Të arratisur nga frika e burgosjes dhe e persekutimit në Turqi, dhjetra anëtarë të lëvizjes Gylen kanë gjetur strehë-por jo siguri në Tiranë, ku i frikësohen përndjekjes dhe miqësisë së qeverisë shqiptare me Erdoganin.
Nga Vladimir Karaj
Një mëngjes në fund të gushtit 2016, ende pa gdhirë, Esin dhe Hüseyin Sakınmaz mbushën makinën me ushqime të gatshme në shtëpinë e tyre në Stamboll dhe u nisën drejt Jugut, pa e ditur se ku do të përfundonin.
Ata u futën nëpër rrugë dytësore nga frika se kamerat në autostradë do të fiksonin targën e makinës dhe udhëtuan për qindra kilometra përbri fshatrave të Turqisë. Për tre ditë me radhë, hëngrën në heshtje vaktet në makinë dhe dremitën po aty. Nuk ndaluan askund për të pyetur për drejtimin, nga ankthi se mund t’i denonconin.
“Ndërsa bashkëshorti ngiste makinën, unë ndjehesha e paralizuar, pa qenë e zonja të flisja qoftë dhe një fjalë të vetme. Truri më ishte mprirë totalisht dhe nuk ndieja asgjë,” kujton Esin dy vjet më vonë, e ulur në një stol betoni pranë sheshit Skënderbej në qendër të Tiranës.
Nënë e tre fëmijëve dhe specialiste e marrëdhënieve me publikun në njërën prej zyrave të lëvizjes “Hizmet” në Stamboll, Esin Sakınmaz vendosi të largohej nga Turqia, më 19 gusht 2016, menjëherë pas arrestimit të 56 shoqeve dhe kolegeve të zyrës.
E bindur se ishte radha e saj, Sakinmaz i la tre fëmijët e mitur në kujdesin e prindërve dhe pas udhëtimit 3-ditor, u përvodh më 30 gusht 2016 në një avion që udhëtonte nga Adanaja drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Plani ishte që i shoqi dhe fëmijët do ta ndiqnin pas në SHBA. Por në tetor 2018, pas një sërë peripecish, familja Sakinmaz ndodhej në Tiranë.
Lëvizja e krijuar nga kleriku Fetullah Gylen dhe ndjekësit e saj akuzohen nga Turqia si organizatorë të grushtit të shtetit të mbetur në tentativë në 15 korrik 2016, i cili shkaktoi 251 viktima. Gylen i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar veprimet e qeverisë si “gjueti shtrigash”.
Sipas Amnesty International, më shumë se 50 mijë persona ndodhen në burg dhe po kaq ndiqen penalisht me masa më të lehta sigurie prej korrikut 2016, për shkak të afërsisë me Lëvizjen Gylen.
Qindra mijëra turq të tjerë u larguan nga frika e përndjekjeve dhe u vendosën në vende të ndryshme. Vetëm në vitin 2017 sipas Eurostat, më shumë se 14 mijë qytetarë turq kërkuan azil në shtetet e Bashkimit Europian.
Një grup i vogël prej rreth 60 familjesh turke gjetën strehë në Shqipëri. Numri i tyre i shtohet një komuniteti të përbërë kryesisht nga mësues dhe punonjës në shkollat që ndjekin idetë e Gylen në Tiranë, të cilët ndodhen në Shqipëri prej fillimit të viteve 90’.
Prej më shumë se dy vitesh, qeveria e Turqisë i konsideron të singjashmit e Esin Sakınmaz si “terroristë” dhe i kërkon Shqipërisë ekstradimin e tyre. Kërkesat e vazhdueshme të Ankarasë kanë rënë deri më tani në vesh të shurdhër. Megjithatë, të arratisurit nga Erdogan jetojnë “në hije” në Tiranë.
