Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi nga Korça se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet një objektiv i arritshëm brenda vitit 2030, duke theksuar nevojën për përfshirje dhe përkushtim të vazhdueshëm nga të gjithë aktorët.
Gjatë një takimi me nxënës të shkollave të mesme “Themistokli Gërmenji” dhe “Raqi Qirinxhi” në Korçë, Hoxha u shpreh se Bashkimi Evropian nuk duhet parë thjesht si një synim formal, por si një standard jetese që duhet përmbushur.
Ai nënvizoi se progresi i bërë nga Shqipëria në procesin e integrimit ka qenë i konsiderueshëm dhe shpeshherë përtej pritshmërive.
“Në një periudhë shumë të shkurtër kohe kemi bërë një rrugëtim të madh, diçka që as nuk e kishim ëndërruar. Unë i pari, edhe pse kam qenë i përfshirë në proces, nuk mendoja kurrë që Shqipëria do t’i hapte të gjitha kapitujt brenda vitit. Ja që u bë, ja që qenka i mundur,” u shpreh ministri.
Sipas tij, vendi ka kapacitetet dhe energjitë e nevojshme për të përmbushur detyrimet, duke shtuar se koordinimi dhe vendosmëria janë kyçe për të përmbushur premtimet ndaj partnerëve evropianë.
Vizita e ministrit në Korçë u zhvillua në kuadër të turit të dialogut “BE dhe Ti: Evropa fillon këtu”, ku ai pati një sërë takimesh me studentë dhe nxënës.











