Nga Altin Ketro
Pas takimit të radhës të mbajtur në Tiranë midis 4 liderëve të Ballkanit në kuadër të procesit të nisur në Berlin dhe që është në funksion të një marrëdhënie të re ndërshtetërore në këtë ish-zonë të nxehtë të Evropës, nisi si zakonisht një stuhi akuzash kundrejt kryeministrit Rama.
Ndjeshmëria më e madhe ishte se përse Rama pranoi që Tiranën ta vizitojë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Është e habitshme kjo ndjeshmëri kaq e madhe sa herë organizator është Edi Rama, ndërkohë që nuk përbën fare problem kur presidenti Vuçiç dhe lideri serbo-boshnjak Dodik vijnë në Tiranë me ftesë të presidentit Meta, ku me atë rast nuk bëhet asnjë protest apo të ngrihet ndonjë furtunë në gotë.
Gjithsesi, akuza më e madhe që i bëhet kryeministrit Rama është se përse takohet dhe fton presidentin serb, i cili, sipas akuzatorëve të Ramës, përfaqëson një shtet i cili ka kryer krime në Kosovë, duke i përmendur midis të tjerave: masakrën e Reçakut, përdhunimet masive të grave e vajzave, si dhe shpërnguljen me dhunë të popullsisë civile drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë gjatë luftës në Kosovë.
Po, sigurisht, janë të vërteta gjithë këto krime që thashë më lart kundrejt popullit shqiptar të Kosovës. Por janë pikërisht masakra si ajo e Reçakut, përdhunimet dhe spastrimi etnik, çmimi që Kosova duhet të paguante për të fituar lirinë dhe pavarësinë.
Sepse liderët amerikanë dhe britanikë, Klinton e Bleir, nuk do mund ta vinin ndryshe në lëvizje NATO-n për të bombarduar Beogadin, përveçse duke u njohur me këto krime të rënda të Millosheviçit.
Pavarësisht rolit historik e të pamohueshëm që pati UÇK-ja ku shumë pjesëtarë të saj dhanë jetën për liri, lufta e NATO-s me Serbinë nuk u shkaktua prej luftimeve me automatik kallashnikov, ndërmjet ushtarëve të UÇK-së dhe artilerisë serbe.
Sot në botë ka me mijëra luftime të tilla, por që nuk tërheqin fare vëmendje ndërkombëtare. Janë pikërisht masakrat ndaj civilëve dhe spastrimet masive etnike ato që ndërgjegjësojnë komunitetin ndërkombëtar, arsyeja pse duhet ndërhyrë ushtarakisht kur gjuha e diplomacisë nuk funksionon.
Prandaj është e udhës që të mos përmenden vijueshmërisht si argument bllokues viktimat civile të vitit 1999, sepse gjaku i tyre prej barbarisë serbe, është kostoja njerëzore që duhej paguar për të pasur Kosovën e lirë. Përndryshe, janari i 2020-ës do e gjente ende Kosovën nën Serbi.
Retorika e lartë që po shihet në Kosovë pas këtij takimi të radhës, duke e akuzuar rëndë kryeministrin Rama si tradhtar, është tërësisht e gabuar. Jo vetëm pse ajo që po bën Rama është në të mirë edhe të vetë Kosovës duke pasur parasysh se çfarë përfaqësojnë ato katër prioritete mbi të cilat funksionon edhe vetë Bashkimi Evropian, por mbi të gjitha, kjo gjuhë e rënduar e tyre kundrejt Ramës dëmton shumë rëndë edhe vetë liderët kosovarë.
Kërkesa e tyre që Rama mos takohet e mos lidhë asnjë marrëveshje me Serbinë në kuadër rajonal, është njësoj sikur të thuash fjalën e fundit në fillim. Dhe ai politikan që thotë fjalën e fundit në fillim, e ka tmerrësisht të vështirë më pas që të bëjë prapa kthehu.
