Rritja e çmimit të siguracioneve është bërë në mënyrë të njëanshme dhe në shkelje të plotë të rregullores për shoqëritë e sigurimit. Është ky konkluzioni i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili u ka dërguar dje një shkresë drejtuesve të shoqërive të sigurimit, duke iu kërkuar të anulojnë vendimin e ndërmarrë një javë më parë. 8 drejtuesit e kompanive, të cilët në datë 23 gusht vendosën në bllok rritjen me 20 për qind të çmimeve, tashmë duhet të japin llogari për AMF-në dhe qytetarët njëkohësisht, për t’u sprapsur nga rritja abuzive. Në shkresën konfidenciale, e cila nuk zbulohet e plotë, institucioni i drejtuar nga Enkeleda Shehi, kërkon kthimin në fuqi të çmimeve që aplikoheshin para datës 23 gusht.
“Autoriteti pasi mori në analizë të dhënat e raportuara nga të gjitha shoqëritë e sigurimit arriti në konkluzionin se rritja e bërë nuk është reale dhe e mbështetur mbi baza teknike. Referuar rregullores nr. 110 si më sipër në rast se shoqëria e sigurimit nuk njofton në Autoritet tarifat e ndryshuara në Qendrën e Informacionit mbeten të fiksuara tarifat e mëparshme. Si rrjedhojë kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të aplikimit të tarifave të reja. Ndërkohë që nga ana e Autoritetit po punohet për të analizuar të gjithë faktorët që do të çojnë në një rritje reale të primeve të sigurimit motorik në të ardhmen”, thuhet në shkresën e kompanive.
Rregullorja 110 është hartuar dhe ka hyrë në fuqi një vit më parë, dhe burime nga AMF bëjnë të ditur për “Shekulli”-n se kjo është kjo është hera e parë që Autoriteti ndërhyn në treg në lidhje me çmimet, pikërisht duke u bazuar te kjo rregullore. Edhe pse shoqëritë e sigurimit kanë vijuar të shesin polica sigurimi me çmimet e reja, gjatë kësaj jave ato janë bërë objekt i monitorimit dhe kontrolleve, jo vetëm nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, por edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, i cila gjatë këtyre ditëve do të dalë me një raport të ri për mënyrën se si kanë vepruar kompanitë. Këto të fundit, tashmë duhet t’i kthejnë përgjigjen e parë për AMF-në, nëse do të ndërpresin aplikimin e tarifave të reja, dhe ajo që mbetet për t’u parë është nëse do të ketë sërish një përgjigje në bllok nga ana e tyre.
Rregullorja
Rregullorja 110 është miratuar në tetorin e vitit të kaluar dhe përmban parimet bazë për mënyrën se si duhet të raportojnë kompanitë e sigurimit, jo vetëm bilancet, por edhe analizat për veprimtaritë e shoqërive. Dhe për AMF-në, kjo rregullore tashmë përbën arsye që të kërkojë llogari për çmimet, arsye të cilën nuk e ka gjetur deri më dje pasi ligji u jep mundësi kompanive të përcaktojnë tarifat e sigurimeve. Duke u bazuar në nenin 7 të rregullores, e cila detajon procedurat për raportet e kompanive dhe transparencën që këto të fundit duhet të bëjnë në treg, AMF ka kërkuar anulimin e rritjes së çmimeve, pasi kompanitë kanë shkelur këtë rregullore. Nga ana tjetër, drejtuesit e kompanive i kanë dhënë argumentet për rritjen e çmimeve në një fjali të vetme se ishte rritja e shpenzimeve për dëmet ajo që ndikoi në vendim.
Sipas raportit që nxjerr Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për 7-mujorin 2015, dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve për kategorinë e përgjegjësisë së brendshme motorike ndaj palëve të treta janë rritur me rreth 25 për qind. Kjo e ka rritur raportin mes dëmeve dhe primeve, për produktin në fjalë, në 26%, nga afërsisht 21% që kishte qenë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa është e vërtetë që ka një rritje të raportit mes dëmeve dhe primeve, niveli ku qëndron ky raport është pa tepër i ulët krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Europës. Edhe vendet e rajonit, pa përjashtim, në vitet e fundit e kanë raportin mes dëmeve dhe primeve për produktin e sigurimit të detyrueshëm motorik sipër nivelit të 40 për qind. Ndërkohë, parë më gjerë, kompanitë e sigurimeve në Shqipëri, përgjithësisht rezultojnë fitimprurëse, mbështetur në të dhënat e vitit të kaluar. Nga tetë kompani të sigurimeve në tregun e jo-jetës, pesë prej tyre e mbyllën vitin 2015 me fitim.
