Nga Arsild Tepelija*
Të dielën e 12 shtatorit në darkë, gjermanët shijuan në ekranet e tyre një festë të demokracisë. Debati mes tre kandidatëve kryesorë për zyrën e Kancelarisë u mbajt civil, konstruktiv dhe informues. Sigurisht, ky manifestim i demokracisë i detyrohet në masë të madhe kulturës së shtresëzuar socio-politike të Gjermanisë, por edhe 16 viteve të fundit të Merkel-it në zyrë.
Katër mandatet e saj të njëpasnjëshme, jo vetëm që nuk e kanë shqetësuar balancën në mjedisin demokratik në Gjermani, por përkundrazi, kanë sjellë kushtet për një tranzicion të qetë e të natyrshem të zëvendësimit të figurës drejtuese. Zgjedhjet federale të shtatorit, e gjejnë vendin në një klimë të pa polarizuar politike (sidomos krahasuar me shumë zgjedhje të tjera evropiane), përkundër mprehtësisë së çështjeve me të cilat Gjermania dhe bota përballen.
Jo vetëm Gjermania i falet drejtimit të matur e të moderuar të Kancelares në ikje. Tek Merkel-i, Bashkimi Evropian gjeti një bosht të rëndësishëm referimi në kohët e tij ndoshta më të vështira, atentatorët e multilateralizmit një rojtare të guximshme për ruajtjen e arritjeve të deriatëhershme, globalizimi dhe derivatet e tij kundërpeshën e tyre humane.
Megjithatë, përfituesi kryesor, në terma relativë, nga politika e jashtme e Merkel-it, ka qënë Ballkani Perendimor. Iniciativa e saj, Procesi i Berlinit erdhi në një kohë kur rajoni ishte i lënë pas dore mes problemeve që kërcënonin ekzistencën e vetë projektit të BE-së. Për integrimin e rajonit nuk kishte kush të fliste, e kështu nënkuptohej një frenim për zgjerimin, i cili edhe u artikulua në mënyrë të pa precedentë pak kohë më vonë prej Presidentit të Komisionit Evropian. Vizioni i Merkel-it u kthye në të vetmen urë të qënësishme që qëndronte mes rajonit dhe BE-së. Procesi “artificial” i Berlinit i nxitur prej ambicies së Kancelares më shumë se sa prej Kancelarisë në vetvete, u kthye në gur themeltar për procesin modern të bashkëpunimit rajonal në kuadër të integrimit të rajonit në BE.
Raportimi i Politico Europe dhe Euroactiv mbi debatin televiziv, dy prej mediumeve më popullore që ndjekin dinamikat e përditshmërisë evropiane në shtetet e BE-së, nxori në pah mungesën tërësore të diskutimit mbi poltikën e jashtme të Gjermanisë. Nisur prej kësaj (edhe pse mbetet edhe një seri e dytë e debatit mes kandidatëve), por edhe prej faktit që në programet e dy presidencave të Këshillit që pasuan atë të Gjermanisë, përkatësisht ato të Portugalisë dhe Sllovenisë, ku integrimi i Ballkanit Perendimor është shumë poshtë në listën e prioriteteve, mund të themi se rajoni po merr vëmendjen “e natyrshme” të para Procesit të Berlinit. Kohët i diktojnë pasaardhësit të Merkelit në zyrë, se fokusi duhet të jetë në zgjidhjen e çështjeve që perceptohen si më pranë qytetarëve të vendit të tyre.
Nga ana tjetër, Ballkani Perendimor, si ngahera, është vërtitur pafundësisht rreth vetes në këto shtatë vitet e fundit. I paaftë në shumë plane e nivele për t’u ndërtuar mbi mbështetjen e platformës së Berlinit, ka lënë këtë të fundit te përcaktojë rrugën. Dhe në fakt, përcaktimi i rrugës nis pikërisht nga Berlini në vitin 2014. Më shumë se sa krijimi i nismave konkrete e të qëndrueshme për rajonin, Procesi i Berlinit i ka dhënë formë të re qasjes së BE-së ndaj integrimit të rajonit. Në sinkron me Procesin e Berlinit, BE-ja ka ridimensionuar progresivisht qasjen ndaj rrugëtimit të integrimit, nga bileterale në rajonale.