Kjo kërkesë ultimative e palës kosovare që Tirana të mos ketë asnjë kontakt kur pjesë është edhe Beogradi, do vërë në vështirësi çdo përfaqësues politik qeveritar nga pala kosovare kur do t’i duhet të takohet në të ardhmen me përfaqësues politik nga Serbia.
Se ja, mirë nuk do të duan të marrin pjesë në këtë të ashtuquajtur “Shengeni i Ballkanit”, po nesër kur t’i thërrasë në Berlin zonja Merkel, në Paris zoti Macron, apo në Bruksel zonja von der Leyen, dhe ku pjesë e tryezës do të jetë Vuçiç apo Brnabiç, duke u nisur nga ajo çka po i thuhet sot Ramës, logjikisht i bie që pala kosovare të refuzojë pjesëmarrjen.
Kjo gjë do të më sillte ndërmend periudhën gjatë regjimit komunist ku ekipet tona sportive të lojrave me dorë, të cilat arrinin deri në finale të Kupave të Evropës, për dreq u binte shorti me ndonjë ekip rus dhe regjimi i kohës nuk pranonte të ndesheshin. Si rezultat, ekipi rus fitonte ndeshjen në tavolinë dhe vijonte garën më tej, kurse ekipi shqiptar kthehej në atdhe duke mbajtur në kurriz edhe dënime nga federata përkatëse ndërkombëtare.
Nën këtë shembull, duke parë këtë retorikë pa kuptim, i bie që edhe liderët kosovarë, të mos kenë kurajo të ballafaqohen me palën serbe dhe kësisoj serbët avancojnë më tej në proceset integruese, kurse shqiptarët e Kosovës rrezikojnë ndëshkime të formës që nuk ftohen më në takime ndërkombëtare.
Natyrisht, ka ende ndjeshmëri përse politika serbe nuk ka kërkuar falje për krimet në Kosovë. Por mos prisni që këtë ta bëjnë kaq shpejt. Sepse gjithë ai brez njerëzish që jetojnë në Serbi janë rritur qysh në kopësht me teza nacionaliste dhe nuk është kaq kollaj t’ua mbushësh mendjen që Kosova nuk i përket më territorit serb.
Janë pikërisht kontaktet e vazhdueshme në rangjet e larta të politikës, më pas bashkëpunimet ekonomike si dhe në shumë fusha të tjera, kontakte të cilat mbase do të zgjasin për disa vite, ato të cilat do të zbehin pak e nga pak ndjenjat e sëmura nacionaliste në Serbi duke pranuar gradualisht një realitet të ri tek ata, siç është Kosova, një shtet i lirë dhe i pavarur.
Si përfundim, të gjitha shtetet e rajonit duan integrim në Evropë. Disa kanë avancuar në këtë drejtim duke i hapur negociatat, disa të tjerë janë në pritje. Por askujt të mos i shkojë ndërmend që Evropa do na pranojë ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë rregulluar marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes njëri- tjetrit. “Shengeni Ballkanik” është një sprovë domethënëse në këtë drejtim,
Ky bashkëpunim rajonal, nëse funksionon, është një sinjal i qartë dhe shpresëplotë për BE-në që në gjirin e saj nuk do afrohen shtete problematikë, të cilat mosmarrëveshjet e tyre t’i tranferojnë edhe në tavolinat ku do jenë pjesë e së tërës. Prandaj është e rëndësishme që nga Ballkani t’i përcillen BE-së sinjale bashkëpunimi, dhe jo të përdoren ndjenjat e brendshme për të ndezur gjakrat në funksion të përfitimit për kapital politik.
P.S. Është e kuptueshme që kur shkruan për këtë temë, bëhesh lehtë objekt sulmesh e akuzash duke të futur në grupin e tradhtarëve. Kjo ndonjëherë të çon në ndjenjë vetëcensurimi me idenë: Ç’më duhet t’i hyj këtij diskutimi kur e di që s’do më kuptojnë. Por sinqerisht nuk mund të rrija pa i hedhur këto radhë duke qenë i kompleksuar nga kjo “frikë”.