Sanksionet
Sipas ligjit të vitit 2014 “Për veprimtaritë e sigurimit dhe risigurimit”, gjoba për vendimin “abuziv” të rritjes së çmimeve ndaj kompanisë së sigurimit mund të jetë nga 200 mijë deri në 400 mijë lekë. Por, shkresa që ka shkuar për drejtuesit e kompanive nuk është ende publike, dhe nuk dihet nëse në përmbajtje të saj Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka evidentuar masa për shoqëritë. Madje, tashmë mbetet për t’u parë si do të reagojnë këto të fundit dhe nëse përgjigja e tyre do të jetë e shpejtë, apo AMF u ka lënë afat. Lajmi për tarifat e reja që janë sot 3000 lekë më tepër, është përhapur nga media, dhe në reagimet e tyre të para AMF dhe Autoriteti i Konkurrencës kanë pohuar se nuk kishin asnjë kërkëse apo informacion nga kompanitë për ndryshimet. Më e ashpër gjatë këtyre ditëve, ka qenë Konfindustria, e cila ka thënë se do të dërgojë ankesë në parlament për të ndalur këtë treg, i cili sipas saj shkel rregullat e konkurrencës dhe vetëm gjatë dy viteve ka rritur çmimet e siguracioneve në nivele të paimagjinueshme deri në 300 për qind.
Si aplikohet për lejet e ndërtimit
Nga 1 shtatori sistemi elektronik për lejet e ndërtimit do të jetë gati dhe çdo qytetar apo firmë, mund të aplikojë vetëm në këtë formë për ta fituar ligjërisht një të tillë. Ministria e Zhvillimit Urban, ka publikuar mënyrën se si do të bëhet aplikimi dhe kërkesat sipas llojit të ndërtimit.
Etapat
– Aplikimi për leje do të kryhet vetëm online në portalin e-Albania, ku secili aplikues do të aksesojë me kredencialet e tij.
– Aplikuesi do të plotësojë hap pas hapi të dhënat e kërkuara lidhur me (a) llojin e kërkesës që paraqet (p.sh. leje ndërtimi, shtyrje afati, leje përdorimi, plotësim dokumentacioni etj); (b) llojin e kategorisë së ndërtimit (standarde apo kompleks); (c) nëse është procedurë e përshpejtuar; (d) të dhënat e pronës ku ndërtohet.
– Sistemi do të mund të lidhet dhe marrë automatikisht të dhëna nga regjistrat e gjendjes civile dhe QKR.
– Dokumentacioni i nevojshëm për shqyrtimin e kërkesës do të ngarkohet online nga aplikuesi, pasi të jetë nënshkruar prej personave përkatës me firmë elektronike, bashkë me një deklaratë të vetë aplikuesit lidhur me vërtetësinë dhe autenticitetin e dokumentit të ngarkuar në sistem.
– Gjatë gjithë procesit, aplikuesi do të njoftohet me e-mail lidhur me statusin e aplikimit të tij dhe do të marrë po kështu me e-mail njoftim për të gjitha vendimet që do të merren lidhur me aplikimin e tij;
– Pas dërgimit të aplikimit, sistemi do të njoftojë nëpunësit e Bashkisë kompetente ose të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në rastin e lejeve të Këshillit Kombëtar të Territorit, në e-mailin e tyre zyrtar, lidhur me faktin se nje aplikim është në pritje për shqyrtim në llogarinë e tyre, përmes portalit e-Albania;
– Për shqyrtimin e kërkesës, nëpunësi i bashkisë e dërgon aplikimin përmes sistemit edhe në institucionet e tjera përgjegjëse dhe merr mendimet e tyre po ashtu përmes sistemit;
– Në përfundim të procesit, kërkesa bashkë me raportin teknik të nëpunësit përgjegjës, i drejtohet për mendim Kryetarit të Bashkisë. Nëse ky i fundit e vlerëson pozitivisht kërkesën, aplikuesit i kërkohet të vijojë me pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë;
– Në fund, pas vërtetimit të pagesës, Kryetari i Bashkisë firmos lejen, e cila i dërgohet aplikuesit në llogarinë personale tij në portalin e-albania dhe i njoftohet me e-mail;
N. Gjergo
ma.me