Postuar: 28/01/2016 – 08:09
Një nga arritjet që ka alarmuar regjimin komunist në Shqipëri, është ajo e 2 Korrikut të vitit 1984, ku pesë qytetarë shqiptarë arritën të largoheshin nga Liqeni i Shkodrës, duke shkuar në Malin e Zi, asokohe pjesë e Jugosllavisë, ndërsa dolën dhe folën në televizionin e Beogradit. Arratisja ishte një pezmatim i dyfishtë për regjimin komunist. Nasi Pavllo, njëri prej 5 djemve që u arratisën më 2 korrik 1984 nga Liqeni i Shkodrës, gjatë një interviste për Robert Papën, ka rrëfyer detaje nga aventura e rrezikshme dhe loja me vdekjen e sigurtë. Nasi Pavllo thekson se tmerri ishte i madh, pasi në ujë nuk të arrestonin, por të vrisnin. Ai rrëfen parapërgatitjet për këtë arratisje, që sfidoi regjimin komunist dhe propagandën komuniste për sigurinë në kufi. Pesë djemtë kanë bërë 11 kilometra not, të kaluar në Jugosllavi, duke u endur për 10 orë mes dallgëve. Pavllo ka theksuar se jugosllavët nuk besonin se kishin përshkruar një distancë kaq të largët me not. Nasi Pavllo ka rrëfyer kontaktet e para me serbët, pritjen, takimet dhe daljen në televizionin e Beogradit.
Kur u arratisët dhe a kishit frikë se mos ju vrisnin ushtarët e kufirit?
Ne jemi arratisur më datë 2 Korrik të vitit 1984. Kemi mbërritur në datën 3 në Jugosllavi, në anën tjetër të Liqenit të Shkodrës. Ishim pesë vetë. Ishim dy vëllezër nga Tirana dhe një shok i joni. Tre nga Tirana dhe dy vëllezër nga Shkodra. Ato rreziqet ishin të gjitha, si arrestimi, vrasja etj. Pastaj ne e dinim se Iliri dhe Dalipi sa dolën nga burgu ishin nën vëzhgim. Dihej shumë mirë që ushtria shqiptare, policia e kufirit, ushtria kufitare nuk të arrestonin po të ishe në ujë, por do vinin të të asgjësonin direkt. Ditën e kaluam në plazh me gjithë shkodranët e tjerë. Në darkë, sipas planit të dy vëllezërve shkodranë që e dinin më mirë planin e arratisjes, shkuam të ndërronim rrobat, qëndruam derisa u errësua dhe filluam të dalim avash-avash, barkas, në ujë gjithmonë, se ishim në ujë. Plani ishte që, gjithmonë duhet të bësh stërvitje, të bësh not, që krahët të mos të të lëshojnë në mes të rrugës, të rregullosh frymëmarrjen etj. Numri dy ishte kryesorja, që të mos ngatërrosh dritën shqiptare me dritën jugosllave që të notosh gjithë natën dhe të përfundosh në tokën shqiptare. Prandaj, ne shkuam tre herë rresht. Çdo dy tre javë, që rrinim aty derisa errej, deri në orën 10:00-10:30, që na mësoheshin sytë me dritën e portit jugosllav. Ishte një port i vogël, në një fshat shqiptar.
Sa kilometra mund të ishte afërsisht?
Jugosllavët në fillim ishin pak të dyshimtë se si ka mundësi që keni notuar ju kaq shumë. Një herë po na shtrëngonin me fjalë se ju ka nxjerrë Sigurimi deri në një farë vendi me varkë dhe jeni hedhur më vonë. Ne qeshnim dhe ju thoshim se ju nuk e njihni fare Shqipërinë. S’keni fare rini shqiptare. Ndoshta ishin dhe provokime. Por, ata e mendonin. Duke ju treguar në pikën nga bregu i rërës, ku u nisëm ne, dukej që e njihnin shumë mirë. Vunë ato të ushtrisë dhe e matën duke thënë që është 11 kilometër e një çerek. Sipas atyre.
Sa zgjati?
