqë apo lehtësojë, nëpërmjet një aksioni agresiv lobimi përpara zgjedhjeve parlamentare. i cili u zbulua më vonë dhe flet për një sasi marramendëse milionash, që është komisionuar me shoqëri dhe zyra të rëndësishme pranë MAGA-s që merren me përmirësim imazhi.
Një aksion që përdoret gjerësisht nga qeveri e politikanë botërorë të cilët apo vendet e të cilëve kanë probleme të marrëdhënieve me qeverinë e SHBA.
Mungesa e një rezultati pozitiv në këtë aspekt, ka frustruar jo vetëm të zotin e punës, përkatësisht Sali Berishën, por edhe establishmentin e asaj partie. i cili e ndjen të detyruar të angazhohet në aksionin apo hallin e liderit të tyre.
Deputetë dhe ish-deputetë që kanë lëshuar të gjithë gjuhën me fjalë nga më të rëndat për një diplomate, e cila prej dy vjetësh nuk shërben më në Shqipëri.
Madje edhe angazhimi i saj në Uashington, nuk ka fare lidhje me Shqipërinë. Në këtë rast, edhe nëse ka një inat të shtuar sidomos për qëndrimet e diplomates amerikane, ata nuk ka përse t’i përgjigjen me një gjuhë rruge të dinjitarëve politikë të PD-së.
Për arsye, se në politikë koha është një fenomen shumë i rëndësishëm, pavarësisht se në kujtesë mund të mbeten inate dhe zhgënjime për shumë zhvillime. Në fjalë të tjera për publikun shqiptar nuk përbën fare lajm se ku është Yuri Kim, në punë apo me leje, në shtet apo privat.
Sidomos për një forcë politike, e cila pas një rezultati të rëndë në zgjedhjet parlamentare, i duhet të ndërtojë një aksion të gjerë politik, sidomos me partnerët ndërkombëtarë.
Tjerrja e telenovelës verore të Yuri Kim, nuk është gjë tjetër veçse një lloj “bari” për të furnizuar opinionin që të ushqehet në mungesë të ushqimit bazik që në këtë rast është politika reale.
E cila e përkthyer në koncept perëndimor, do të thotë se lideri aktual i PD-së, sado që të vlerësohet shumë nga njerëzit që e rrethojnë, ai është i sanksionuar nga SHBA.
Një vulë që është A-ja politike për çdo formacion politik që synon të vijë në pushtet. Vulë, natyrisht në radhë të parë për zgjedhësit e Shqipërisë, të cilët nuk duan të udhëhiqen nga një politikan i sanksionuar nga Perëndimi, përkatësisht udhëheqësi i botës perëndimore.
Pastaj vjen afërsia, dëshira, apo edhe shijet e SHBA dhe vendeve të tjera të Perëndimit. Këta shtete nuk do ta kontestonin një lider të sansionuar prej tyre nëse shqiptarët e zgjedhin në krye të tyre.
Por, çdo shtet serioz mban shënim dhe e lexon drejt këtë qëndrim, si një zgjedhje anti-perëndimore. Dhe natyrisht, nga ky qëndrim rishikon logjikën e marrëdhënies. Ne nuk jemi në këtë fazë, pasi SHBA dhe vendet e BE janë më skrupuloze në leximin e dëshirës së qytetarëve.
Ama jemi në fazën kur SHBA mban qëndrim ndaj opozitës, pikërisht prej sjelljes së tyre ndaj sanksioneve ndaj liderit të tyre. Ky është kryeproblemi, ndaj u shpik telenovela “Yuri Kim”, si për ta gjetur fajtore ndaj njerëzve që i kërkojnë Berishës pse se hoqe Non Gratën.
Dhe duke shpallur shkarkimin e Yuri Kim, i thoshte që tani “prisni shtatorin” se doktori do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë. Siç po e thonë vazhdimisht. Por shtatori është shumë pranë…