BIRN intervistoi disa pjestarë të lëvizjes Gylen, të cilët pasi lanë gjithçka në Turqi dhe u arratisën nga frika e burgosjes dhe e persekutimit, jetojnë sërish në fshehtësi dhe pasiguri në Tiranë. Të kërkuar nga Turqia -dhe në shumë raste të mohuar edhe nga të afërmit e ngushtë, ata hezitojnë të aplikojnë për azil politik në Shqipëri dhe nuk duan të ekspozohen si të tillë.
Gjithashtu, ata i thanë BIRN se i trembeshin miqësisë mes qeverisë shqiptare dhe asaj turke.
“Me vende të tilla si Shqipëria, ose me vende me ekonomi të dobët, Erdogani shumë gjëra mund t’i bëjë me para,”hamendëson Ismail*, një gazetar 43-vjeçar që foli me BIRN në kushtet e anonimatit.
“Shqiptarët e duan Erdoganin”
E pushtuar nga Perandoria Osmane deri në fillim të shekullit XX, Shqipëria gjendet sot në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Por vendi ruan historikisht marrëdhënie të ngushta me Turqinë dhe kryeministri Edi Rama e quan “vëllai dhe miky ynë i pandarë” presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
Shqipëria shpreson gjithashtu prej vitesh të thithë investime nga Turqia. Së fundmi, Rama ka njoftuar se ka marrë mbështjen e Erdogan për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë dhe po ashtu mbështetje për një kompani fluturimesh shqiptare.
Prej vitesh, presidenti Erdogan dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë turke i kërkojnë Shqipërisë të mbyllë rrjetin e shkollave të themeluara nga Lëvizja Gylen. Kërkesa hasi në kundërshtime, ndërsa qeveria tha se do të zbatonin legjislacionin e vendit.
Por pas grushtit të dështuar të shtetit, kryeministri Rama ndryshoi retorikë dhe pasi e cilësoi organizatën Gylen të “rrezikshme”, deklaroi se njerëzit që supozohen të lidhur më të mbahen nën monitorim në Shqipëri.
Në tetor 2018, presioni i qeverisë turke duket se arriti nivele të reja. Gjatë një vizite në Tiranë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu e vendosi vijën e kuqe tek të strehuarit e lëvizjes Gylen. Homologu i tij shqiptar, Ditmir Bushati tentoi të shmangte telashin gjatë një konference të përbashkët për shtyp.
“Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që vjen nga Shqipëria. Të njëjtën gjë presim edhe nga miqtë tanë shqiptarë”, tha Çavuşoğlu në Tiranë. Bushati u përgjigj se Shqipëria do zbatonte “dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit”.
Përtej deklaratave publike, qeveria shqiptare gjendet e zënë ngushtë mes linjës së Perëndimit dhe presionit që vjen nga Lindja. Një burim qeveritar i tha BIRN se pas vizitës së Çavuşoğlu në Tiranë, shqetësimi në kabinetin qeveritar u rrit ndjeshëm.
“Sulltani na kërkon gjëra që nuk mund t’ia plotësojmë,” mësohet t’i ketë thënë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati kryeministrit Rama në tryezën e mbledhjeve të qeverisë. Ky i fundit është parë të përgjigjet me një të tundur të kokës.
Prej vitit 2016, Ministria e Brendshme e Shqipërisë numëron vetëm 35 shtetas turq që kanë kërkuar azil në Shqipëri. Në përgjigje të një kërkese për informacion, Ministria vuri në dispozicion statistika sipas të cilave numri i azilkërkuesve nga Turqia u rrit nga dy në vitin 2016, në 24 deri në gusht të vitit 2018.
Megjithatë, numri real i të strehuarve në Shqipëri mendohet të jetë disa herë më i madh.
Pjestarët e lëvizjes Gylen që BIRN intervistoi në Tiranë thanë se shumica nuk ka kërkuar azil në Shqipëri nga frika se mos ekspozohen. Ata pretendojnë se marrëdhënia mes Ramës dhe Erdogan i bën të dobëta garancitë për qëndrimin e tyre në Shqipëri.