Unë për vete jam futur në ujë në orën 9:15 në darkë, jemi futur të gjithë. Meqë Iliri, si Iliri, pa disiplinë, nuk bënte stërvitje me ne në Liqenin e Tiranës dhe ishte më i papërgatituri. Unë isha vëllai i atij dhe nuk mund ta lija. Çunat vijuan notin. Kur futesh aty ke vënë në balancë jetën, nuk mund t’i kërkosh dikujt tjetër. Ne e kemi lënë që në këtë datë do arratisemi, do stërvitemi me disiplinë dhe do ndjekim të njëjtin rregull. Ose përndryshe do përfundojmë të gjithë në burg. Por Iliri është trim, ka zemër të fortë dhe me ndihmën time, dolëm të dy. Edhe pse atë natë ishte një stuhi e jashtëzakonshme. Na ndahu stuhia.
Kishte dallgë?
Kishte dallgë shumë. Dallgët mund të ishin 3-4 metra të larta dhe e bënin vargun që këtu edhe 7-8 metra më tutje. Kështu që kur ikte një dallgë vetëm aty mund të shihje se ku i kam shokët.
Nuk ruheshe me ndriçim kufiri?
Kufiri u ruajt me ndriçim deri sa filloi stuhia. Por ata kontrollonin shumë në Shirokë. Kontrollonin këtë katër kilometërshin, ndërsa ne ishim gati 8-9 kilometra larg. Ata kurrë nuk e mendonin, pasi asnjeri nuk kishte ikur me not në këtë pjesë. Me varka kishin tentuar, por jo me not. Pasi kontrollonin aty, e drejtonin drejt sa ishte vija e kufirit. Kur vinte drita ne zhyteshim dhe kur ikte ajo ne dilnim. Se e çonin deri në Shkodër dhe kur kthehej ne sërish zhyteshim. Kështu që nuk ishte e mundur për ta që të shihnin atë dallgën e vogël që bëhet nga zhytja e kokës së njeriut. Kur iku hëna dhe filluan pika shiu të mëdha dhe era ata e mbyllën për të gjithë natën. Nga ora 9:30, 10:45 e mbyllën ata. Rreth nja dy orë mund të ketë vazhduar kjo, sepse e mbaj mend që tre herë na u bë kjo, e vunë dritën. Sipas këtyre ishte çdo gjysmë ore deri në 35 minuta. Që po ta llogarisësh që vjen te rreth dy orëshi me kohën që jemi nisur ne. Doli dielli kur unë kam arritur në ishull. Aty pashë ata vëllezërit shkodranë.
Sa orë zgjati?
Për mua zgjati 9 orë e gjysmë pa ndaluar, sepse unë po shtyja dhe Ilirin. Iliri pastaj kishte dalë në tokë. Nuk i ishte mbushur mendja për të dalë në ishull dhe kishte dalë në tokë. Ishin dy ishuj të vegjël të pabanuar. Unë dhe këta dy shkodranët qëndruam aty, ndërsa ata dolën atje. Iliri sa doli. Edhe ai në mëngjes ka dalë. Takoi një fshatar aty. I foli jugosllavisht. Po i tha flas shqip. Ku është ajo qendra e kooperativës, e kishte pyetur Iliri. Ai kishte ngelur dhe çfarë qendre kooperative i kishte thënë. Aty Iliri tha që e kishte marrë vesh që ishte në Jugosllavi dhe i kishte thënë ditën e mirë dhe iku. Si Iliri shkoi dhe trokiti në një derë që ishte emri jugosllav, nuk ishte emri shqiptar.
Kishte frikë mos e kthenin?
