Video të realizuara me animacione të stilit “Lego”, një satirë e hapur për Presidentin Donald Trump, po qarkullojnë masivisht online.
Ekspertët e teknologjisë paralajmërojnë se kjo formë e re e satirës digjitale, e mbështetur nga inteligjenca artificiale, po arrin një audiencë shumë të lartë, që propaganda tradicionale nuk i prekte dot kurrë.
Grupi i njohur si “Explosive Media” ka rrjetin me animacione ku Donald Trump dhe liderë të tjerë botërorë shfaqen si figura “Lego” në situata të vështira.

“Po shohim një lloj të ri lufte online. Aktivistët e rinj po përdorin mjetet e inteligjencës artificiale për të prodhuar këtë lloj satire prerëse që rezonon me një audiencë të madhe. Shpejtësia është çelësi, ata reagojnë menjëherë për atë që ndodh në botën reale, duke shënuar një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si shtetet po i përgjigjen ngjarjeve”, shprehet David Gilbert, gazetar i “Wired” për disinformimin.
Megjithëse grupi e quan veten “ekip i pavarur”, fakti që videot e tyre shpërndahen nga llogari zyrtare të qeverisë iraniane ngre dyshime për një koordinim të fshehtë.
Për Teheranin, kjo është një mënyrë për të depërtuar te rinia perëndimore, duke shmangur retorikën e rëndë politike. Disa i konsiderojnë videot si “fuqi diplomatike” që godasin fuqitë e mëdha, ndërsa të tjerë kritikojnë ashpër satirën për një luftë që po shkakton humbje reale jetësh dhe shkatërrim të infrastrukturës.
“Ata nuk bëjnë gabime në mënyrën se si i ndërtojnë shakatë apo në estetikën e personazheve. Deri më tani, nuk kemi parë asgjë të ngjashme nga pala amerikane për t’iu kundërvënë kësaj influence. Edhe pse janë animacione, ato mund të kenë ndikim në ngjarjet e botës reale, varësisht nga liderët që përfshihen”, tha David Gilbert.
Tashmë, është e qartë se kjo lloj satire ka një ndikim të madh, veçanërisht tek të rinjtë.