Ismaili* mbërriti në Tiranë pasi u shkarkua me një SMS nga televizioni ku punonte si gazetar, menjëherë pas grushtit të dështuar të shtetit. Nga shtëpia e tij me qira në periferi të Tiranës, ai thotë se nuk ka ndërmend që të kërkojë azil dhe se jeton prej dy vitesh me një plan B në mendje.
“Në rastin më të keq, nëse rrethanat nuk do të jenë në favorin tonë, atëherë do të jem i detyruar të kërkoj azil në një vend tjetër të Europës,” thotë Ismail.
Një biznesmen i larguar nga Turqia bashkë me familjen dhe i vendosur në Tiranë, pasi pranoi të intervistohej nga BIRN dhe tregoi në një bisedë paraprake se i ishin sekuestruar miliona euro pasuri në Turqi, u tërhoq nga këto qëndrime në një takim të dytë.
“Erdogan dhe Rama janë miq të ngushtë. Shqiptarët e duan Erdoganin,” tha ai para një gote të madhe me çaj turk në një kafene në periferi të Tiranës, ndërsa shpjegoi se kishte ndryshuar mendje për intervistën.
Administratori i kolegjeve “turke” të afërta me lëvizjen e Gylen, Mustafa Ustuner i tha BIRN se përtej toneve në media, ata nuk kishin hasur probleme me institucionet shqiptare. Ustuner thotë se në Shqipëri është “i qetë, i lumtur dhe më i sigurt”, megjithëse pranon se presionet në Turqi kanë ndikuar te kompania që zotëron shkollat.
“Disa nga aksionerët e mëparshëm ishin shtetas turq që jetonin në Turqi. Duke u ndikuar nga presioni dhe frika e krijuar në Turqi, ata vendosën të tërhiqen nga aksionet, duke ia kaluar ato aksionerëve të rinj që jetojnë jashtë Turqisë,” tha ai.
Larg Turqisë, që nuk e njohin më
Pasi Esin Sakınmaz mori avionin dhe zbriti në SHBA, ajo priti që i shoqi t’i bashkohej bashkë me tre fëmijët. Me ndihmën e babait të saj ajo nisi një kompani në Teksas, por ndihma shteroi shpejt, pasi llogaritë bankare u bllokuan.
I shoqi Hüseyin, i cili kishte qenë më herët drejtor i një shkolle të Lëvizjes Gylen në Stamboll thotë se viza amerikane iu refuzua, ndonëse ai kishte pasur një të tillë më herët. I mbetur vetëm me fëmijët, ai u kthye në Stamboll dhe fëmijët rifilluan shkollën. Por nuk ndjehej i sigurt.
Në nëntor 2016 shkon në Bosnje dhe më pas aplikon për një leje qëndrimi në Kosovë. Në janar 2017 kthehet në Turqi, merr fëmijët dhe vendoset në Tiranë me ndihmën e një të njohuri shqiptar. Duke parë se bashkimi i familjes në SHBA ishte i pamundur, Esin udhëton në Kanada, ku aplikon dhe fiton status azilanteje politike. Hüseyin bën të njëjtën gjë nga Tirana dhe në kohën e intervistës, mbetej në pritje të një përgjigjeje.
Pjestarët e Lëvizjes Gylen i thanë BIRN se shkaqet ekonomike ishin një ndër arsyet që i shtynë të vendoseshin në Tiranë. Kostoja e ulët e jetesës krahasuar me vendet e BE-së mundëson përkohësisht një jetesë të përballueshme. Megjithatë, mungesa e punës dhe shkaqet ekonomike mbeten gjithashtu një arsye për të mos zënë rrënjë në Shqipëri.
Për shkak të mungesës së punës, shumica e të strehuarve në Tiranë e shohin vendin si pikë tranziti drejt Perëndimit. Asnjëri prej tyre nuk shpreson të kthehet sërish në Turqi.