Hetuesia që na bënë ata në burgun e Kotorit ishte fantastike. I hiqnin të gjithë të burgosurit…se burgu ishte i lirë, ishin tre kate pallat, ishte si kamp i vogël nuk kishe ku të ikje. Të gjithë i mbyllnin nëpër biruca poshtë dhe na linin vetëm ne të pestëve. Në orën 6-7 më morën mua në pyetje. E para që më tha drejtori i burgut, sepse me atë shiheshim përditë, më tha: Ne kemi marrë informata se ti Nasi je oficer i Sigurimit. U nxeha! Ju vërsula: Prandaj bën qejf Enver Hoxha me ju, ju sjell vërdallë, se ju nuk merrni vesh fare se çfarë është rinia shqiptare sidomos me familjen tonë! Që të më thuash ti mua oficer Sigurimi…, Iliri rri 10 vjet në burg sa doli një vit e gjysëm edhe me gjithë presionet që kemi pasur ne…, tim atë kirurg e arrestuan me akuza idiote, e mbajtën 7 muaj në hetuesi pse bën synetlliqe. Ai për atë është kirurg, pse ushtronte zanatin e vet…?! Me letra është vërtetuar se ai nuk kishte bërë asnjë shkelje të ligjit. Çoni njerëzit tuaj ju thashë të pyesin te Nisharaku, a jam njohur spiun i Sigurimit apo dikush tjetër? Kur mblidheshim me njëri-tjetrin diskutonim. Nuk e kuptonim se këta na bënin porovokime apo me të vërtetë nuk e kishin idenë se kush ishim ne. Që të marrësh arratinë që 16 vjeç plus burg….Unë dhe vëllai i vogël i shkodranëve, vetëm ne të dy nuk kishim qenë ndonjëherë në burg. Meqenëse nuk kishim qenë ndonjëherë në burg, mendoja unë do merrnim nga 15-18 vjet burg, kurse nga ata të tjerët kishte rrezik që ndonjë prej atyre të merrte dhe plumbin. Ata donin të çonin një relacion në Beograd, sepse një herë e shprehën. Ata u bindën me arrogancë që të siguroheshin jemi dërguar nga Sigurimi apo jo. Mbërritën te dieja e tyre se, ky grup i përmbush kushtet për të dhënë një intervistë televizive, që më pas vulosi internimin e familjeve tona. Iliri tha: Tani që më erdhi në dorë Enver Hoxha, ia rregulloj unë atij! Isha gjithmonë kurioz sepse e dija se ishte censura e kohës ndaj transmetimit. Më vonë erdhi në jetë fëmija im, shumë gjëra i kisha treguar. Një nga pikat më interesante për vajzën time ishte kur i tregoja se si u arratisëm, pse ishim kundërshtarë me rininë, pse ishim ajo pjesë e rinisë që nuk mendonim siç mendonte qeveria.
Iliri donte ta ndërronte emrin sepse kishte emrin e djalit të diktatorit…
Iliri nuk kishte gjë kundër prejardhjes së vet. Ai donte t’i thoshte popullit shqiptar që…të flasësh gjithë këtë intervistë kundër një qeverie duhet të japësh një llogari pse unë mendoj kështu. Iliri tha: Me ato që kam hequr unë, edhe emrin do ta ndërroj. Edhe gjakun po të ketë metoda këtej do ta ndërroj, sepse çdo shqiptar ka nevojë për ndërrim gjaku. Ajo që tha Iliri janë faktet dhe e vërteta. Në mjerimin që jeton sot Shqipëria, tha Iliri, nuk ka parë ndonjëherë historia e Europës! Edhe makinë nuk kam pasur, tha. E vetmja makinë që kam pasur është ajo që ka pasur autoburgu. Ishte një makinë që na çonte nga një burg te një burg tjetër. Iliri tha edhe një gjë që nuk e harroj kurrë: Sa për ato kongreset e atij…dmth ai rrinte 6 muaj para e 6 muaj mbrapa duke e propaganduar kongresin si një nga ndodhitë më të mëdhaja që kishte ky komb.
Ku synonit të shkonit ju?
Mendonin në Holandë, në Gjermani apo Suedi, në një nga këto vendet kush të na marrë. Por, meqë këta të policisë nuk na lanë të 5-tëve bashkë, në muajin e parë, Iliri me Dalipin, vëllai im me gjithë shokun e vet u frikësuan nga ato historitë që kishin dëgjuar nëpër burgje, edhe morën trenin dhe ikën në Trieste, aty ku është gjysma jugosllave dhe gjysma italiane dhe pastaj u arratisën në Itali. Kështu, duke menduar që mund të përfundoj vetëm diku në Europë nëse mund të iki, shkrova një letër dhe e nisa aty në Itali, aty ku ishte kampi i shqiptarëve në Romë dhe më në fund vendosëm me njëri-tjetrin që të takohemi, sepse mund të jetë diçka më e zorshme, sepse sipas përkthyesve, këto shtete europiane nuk ofronin strehim politikë pa mbërritur aty. Pra, duhet të ikje sërish nga Jugosllavia dhe mbërritëm në Amerikë. Por, planet i ka bërë Perëndia për njerëzit, kështu që edhe unë nuk jam pishman për as edhe një gjë. Njësoj do ta bëja jetën, si gjatë gjithë kohës, duke punuar, jam mbajtur me paratë e mia, kurrë nuk kam marrë ndihma nga qeveria në Amerikë, sepse edhe në Shqipëri unë kam qenë gjithmonë punëtor dhe kokulur. Unë kam punuar në ofiçinat e miellit.
