Pa kaluar mirë euforia për pjesëmarrjen e suksesshme në Euro 2016, Federata Shqiptare e Futbollit ka filluar punën për t’u paraqitur sa më mirë në aktivitetin e radhës, eliminatoret e Botërorit 2018. Shqipëria ka rënë në një grup të vështirë, ku përveç superfuqive si Spanjë e Italia, do të ketë edhe kundërshtarë aspak të lehtë si Izraeli dhe Maqedonia.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka bërë të qartë se që pas kthimit në Shqipëri, stafi i kombëtares është vënë menjëherë në punë për të nisur përgatitjet për takimin e parë të kuqezinjve në këtë aktivitet, atë kundër Maqedonisë në fillimin e shtatorit.
“Ne nuk kemi vetëm dy ekipe të forta kundërshtare në eliminatore por pesë. Të gjithë bëjnë mirë dhe mund të humbasësh ndaj tyre. Duhen përgatitur shumë mirë këto ndeshje. Kam biseduar me stafin se duhet të përgatitemi shumë mirë dhe të mendojmë menjëherë për ndeshjen e shtëpisë me Maqedoninë”, u shpreh ai për “SuperSport”.
Sipas tij, ekipi ka fituar eksperiencë në Francë, që do të shërbejë si mësim për të mos përsëritur më gabime në momente kyç të ndeshjeve. “Eksperienca na penalizoi kundër Zvicrës në fillim. Ishim për herë të parë në një eveniment të tillë dhe me të gjitha përpjekjet për të hequr presionin, ekipi nuk e evitoi dot presionin. Mungesë tjetër eksperience është gabimi në rastin e golit të dytë me Francën”, theksoi ai.
Nuk mund të mungonte një koment edhe për paraqitjen e futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, ku kreu i FSHF-së pranoi se në të kaluarën kishte pasur disa gabime në institucionin që drejtonte kundrejt vëmendjes që u duhej dhënë futbollistëve të lindur jashtë Shqipërisë. “Ndoshta edhe qasja jonë ndaj tyre që në moshë të vogël nuk ka qenë e njëjtë, por edhe dëshira e tyre nuk ka qenë e njëjtë”, tha ai, i ndërgjegjshëm se pas rezultateve të fundit, ekziston një dëshirë më e madhe për t’iu bashkuar kuqezinjve.
SS/d.i.