Pas arrestimit të grupit prej 16 personash që merrej me kontrabandën e ilaçeve ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në një postim në rrjetet sociale, ky dikaster vlerëson punën e policisë dhe i bën apel farmacive që të jenë të kujdesshme në tregtimin e barnave pasi kushti ligjor është pulla fiskale.
“Të gjitha ilaçet në farmacitë tona kanë kusht ligjor që të jenë të pajisura me pullën fiskale. Farmacitë, në respekt të qytetarëve, duhet të tregojnë kujdes në tregtimin e barnave, duke u bazuar në të gjitha rregullat dhe ligjet në fuqi.
Nga ana tjetër, u bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë mjaft të kujdesshëm në këtë aspekt, dhe të pranojnë vetëm barna të pajisura me pullën fiskale”.
Ministria e Shëndetësisë thekson se së bashku me institucionet e varësisë dhe organet kompetente, do të vijojë të jetë mjaft e ashpër në marrjen e masave dhe vendimeve, për sa i përket veprave të tilla penale, të cilat rëndojnë tek shëndeti i qytetarëve tanë.
/a.d