Esin Sakınmaz i tha BIRN se ajo la një Turqi që nuk e njihte më, ku njerëzit spiunonin njëri-tjetrin për 5 mijë lira dhe ku familje të tëra i kthyen shpinën njëra-tjetrës.
“Njerëzit u bënë të këqinj. Nuk arrij ta kuptoj se si ndodhi. Kishte një ndjejë frike. U ndanë familje të tëra…,” tha ajo mes lotëve.
Ismail ndan të njëjtën brengë me Esin dhe kujton se ditët e fundit në Turqi ishin shumë të rënda. Ai mësoi se fqinjët kishin bërë plan për t’i dëbuar nga pallati, ndërkohë që askush nuk luante më me fëmijët e tyre.
Të tjerë e pësuan edhe më keq. Gazetari tregon se dyert e anëtarëve të lëvizjes filluan të shenjoheshin me gërmën “F” apo me shënime të tipit “në këtë hyrje banon një pjesëtar i FETO”.
Dy vjet më pas, duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Gazetari 43-vjeçar thotë se bisedon në telefon me nënën, por ajo është gjithmonë nën presionin e vëllezërve dhe fqinjëve për t’i shkëputur kontaktet me të.
“Të gjithë e shohin si nëna e një ‘terroristi’, por unë nuk kam prekur kurrë armë me dorë,” thotë ai.
Të intervistuarit mohojnë çdo akuzë ndaj tyre dhe Lëvizjes Gylen. Megjithatë, presioni i vazhdueshëm në media, nga qeveria dhe të njohurit, i ka bërë disa që të dyshojnë dhe te vetja.
“Ti e di që je i pafajshëm, por njerëzit dhe shoqëria ushtron vazhdimisht presion ndaj teje. Vjen një moment që njeriu fillon të mendojë mos vallë kam bërë ndonjë gabim që po përballem me gjithë këto vështirësi,” tha Hüseyin Sakınmaz për BIRN.
Përndjekje edhe në Shqipëri
Prej vitit 2016, qeveria turke ka nisur një fushatë për të ekstraduar “armiqtë e arratisur” apo edhe ata që ishin larguar prej vitesh nga vendi. Rreth 100 persona besohet se janë ekstraduar në Turqi prej asaj kohe, përfshi edhe 6 mësues dhe drejtues shkollash në Kosovë.
Fushata e ekstradimeve dhe disa komplote për rrëmbim personi përplasën Ankaranë me një sërë qeverish Perëndimore, përfshi Uashingtonin që ka refuzuar ekstradimin e Gylenit.
Në Shqipëri nuk është ekstraduar askush, ndonëse Ankaraja deklaron se ka vënë në dispozicion të autoriteve shqiptare një listë me emra që në vitin 2013.
Abdullah Bozkurt, ish-shefi i seksionit anglisht të së përditshmes turke “Zaman”, e sekuestruar dhe mbyllur në mars 2016, i tha BIRN në një intervistë përmes Skype se qeveria e Erdoganit po i përdor marrëdhëniet ndërqeveritare për të siguruar ekstradime.
I larguar nga Turqia në fund të korrikut 2016, pasi 47 kolegë dhe bashkëpunëtorë u arrestuan, Bozkurt ka fituar azil në Suedi, ku drejton organizatën e krijuar nga turqit në ekzil “Qendra për Lirinë”.
“Qeveria e Turqisë po përdor çdo metodë dhe taktikë. Disa herë ofrojnë kontrata, para, favore në marrëveshjet ndërqeveritare vetëm që kjo të ndodhë”, tha Bozkurt.
Sipas tij, fushata e frikësimit dhe e përndjekjes drejtohet përmes ambasadave dhe më shumë se të arratisurit, ka për qëllim të frikësojë ata që jetojnë në Turqi.