Babai ka qenë doktor?
Babai ka qenë doktor. Në Tiranën e vogël njihej më shumë. Ishte një person shumë karizmatik dhe brezi i vet e donte shumë, e respektonin. Babain e internuan në një nga fshatrat e Elbasanit. Deri kur i liruan, diku te ’89, ‘90. Kur u bë e mundur që unë të vija në Shqipëri, mora babain me gjithë nusen e vet, shkuam tek fshati ku ishin internuar për t‘u thënë atyre faleminderit për përkrahjen që kishin treguar. Mënyra si na pritën, entuziazmi i tyre, dukej se kishin kaluar shumë mirë me babain. Në fakt, babain e ndihmuan shumë shokët e vet dhe ca si studentë që i kishin çuar në atë zonë. Kështu që filloi të bëhej vullnetar; pensionin e merrte, pensionin e kishte të mirë, ka qenë partizan, merrte pension lufte dhe pension si doktor.
Ka qenë partizan babai jot?
Ka qenë partizan në Brigadën e Parë me Mehmet Shehun. Ka qenë një nga trimat e Brigadës së Parë, jo vetëm.
Pas takimit, e mbështeste vendimin tuaj?
Babai kurrë nuk na tha një fjalë ç’na bëtë more bir, kurrën e kurrës! Unë mendova se ishit mbytur, se ishin hapur fjalë që janë mbytur, po thosha ishallah jo, meqë Cako kishte qenë doktor i Dinamos, i dinte këto manovrimet e Ministrisë së Brendshme. Disa muaj më vonë, i thanë Riku, çunat i ke në Beograd, do ikin në Amerikë. Mendimi im është që ajo fëmijëria paska një forcë të jashtëzakonshme, të tërheqka mbrapsht. Kështu që unë planet i kam bërë avash-avash që të sistemoj vajzën time këtu dhe ata. Shqipëria do të jetë vendi ku unë do kaloj shumicën e vitit.
Si e keni pasur fëmijërinë?
Unë në kopsht kam qenë tek kopshti me yll dhe shkollën e kam bërë tek shkolla Kosovë deri në klasë të katërt, pastaj tek “Mihal Grameno”. Tek ajo lagje kam kaluar gjithë fëmijërinë dhe kemi aq shumë kujtime. Kur mblidhemi me shokët dhe fillojmë të kujtojmë, besojmë se na pëlqen që kemi qenë nga fëmijët më me fat, se kemi jetuar një lagje shumë të bukur, ishte edhe qytet, edhe fshat. Kishim shumë afër pyllin e Dikut, ishin dy rezervuare, kishim një aktivitet të jashtëzakonshëm, sidomos kur mbaronte shkolla deri tek shtatori tjetër. Unë e kam kaluar mirë në Shqipëri. Unë kam kaluar një fëmijëri dhe një rini shumë të bukur, pavarësisht se mbas ushtrisë kishte një presion kundrejt meje për arsye se vëllai ishte në burg dhe mua më kishin në rrethin armik të klasës, por unë u mundova t’i mënjanoja, u mundova t’i minimizoj presionet e tyre me sjelljen time. Kuptohet që deri në momentin që ishte shumë e afërt momenti që ata do të më arrestonin dhe do të më çonin në kampet e Shqipërisë, prandaj u arratisa se unë kurrë nuk kam pasur dëshirën që të iki për të pasur një jetë materiale më të mirë. Unë kisha një jetë shumë të sistemuar, shumë të qetë në Shqipëri me shoqërinë, me familjen në shkollën Politeknike që më dha mundësinë për t’u futur në një farë kategorie më të lartë. Unë kisha të ardhura të mira, kështu që më vjen shumë keq që mbas eliminimit të Mehmet Shehut, presioni u rrit jashtëzakonisht shumë kundër meje dhe shumë shokëve të mi, të cilët mbas arratisjes time kanë pasur pasoja të hidhura, të këqija. /SOT/