Ana politike e integrimit të Ballkanit Perendimor në BE është pjesa më pak komplekse e gjithë rrugëtimit. Sidomos për rajonin tonë. BE-ja dikton rrugën, dhe shtetet e Ballkanit kanë pak hapësira manovrimi për ta ndikuar dinamikën. Në kushtet kur Procesi si platformë bashkëpunimi, ka dështuar deri tani në krijimin e kornizave të mjaftueshme institucionale e
ligjore, e për pasojë edhe të ndërtojë qëndrueshmërinë e tij, dhe gjithashtu promotori qëndror i tij po i largohet skenës aktive politike, mbetet i paditur kursi i nismës.
Përgjigja për të çuar përpara integrimin dhe marrë fondet jetike të vëna në dispozicion për zhvillimin e rajonit, sipas Bashkimit Evropian, është të bashkëpunimi rajonal. Por si bashkërendohen gjashtë shtete me shumë histori mes tyre, prejardhje politike e shtet formuese të ndryshme, me praktika tejet të brishta komunikimit konstruktiv? Si mund të arrijë Ballkani Perendimor të jetë palë e unifikuar në procesin politik të integrimit në BE? A munden dot këto gjashtë shtete me denduri të lartë problemesh për metër katror e për frymë banori, ta lexojnë begatinë e të ardhmes së tyre në bashkëpunim?
Dy figurat qëndrore rajonale që prej nisjes së Procesit, Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Serbisë, ambiciet e të cilëve shtrihen përtej kufijve të shteteve të tyre dhe kohës politike që jetojnë, kanë qënë në drejtimin e ekzekutivëve respektivë që në krye të herës. Mirëpo, është vetëm në ikje të Kancelares që kanë ndërmarrë një nismë të përbashkët e me rrënjë në rajon, siç është “Open Balkans”.
“Open Balkans” është në thelb e njejta ide e bashkëpunimit rajonal, i njejti konstelacion politik dhe (jo)institucional, me të njejtin efekt (jo)detyrues mbi shtetet nënshkruese, si secila iniciativë e mëparshme me qëllim integrimin e Ballkanit Perendimor sipas formatit të katër lirive. Mbajtja e nismës larg aktorëve e faktorëve përbërës të jetës publike në rajon, qasja jo-integruese ndaj tyre në secilin nivel, mungesa e transparencës dhe debatit publik mbi nismën, janë premisa negative për efektivitetin e nismës.
Kështu, sa gati janë vendet e Ballkani Perendimor për vitin 0, pa busullën e integrimit në Berlin? Sepse nisur nga sinjalet e të shtunës, çështjet e brendshme të Gjermanisë në periudhën post-Merkel, post-pandemi dhe kriza të mprehta sociale e klimatike, qëndrojnë ku e ku më lart në programet qeverisëse të Kancelarit të ardhshëm se sa politika e jashtme, dhe Ballkani Perendimor më konkretisht.
Nocioni i “Ballkanit Perendimor” nuk është më një foshnje gjeopolitike. Shtatë vite eksperiencë me Procesin e Berlinit, moria e nismave rajonale dhe kursi i qartë politik për integrimin duhet të përbëjnë një bazë të mirë pikënisjeje me rrënjë në rajon. Platformat e ngritura të takimeve në nivel politik, përcaktimi i projekteve kyçe të ndërlidhjes infrastrukturore dhe arritja e shërbimeve “roaming” pa pagesë, janë gjithashtu të rëndësishme për të ndërtuar pika takimi mes gjashtë shteteve. Megjithatë, hapi i radhës i përket një vizioni më abstrakt. Çuarja përpara e integrimit rajonal, si kusht i patjetërsueshëm në fazën e para-anëtarësimit, kërkon garanci të reja. Kërkon një kornizë të re institucionale e ligjore, dhe gjithashtu thurjen e stofës solidare e kohezionit të rajonit të integruar. Teksa asgjë nuk është e paarritshme, u takon drejtuesve të rajonit ta nisin nga vetja rikonceptimin e tejkalimin e qënies së tyre politike, të transformuar nga lokale në rajonale.
Ecuria e procesit të integrimit dhe përthithja e nëntë miliard eurove të destinuara për rajonin (jo detyrimisht në rend prioritar), prej 27 shtatorit, janë më shumë se kurdoherë të lidhura me humoret ballkanike.
*Specialist në Çështjet evropiane