“Është pjesë e fushatës së frikësimit, për të ruajtuar klimën e frikës brenda Turqisë. Ti mund të jesh jashtë Turqisë, por nuk je i sigurt sepse ne mund të të ndjekim, të të ndëshkojmë, mund të të hedhim në qeli dhe të mos e shohësh dritën e diellit,” tha Bozkurt nga Stokholmi.
Pjestarët e lëvizjes Gylen me të cilët BIRN bisedoi u shprehën të bindur se mbaheshin nën vëzhgim edhe në Tiranë dhe se nuk dilnin asnjëherë në qytet të pashoqëruar.
Ismaili i tha BIRN se ndonëse nuk ia kishte dhënë askujt adresën në Tiranë, policia turke i kishte vënë përpara të vëllait në Stamboll të dhënat e plota, gjatë një seance të marrjes në pyetje. Ai shtoi se në një rast, tre persona që flisnin turqisht qëndruan për disa orë pranë pallatit ku ata banonin dhe vëzhgonin këdo që hynte dhe dilte.
Lajmet në mediat shqiptare, pro apo kundër Erdoganit qofshin, janë një tjetër shqetësim për gazetarin 43 vjeçar.
“Sa herë që lexojmë një artikull për Erdoganin, fatkeqësisht na kaplon pak frika. Çdo javë, një këshilltar apo zëdhënës i Presidentit deklaron se askush nuk duhet të ndihet i sigurtë… Do gjejmë një mënyrë, thonë, për t’i ‘paketuar’ dhe për t’i kthyer,” thotë Ismail.
Për të njëjtat arsye, Esin dhe bashkëshorti Hüseyin Sakınmaz i kërkuan BIRN të ruante identitetin e tyre nëse ata do të ishin ende në Shqipëri para publikimit. “Nuk dihet ku do të jemi pas 6 muajsh apo një viti,” tha Sakınmaz.
Por në fund të tetorit, ata dërguan një e-mail të shkurtër, duke nënkuptuar se tashmë ishin larguar: “Mund ta publikoni intervistën në formën të plotë. Nuk është (më) një problem për ne”!
Problemet me Ambasadën në Tiranë
Një numër shtetasish turq që indetifikohen nga Ankaraja zyrtare si “Gylenistë” punojnë pranë shkollave të njohura si “kolegjet turke” dhe kanë vite që janë vendosur në Shqipëri. Ata thonë se deri tani nuk kanë pasur asnjë problem me autoritetet shqiptare, por nga ana tjetër ankohen për ambasadën e Turqisë në Tiranë. Administratori i kompanisë “Turgut Ozal Sh.a”, e cila zotëron disa shkolla në Shqipëri, Mustafa Ustuner i tha BIRN në një intervistë përmes e-mail se stafi i tij kryesisht mësuesit kanë problem rinovimin e pasaportave prej Ambasadës së Turqisë në Tiranë. Ustuner tha se fëmijës së një guzhinieri që punonte për ta nuk iu lëshua certifikatë lindje, ndërsa babait që u paraqit të bënte regjistrimin i prishën pasaportën.
“Jo vetëm mësuesit e shkollave, por edhe i gjithë personeli ka rënë pre e këtyre veprimeve të jashtëligjshme të kësaj ambasade”, thotë Ustuner. Sipas tij “kjo lloj sjelljeje ndaj fëmijëve të sapolindur nuk ka vend në llogjikë”. Ambasada e Turqisë nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN në lidhje me këto akuza.
Ustuner tha se shkollat në Shqipëri, goditja e të cilave u kërkua nga Erdogan gjatë vizitës në Tiranë në vitin 2015, nuk kishin “lidhje tregtare apo organizative me lëvizjen Gylen”, por ishin formuar “nga njerëz që vepruan me këto mendime (Të klerikut Fetullah Gylen)” dhe tha se ai vetë ndiqte këto mendime.
*Emri është pseudonim i vendosur nga BIRN për të ruajtur identitetin e vërtet të të intervistuarit.