Gjatë një bisede për aktualitetin e sotëm politik, miku im dhe politologu e intelektuali i njohur, Abdi Baleta, më kujtoi se koha që kalojmë, sa i takon cilësisë së zhvillimit politik, i ngjet vitit 1920. Duhet të presim edhe 5 vjet që gjërat të marrin një formë, por me ndryshimin që kursi i viteve është një me dhjetë, që do të thotë se një vit i atëhershëm është i barabartë me dhjetë vjet sot, njësoj si kursi i lekut një me dhjetë, pra duhet të presim 50 vjet.
Megjithëse në këtë konstatim të mikut tim Baleta ka diçka cinike dhe të trishtë,nga njëra anë, ka, nga ana tjetër, diçka të vërtetë dhe racionale, sepse si shpjegohet që pas gati 30 vjetësh që nga rënia e diktaturës, ne ende nuk po ndërtojmë shtet, pra ende nuk kemi institucione. Kjo që po ndodh në Shqipëri është një gjë e padëgjuar dhe i ka vënë aleatët tanë perëndimorë në gjendje habie dhe zhgënjimi të thellë që nuk ka Perëndi që mund ta shpjegojë. Partia Demokratike, ajo që lindi si shpresë e shqiptarëve me sloganin « E duam Shqipërinë si gjithë Europa!», është pozicionuar tani hapur kundër Europës. Të mos ngatërrojmë dy gjëra.
E drejta për të protestuar është një e drejtë e shenjtë dhe PD-ja, megjithëse ka gjetur një formë qesharake për të protestuar në çadrën e ngritur para Kryeministrisë, ajo, gjithsesi, është në të drejtën e saj dhe sado butaforik, karikaturor të jetë ligjërimi i saj, ajo përsëri është në të drejtën e saj të artikulojë edhe marrëzira më të mëdha se ato që artikulon. Edhe protesta për të treguar forcën duke bllokuar disa rrugë kombëtare për një orë ditën e hënë, është një e drejtë e saj që, megjithëse shkel ligjin për tubimet në Shqipëri, përsëri i jep asaj një të drejtë që të faktorizohet edhe më shumë përmes shkeljes së ligjit. Deri këtu nuk ka asnjë gjë të keqe. Atentati kundër demokracisë fillon më datën 7 maj. Ditën që në qytetin e Kavajës do të zhvillohen zgjedhjet PD-ja ka vendosur të protestojë dhe të prishë zgjedhjet, të paktën kështu kanë deklaruar zyrtarët e saj. Të njëjtin skenar PD-ja ka shpallur se do ta përdorë edhe për të prishur zgjedhjet më 18 qershor.
Natyrisht askush nuk e di se çfarë do të ndodhë realisht deri më 18 qershor. Ndoshta diçka ose gjithçka mund të qartësohet e mund të marrë udhë pas përpjekjes së fundit që do të bëjë delegacioni i BE-së që do të mbërrijë të martën. Megjithatë cilado që të jetë zgjidhja, ne tashmë kemi krijuar një precedent të rrezikshëm. Institucionet tona demokratike dhe Kushtetuta e Shqipërisë edhe kështu siç ishin, nuk përfilleshin nga aktorët politikë, por me aksionin e fundit të PD-së, ato u hodhën në erë dhe ne tani jemi në vitin 0 ose në vitin 1990 ose në vitin e largët 1920.
Kushtetuta në çdo vend të botës është frut i histoirsë së atij vendi. Ajo përmban thelbin dhe arkitrarët e një shteti. Autoriteti për të respektuar Kushtetutën që në ligjërimin politik quhet Ligj i Shenjtë, buron nga respekti për përmbajtjen e saj dhe për autorët e hartimit të saj. Mirëpo historia e Kushtetutave shqiptare është një histori e trishtuar dhe e dhimbshme. Autorët e këtyre Kushtetutave kanë bërë kujdes që aty të shenjtëoret jo e mira dhe respektimi i Shqipërisë si entitet që përmbledh interesat e të gjithë shqiptarëve, por të ligjërohet ambicia e sundimtarëve dhe e grupeve të caktuara politike.
Zogu shenjtëroi veten mbret, Enver Hoxha shenjtëroi veten e tij si diktator dhe Kushtetuta e sotme ka një përmbajtje të huazuar demokratike, por autorët e saj janë politikanë të nivelit të dytë e të tretë. Mjaft të mendosh se autorë të hartimit të saj janë Sabri Godo me arsim jo normal dhe Arben Imami. Kaq do të mjaftonte që ky dokument themeltar që mban në këmbë një shtet të shihej nga bandat politike në Shqipëri si një procesverbal i bezdisshëm të cilin mund ta manipulosh si të duash. Dhe sot dy aktorët kryesoërë të krizës Sali Berisha e Edi Rama janë për fat të keq edhe dy nga atentatorët më të mëdhenj të Kushtetutës sidomos me ndryshimet që i bënë para disa viteve.
Nëse një vend nuk ka një institucion të shenjtë besimi që të kërkojë aty zgjidhjet për krizat që sjell një demokraci në zhvillim si kjo e jona, atëhere ai vend është në luftë të vazhdueshme midis grupeve politike që synojnë ta marrin pushtetin jo me anë të votimit, por me anë të manipulimit dhe me anë të mjeteve antisistem. PD-ja ka krijuar modelin e politikës revoucionare dhe të shtetarit që sundon jo që qeveris. Ajo është larguar nga pushteti në vitin 1997 pasi provokoi luftën civile dhe pasi i kishte shkelmuar zgjedhjet dhe demokracinë. Ajo erdhi në pushtet jo me votën popullore, por me makinacionet e koalicioneve të Dushkut në vitin 2005. U largua nga pushteti me votë plebishitare dhe tani, i njëjti aktor, pra i njëjti njeri që ka rekordet më të errëta antishtet dhe antisistem, Sali Berisha, po provokon një shkatërrim tjetër të Shqipërisë, por këtë radhë jo me djegie e armë e kallashnikov, por duke djegur ligjin, Kushtetutën, konvencionet që mbajnë në këmbë institucionet e një shteti.
Ndaj Shqipëria në vitin 2017 është po në të njëjtën situatë si ajo në vitin 1914 kur nuk qeverisej dot dhe Europa vendosi të sillte një mbret nga jashtë. Është si në vitin 1920 kur përplaseshin për vdekje grupe të ndryshme politike të mbledhur pas partive politike që përfaqësonin interesa të kundërta e konfliktuale, që çuan në kryengritjen me armë në vitin 1924 dhe në riardhjen me grusht shteti një vit më vonë dhe në vendosjen e monarkisë. Edhe në këtë periudhë ne kishim një elitë të ndritur, por nuk ndërtuam dot institucione demokratike, nuk ndërtuam demokraci. Enver Hoxha dhe komunistët që erdhën më pas e gjetën këtë vend pa asnjë institucion të shenjtë besimi, ndaj instalimi i diktaturës këtu ishte i lehtë dhe shqiptarët në masë e përkrahën dhe e duartrokitën për gati 50 vjet.
Edhe në vitin 2017 Europa ka vënë duart në kokë dhe nuk di si të sillet me ne, sepse ne i kemi hedhur në erë të gjitha institucionet e besimit dhe ajo që bie në sy është se gjithçka që po ndodh dhe gjithçka që kërkohet për zgjidhjen e krizës, nuk ka si pikësynim SHQIPËRINË. PD-ja kërkon pushtetin me çdo mjet dhe me çdo kusht duke injoruar shqiptarët dhe Shqipërinë. Logjika është fare e thjeshtë. Historikisht e kemi pranuar se Pavarësia e Shqipërisë ka qenë rezultante edhe e interesave që kanë pasur aleatët tanë strategjikë. Pa mohuar luftërat e shqiptarëve për të mbrojtur territoret nga fqinjët sllavë sidomos, dhe rezistenëcën eipke të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, në ekzistencën e Shqipërisë ka ndihmuar edhe politika e Austro-Hungarisë para Pavarësisë dhe Presidenti Willson në shekullin XX.
Në qoftë se sot Kosova është e lirë dhe e pavarur kjo i kushtohet angazhimit të SHBA dhe Europës Perëndimore që i hoqën qafe atij populli zgjedhën serbe. Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe kemi shpallur se duam të bëhemi anëatëre të BE-së. Pra nuk jemi një ishull i vetëm fanar ndriçues si në kohën e Enver Hoxhës, por jemi pjesë e një familjeje të integruar. Pyetja është e thjeshtë. Si ka mundësi që të gjitha këto institucione i thonë PD-së ndërprit bojkotin dhe futu në Parlament, voto Vetingun dhe merr pjesë në zgjedhje dhe PD thotë jo. Këtë « JO » ajo e arsyeton se këta të huaj nuk e njohin Shqipërinë mirë dhe nuk e duan Shqipërinë sa ç’e do atë Sali Berisha dhe Lulëzim Basha. Epo nëse është kështu, Fishta kishte të drejtë që qysh në vitin 1909 thoshte se unë « pas sodit nuk jam ma shqiptar », sepse, nëse Europa dhe SHBA që i dhanë Pvarësinë Kosovës apo që po këmbëngulin që Maqedonia të formojë qeverinë me shqiptarët, pra nëse këta të huaj nuk e dashkan Shqipërinë sa Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, atëhere më thoni kush janë armiqtë e Shqipërisë ?